Dje në Amfiteatrin e Rektoratit të USHT-së, u promovua revista shkencore ndërkombëtare ,,Filologjia”, e cila botohet nga Universiteti Shtetëror i Tetovës, respektivisht, Fakulteti Filologjik.
Rektori i USHT-së, Prof. Dr. Vullnet Ameti, theksoi se përmes promovimeve të këtij niveli shkencor, USHT është në hap me zhvillimet e reja që kanë përfshirë shkencën dhe botën e qytetëruar.”Ne, si drejtues të këtij universiteti, krahas realizimit të prioriteteve në fushën e infrastrukturës, i kemi vënë vetes për detyrë që të përkrahim edhe veprimtarinë botuese dhe forcën progresive të saj, për të nxjerrë në dritë botime të reja të të gjitha fushave të nevojshme për studentët dhe kuadrin mësimdhënës.Përmes promovimeve të veprave të këtij niveli shkencor, ne jemi në hap me zhvillimet e reja që kanë përfshirë shkencën dhe botën e qytetëruar.Në këtë drejtim, jemi të bindur se revista shkencore ,,Filologjia” do të luajë rolin e saj të rëndësishëm për afirmimin e vlerave të shkencave të albanologjisë, gjithnjë duke respektuar parimet themelore metodologjike në studimet shkencore. Në këtë revistë, janë botuar studime që vijnë nga rezultatet e punës hulumtuese kërkimore të punonjësve shkencorë të universitetit tonë, respektivisht profesorëve të Fakultetit Filologjik, të Programeve studimore: Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Gjuhë dhe Letërsi Maqedonase, Gjuhë dhe Letërsi Angleze, Gjuhë dhe Letërsi Gjermane, po ashtu edhe të Gjuhës dhe Letërsisë Frënge dhe Italiane. Ne besojmë se në të ardhmen jo shumë të largët, do të promovojmë edhe punën shkencore të fakulteteve tjera të universitetit tonë, dhe do t’u jepet hapësirë e nevojshme të gjithë studiuesve shkencorë të universitetit, por edhe nga trojet tjera shqiptare dhe më gjerë”, tha Ahmeti.
Prorektori për bashkëpunim ndërkombëtar dhe njëherit Dekan i Fakultetit Filologjik, Arbër Çeliku, në fjalën e tij, foli për ecurinë për botimin e kësaj reviste. Ai me këtë rast falënderoi publikisht Rektorin, Vullnet Ameti për angazhimin e tij për botimin e revistave të këtilla shkencore me karakter ndërkombëtarë, duke shtuar më tej se në Bordin ndërkombëtarë të revistës ,,Filologjia” marrin pjesë studiues të njohur të gjuhës dhe letërsisë, si nga vendi, po ashtu edhe nga Shqipëria, Kosova, Gjermani, Turqia dhe SHBA-të, ndërkohë ka edhe redaksi të veçanta për çdo program studimor të Fakultetit Filologjik, siç janë, ai i Gjuhës dhe letërsisë shqipe, asaj angleze, gjermane, maqedonase, italiane dhe frënge.
Shefi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të USHT-së, Fatmir Sulejmani botimin e revistës ,,Filologjia” e krahasoi me botimin e revistës ,,Albania” të Faik Konicës. “Kur e nisi botimin e ALBANISË së tij të famshme, Faik Konica, këtu e 115vjet më parë, në ballinën e saj shkroi një fjali të vetme, që edhe sot kumbon e denjë për të përfaqësuar synimet e cilësdo revistë letrare e shkencore, pa dallim kohës dhe vendit të botimit. Fjalia ishte kjo: TË MBAHET E TË RUHET KOMBËSIA, TË LËROHET E TË ZBUKUROHET GJUHA, SE GJUHA ËSHTË SHËNIMI I KOMBËSISË…”, tha profesor Sulejmani, duke shtuar se për nga laryshia tematike, për nga hapësira që zinin studimet mbi gjuhën dhe për nga shumëgjuhësia në të cilën shkruhej ALBANIA – revista e cilësuar si më e mira gjatë periudhës së Rilindjes Kombëtare Shqiptare, ngjason me revistën FILOLOGJIA, që gjithashtu synon të lëvrojë e të zbukurojë gjuhën tone të bukur, njërën prej më të veçantave në mesin e gjuhëve indoevropiane, përmes studimesh të gjithanshme, që sigurisht do ta mbajnë atë në mesin e gjuhëve të kultivuara të së sotmes, sepse siç dihet, ato (gjuhët) janë organizma të gjallë që mund dhe të shuhen nëse nuk krijohen mekanizmat e duhur mbrojtës”, tha në mes tjerash Shefi i Katedrës së Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe të Fakultetit Filologjik të USHT-së,Fatmir Sulejmani. Së shpejti pritet të botohen revista të këtilla shkencore edhe nga fakultetet tjera të USHT-së.
/TV KOHA/
Categories