Ndërtimi i një kishe në parkun afër qendrës sportive, mbetet pengesa kryesore që mban peng formimin e koalicionit për këshillin komunal në Tetovë. Nga Bashkimi Demokratik për Integrim thonë se kërkesat për ndarjen e funksioneve tanimë nuk paraqesin problem, por VMRO-DPMNE e cila ka 5 këshilltarë, kërkon që t`i ndahet parcelë e cila është në pronësi të komunës për ndërtimin e kishës.
Kryesuesi i listës së këshilltarëve të BDI-së, i cili është edhe kandidati më i mundshëm për kryetar i këshillit në Tetovë, Hisen Xhemaili thotë për gazetën KOHA se nuk kanë asgjë kundër ndërtimit të objekteve fetare, por BDI nuk pranon që për këtë qëllim të ndahet tokë publike, e cila duhet të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve. Xhemaili gjithashtu thotë se partia e tij mban llogari edhe për ruajtjen e parqeve dhe hapësirave të gjelbërimit, të cilat sipas tij deri më tani janë uzurpuar dhe dëmtuar rëndë në këtë qytet.
”Toka shtetërore do të nevojitet edhe për ndërtimin e institucioneve lokale që do të jenë në shërbim të të gjithë qytetarëve të gjitha përkatësive etnike dhe religjioze. Bashkimi Demokratik për Integrim, parimisht nuk ka asgjë kundër komunitetit ortodoks dhe ndërtimit të kishës dhe mund të jep leje vetëm nëse komuniteti maqedonas gjen parcelë private”, thotë Xhemaili.
Deri më tani, BDI dhe VMRO-DPMNE kanë gjetur gjuhë të përbashkët rreth ndarjeve të funksioneve publike, ku pas ndarjes së NP komunale në dy ndërmarrje, atë të ujit të pijshëm dhe ndërmarrjes për mbeturina dhe gjelbërim, njëra do t`i takojë partnerit maqedonas. Kërkesa tjetër e VMRO-DPMNE-së ka qenë që të drejtojë me sektorit për arsim, ndërsa ky sektor tanimë nuk ekziston. Në Komunën e Tetovës, që nga përbërja e kaluar ekziston vetëm sektori për veprimtari publike, ku arsimi dhe disa sfera të tjera funksionojnë si seksione në kuadër të këtij sektori dhe njëra nga këto seksione do t’i ndahet VMRO-DPMNE-së. As kryesuesi i këshillit nuk rrezikohet në Tetovë dhe këtë e konfirmojnë nga të dy taboret.
Përveç Xhemailit, i cili nuk fsheh ambiciet e tij për të qenë kryesues i këshillit, dega e VMR-DPMNE-së në Tetovë thonë se ata nuk kanë kërkesë për atë post, duke i vlerësuar si spekulime informacionet e plasuara në opinion. Jozyrtarisht, nga dega e VMRO-DPMNE-së thonë se marrëveshja me të gjitha pikat për koalicion mes kësaj partie dhe BDI-së është arritur para mbajtjes së rrethit të dytë të zgjedhjeve lokale në Tetovë dhe ata janë në pritje të respektimit të asaj marrëveshje, por pa dhënë detaje për pikat e marrëveshjes në fjalë.
“Ne jemi përmbajtur në përpikshmëri pikave të asaj marrëveshje, prandaj në rrethin e dytë u krijua ai dallim mes dy kandidatëve, pasi ne ashtu siç u morëm vesh e mbështetëm Teuta Arifin në 100 për qind. Tani presim që edhe BDI të respektojë atë që jemi marr vesh”, thonë nga VMRO-DPMNE në Tetovë. Megjithatë, ata nuk duan të prononcohen zyrtarisht, por premtojnë se gjatë ditëve në vazhdim do të dalin me përgjigje konkrete dhe zyrtare rreth arritjes së marrëveshjes për koalicion me detajet rreth saj. Ndërkaq, nga BDI të cilën mohojnë ekzistimin e një marrëveshje paraprake, thonë se vazhdojnë negociatat me VMRO-në dhe presin që ajo të heqë dorë nga kushtëzimi për ndërtimin e kishës në Tetovë. Në të kundërtën, kryesuesi i këshilltarëve të BDI-së paralajmëron se nuk do të presë deri në pafundësi dhe si alternativë për koalicion sheh partitë e tjera më të vogla që në zgjedhjet e fundit lokale fituan këshilltar në këtë komunë.“Do të shqyrtojmë edhe mundësi të tjera të koalicion me partitë tjera që përfaqësohen në këshill, si LSDM dhe VMRO-PP, RDK dhe PTD”, thotë Xhemaili.
Ndërkaq, në Komunën e Strugës, formimi i koalicionit multietnik bëhet gjithnjë e më i largët, ndërsa një koalicion shqiptar mes PDSH-së dhe BDI-së varet nga kryetari i kësaj të fundit, Ali Ahmeti. Kryetari i degës së BDI-së, Ramiz Merko thotë se deri më tani ka pritur Ahmetin të kthehet nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t`i sqaruar atij nevojën e formimit të koalicionit shqiptar në Strugë. Merko insiston në realizimin e një koalicioni të tillë, pasi për këtë ai thotë se janë të detyruar nga sjellja e partive maqedonase, të cilat para mbajtjes së zgjedhjeve lokale ishin të parët që formuan koalicionin etnik në këtë qytet.
“Unë parimisht jam për çfarëdo forme të koalicioni me PDSH-në, pasi vlerësoj se kjo është në interes të qytetarëve të Strugës, të cilët me votën e tyre ju dhanë shumicë partive shqiptare. Nevojën, përparësitë dhe të gjitha arsyet përse duhet të formohet ky koalicion unë do t`ia sqarojë edhe kryetarit të partisë tonë, Ali Ahmeti, gjatë një takimi të drejtpërdrejtë gjatë ditëve në vazhdim. Shpresoj që shumë shpejtë kjo të realizohet dhe të mos i mbajmë peng qytetarët”, thotë Merko. Jozyrtarisht, siç mëson gazeta KOHA nga burime partiake në Strugë, dy partitë maqedonase, VMRO-DPMNE dhe LSDM kanë kushtëzuar hyrjen në koalicion bashkërisht të dy partitë dhe jo të ndahen, si dhe kanë kërkuar që atyre t’u takojë kryesuesi i këshillit si dhe drejtori i NP “Proaqua”./koha/
EDITOR
12 years ago
previous article
Juristët e ardhshëm të UEJL-së, vizitë studimore në Spanjë
next article
Ndizet Madridi, “luftë” për Kupën e Mbretit
you might also like
FRI REALIZOI TAKIMIN E PARË ME BURSISTËT
6 days ago
17 NËNTORI, DITA NDËRKOMBËTARE E STUDENTËVE
6 days ago