Categories
Opinione

Nënçmimi i muajit të shenjtë të Ramazanit dhe Kuranit famëlartë

Kohëve të fundit jemi dëshmitarë të disa lajmeve sensacionale që kanë të bëjnë me persona të estradës dhe zbatimin apo respektimin e parimeve fetare nga ana e tyre, posaçërisht gjatë muajit të shenjtë të Ramazanit. Kjo përfshin futbollistë të famshëm të skenës ndërkombëtare e deri te modele, këngëtarë, moderatorë dhe aktorë të tjerë të skenës lokale. Në rrafsh global kjo është për t’u përshëndetur, mirëpo po të analizojmë më për së afërmi rrethanat tjera, do të konstatojmë se kemi të bëjmë në të vërtetë me tallje, nënçmim, përbuzje dhe injorim të vlerave absolute hyjnore, përfshirë muajin e Ramazanit dhe Kuranin famëlartë.
Në një prej mediumeve të vendit thuhej se njëfarë “modele a moderatore përkundër angazhimeve në punë, ka vendosur që edhe gjatë këtij viti t’i përkushtohet muajit të madhërishëm të Ramazanit. Ajo ditën e parë të Ramazanit e ka nisur me mjaft vullnet dhe kënaqësi dhe uron që kështu të vazhdojë edhe më tej.”
E njëjta gjë ndodhi pak më parë me një prej pjesëmarrëseve në “mega-shown” porno-erotik “Big Brother” – Albania, e cila pat deklaruar se i përket religjionit mysliman dhe se librin e shenjtë Kuranin e merr pas vetës gjithmonë, duke e lexuar herë pas here. Ajo thotë: “Unë nuk i lutem Zotit vetëm kur kam nevojë.”
Ajo që i vë kapakun kësaj katrahure është porno-yllthi i famshëm shqiptar, e cila paska “zgjedhur që mos të tundojë zemrat e agjëruesve për muajin e shenjtë të Ramazanit.”
Por, për kë bëjmë fjalë në fakt?
Për hir të diskrecionit të këtij shkrimi dhe muajit të shenjtë të Ramazanit, do të përmbahem nga publikimi i foto dhe video-materialeve skajshmërisht degjeneruese, por mund t’ia qëlloni se për cilat “myslimane” të shquara që me gojën plot përmendin Zotin, Kuranin dhe Ramazanin, bëhet fjalë.
Nga zbukurimi që e ka ligjësuar Allahu dhe i Dërguari i Tij, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, është zbukurimi në rroba dhe veshje. Allahu i Madhëruar thotë: “O bijtë e Ademit, Ne ju dërguam rroba që të mbuloni vendet e turpshme, si edhe për zbukurim; por, petku i devotshmërisë është më i miri. Këto janë disa shenja të Allahut, që ju të merrni këshillë” (Araf 26). Allahu i Madhëruar në një ajet tjetër thotë: “O bijtë e Ademit, vishuni përshtatshëm kudo dhe kurdo që të faleni!” (Araf 31).
Pra, me këtë që u përmend më lart pa dyshim konstatojmë kontradikta të jashtëzakonshme ndërmjet personave në fjalë dhe vlerave e parimeve fetare të cilat duhen respektuar në fenë Islame sa i takon veshjes po edhe çështjeve tjera të cilat doemos të jenë të lidhura ngushtë me njëra-tjetrën për ta bërë besimin në fenë Islame të plotë dhe pa mangësi, siç është vetë Islami.
Ndonëse jo në formë kaq të theksuar, fenomeni i lart-përmendur mund të vërehet edhe në rrethin tonë më të ngushtë duke e bërë muajin e Ramazanit muaj të traditës gjatë të cilit duhet të “agjërohet” për arsye diete, për arsye kompleksi karshi tjerëve, për arsye të ekspozimit nëpër restorante e hane ku shërbehet iftar, dhe për shumë arsye tjera që aspak nuk kanë të bëjnë me qëllimin e vetëm dhe të fundit të këtij muaji – ngritjen e shkallës së devotshmërisë te besimtarët, që është njëra prej gradave kryesore të ngritjes dhe përsosmërisë njerëzore.
Po e përfundoj me një tjetër ajet të Kuranit famëlartë, dedikuar muajit të shenjtë të Ramazanit, i cili thotë: “O ju që besuat, agjërimi (saum) u është bërë obligim sikurse që ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm” (Bekare, 183).
Dhe me haditihin e Pejgamberit (a.s.v.s) i cili transmetohet të ketë thënë: “All-llahu xh.sh. thotë: “Personi të cilit nuk i agjërojnë pjesët e trupit dhe nuk mbrohet nga harami, nuk ka nevojë që të heqë dorë nga haja dhe pija””.
 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version