Me rastin e përfundimit të projektit Eureka në kuadër të platformës “Mozaiku Rinor”, Forumi Rinor Islam – Dega Shkup realizoi program përmbyllës në hapësirat e Resort & Spa “Bushi” në Shkup.

Pas ndjekjes së gjashtë trajnimeve në gjashtë javë të njëpasnjëshme, në tema të ndryshme si “Vlerat e Forumit Rinor Islam”, “Eko-jeta”, “Të mësuarit efektiv”, “Rrjetet sociale” dhe “Modeli i një të riu të suksesshëm” si dhe një vizitë në qendrën e Kryqit të Kuq, nxënësit patën mundësi të shfaqinë aftësitë e tyre të fituara në programin përmbyllës.

Programi filloi me fjalë përshëndetëse të kryetarit të FRI – së, mr. Xhabir Emini si dhe kryetarit të FRI – Dega Shkup, Afrim Demiri kështu duke vazhduar me një prezantim nga një grup i nxënësve me temë “Rrjetet sociale dhe përdorimi i tyre”. Pjesë e programit ishin edhe një recitim i poezisë “Fjalët e një kalorësi” të autorit Fatmir Muja si dhe një dramë e përgatitur nga vetë nxënësit mbi temën “Bullizmi tek të rinjtë”.

Njëashtu të pranishmit kishin mundësinë të ndjekin edhe një video të përgatitur nga sekuencat e marra përgjatë trajnimeve të realizuara.

Në fund të programit, për të gjithë nxënësit u shpërndanë certifikata për pjesëmarrje të suksesshme në projektin Eureka.

Shkup, 29 dhjetor 2022