Me arritjen e marrëveshjes ndërmjet autoriteteve shtetërore të BeH-së dhe Bashkësisë Islame të BeH-së, nëpunësve do t’ju lejohet pauza gjatë kohës së namazit dhe iftarit, si dhe do të kenë të drejtë në ushqim hallall
Përfaqësuesit e Ministrisë për të Drejtat e Njeriut dhe refugjatëve të Bosnjë e Hercegovinës dhe ata të Bashkësisë Islame janë pajtuar rreth tekstit të marrëveshjes ndërmjet BeH-së dhe BI të BeH-së.
Hyrja në fuqi e kësaj marrëveshje do të përcaktojë qartë të drejtat e muslimanëve që të jetojnë sipas rregullave islame, e të cilët janë të punësuar në institucionet shtetërore, tha për “Avaz” kryetari i Komisionit të BI të BeH-së për përgatitjen e kontratës ndërmjet shtetit të Bosnjë e Hercegovinës dhe myftiut të Tuzlës Vahid ef Fazloviç.
Ai shpjegoi se deri më tani shumë pyetje specifike nuk ishin të rregulluara, dhe theksoi se kjo marrëveshje do ta mbush këtë boshllëk, siç ka ndodhur tashmë në rastin e kishave katolike dhe ortodokse.
“Ndër specifikat që janë veçanërisht të rëndësishme për BI janë të drejtat e caktuara që tani do të hyjnë në fuqi. Pra, me këtë marrëveshje besimtarëve u sigurohet e drejta e pauzës gjatë namazeve ditore, gjatë namazit të xhumasë, gjatë kohës së iftarit, dhe të drejtën për ushqim hallall në sektorët publike dhe private. Ata do të kenë të drejtë në pushim në qoftë se duan të shkojnë në haxh, një herë në vit, si dhe të drejtën e veshjes sipas bindjeve të tyre fetare – tha ef Fazloviç.
Zëdhënësja e ministrit për të drejtat e njeriut dhe refugjatëve dhe anëtarja e ekipit për negociata, Saliha Xhuderija, tha se në këtë takim u pajtuan për të gjitha pjesët e marrëveshjes. Ajo shtoi se pas këtij pajtimi marrëveshja do të shkoj në Këshillin e ministrave dhe Presidencë për miratimin dhe pëlqimin e Parlamentit të BeH-së.
“Me harmonizimin e tekstit përfundimtar me BI gjithë qytetarëve u është mundësuar praktikimi i fesë në përputhje me rregulloret e tyre, dhe në përputhje me rregulloret e miratuara nga BeH, si dhe me standardet e reja ndërkombëtare që garantojnë lirinë e shprehjes së fesë”, tha Xhuderija./igj/