Fondi letrar i Universitetit Shtetëror të Tetovës prej sot është pasuruar edhe me dhjetë tituj, të cilat janë pjesë e projektit të Qeverisë dhe të Ministrisë të Arsimit dhe Shkencës për “Përkthim të 1.000 librave profesionalë dhe shkencorë, prej të cilave mësohet në Universitetet më të mira dhe më me renome në SHBA dhe në Angli, ndërsa nga fusha e drejtësisë në Francë dhe në Gjermani”.
Librat, të cilat janë nga fusha e ekonomisë, drejtësisë, shkencave matematiko-natyrore dhe bioteknike i promovuan kryeministri Nikolla Gruevski, ministri i Arsimit dhe Shkencës, Spiro Ristovski dhe zëvendësi i tij, Safet Neziri.
Kryeministri Gruevski theksoi se qëllimi themelor i projektit është në Maqedoni të sillet letërsi dhe libra të cilat shfrytëzohen në universitetet më prestigjioze në botë dhe në atë mënyrë studentët të kenë qasje dhe mundësi që krahas letërsisë vendore, të shfrytëzojnë edhe libra të cilat janë të shkruara nga shkencëtarë dhe profesorë, të shquar të cilët e formojnë shkencën aktuale botërore.
“Ajo që është me rëndësi, është që pjesa më e madhe e librave përkthehen edhe në gjuhën maqedonase edhe në atë shqipe, me qëllim që sa më lehtë të mund të shfrytëzohen nga ana e qytetarëve tanë. Deri tani janë përkthyer dhe botuar mbi 400 libra në gjuhën shqipe. Ajo qartë tregon në qëllimin tonë që të investojmë në kapacitetet intelektuale të njerëzve pa dallim të kombësisë dhe përkatësisë së tyre etnike”, tha kryeministri i Maqedonisë.
Këto libra nga autorë shquar botërorë, thotë ministri Ristovski, janë përkthyer në gjuhën shqipe, me çka shumicës prej tyre u lehtësohet procesi i edukimit të studentëve të cilët gjuhë mësimore e kanë gjuhën shqipe.
Mes librave të promovuar sot janë edhe librat “Tregtia botërore dhe pagesat” nga profesorët Riçard E. Kejvs dhe Xhefri A. Frankel nga Universiteti “Harvard” dhe Ronald Tus Xhouns nga Universiteti në Roçester dhe libri “E drejta obliguese”, Libri 1 – Marrëveshja dhe obligimi njëpalësh” nga autori Mauriel Fabër-Manjan i cili është profesor i drejtësisë në Universitetin “Sorbona” në Francë.
Në kuadër të këtij projekti janë përkthyer libra nga të gjitha fushat shkencore, ekonomi, drejtësi, bujqësi, mjekësi, shkenca teknike, marrëdhënie ndërkombëtare, shkenca politike, ndërtimtari, arkitekturë, mjedis jetësor, politikë sociale.