Categories
Opinione

"Nëse nuk do t’i shmangesh kënetës, do ta kesh fatin e kallamit"

Të nderuar miq të mi pa tarafe! Nëse këtë vështrim të radhës do ta thur me “llafe të mira”, nuk do të thotë se do të reflektoj gjë. Nuk do të thotë se gjykimet e mia detyrimisht duhet të marrin udhën e së vërtetës, argumentit a ndonjë prove tjetër. Ndaj, që të mos keqkuptohem, do të përpiqem që këtij shkrimi të mos ia fus ashtu, kot fare. Që në fillim po i vë në parantezë dy thënie të mençura popullore: “Nga avllia duket shtëpia, nga e ëma njihet e bija”, (e para), dhe e dyta – “Nëse nuk do t’i shmangesh kënetës, do ta kesh fatin e kallamit!”
Ka shumë kohë që në hapësirat tona intelektuale, politike, kulturore, fetare po edhe diplomatike, dëgjohen ca ulërima të mëdha, të forta, herë pas here të mbytura, të stërzgjatura, të pakontrolluara dhe mbase edhe të “paartikuluara”! Të gjitha këto ulërima janë pjellë e njerëzve që kur nuk i kanë informacionet a provat e sakta, mëtojnë të paragjykojnë çdo gjë, madje çdo të thënë që nuk u shkon për “hesap”. Njerëzit e tillë në vend që të ushtrojnë me ndërgjegje profesionet e tyre dhe në vend që “plehrat t’i hedhin mbi plehra”, ato i sistemojnë aty ku nuk e kanë vendin.
Nëse do të na lejohet, paragrafin e parë të këtij vështrimi, do t’ia dedikojmë fjalorit a të folmes së disa njerëzve që “merren me politikë apo (në variantin metaforik) që politika merret me ta”, si dhe personave përgjegjës që e kanë për detyrë ta vlerësojnë atë të folme (nëse ka diç për të vlerësuar). Ekspertët e gjuhës së sotme shqipe me plot gojën do të thonë se e folura e disa politikanëve (hiq mënjanë politikanët e shtetit amë) nuk është e standardizuar dhe, kur nuk është e tillë, atëherë mbetet që të jetë një komunikim krahinor a një shqiptim dialektor i papërdorshëm, fare pak i kapshëm dhe gjithsesi i pakuptueshëm për opinionin më të gjerë publik. Thjesht, ky “komunikim  politik” i tyre ushqehet me atë gjuhën e “përbaltur”, të përçudnuar, të denigruar (sa për të mos thënë edhe të shkultivuar) dhe, sa herë që e dëgjon aq herë, zorrët të vijnë në fyt… Madje, shpesh “detyrohesh” të mbyllësh veshët dhe sytë! I gjithë ky shtrembërim i gjuhës, kështu siç hetohet, të krijon përshtypjen sikur tmerrësisht dhe pamëshirshëm ka pllakosur të gjitha institucionet që duhet të jenë shembull i përdorimit të drejtë dhe normativ të shqipes standarde!
Prandaj, gjithsecili gjuhëtar i ndërgjegjshëm me të drejtë do të gjurmojë a do kërkojë shkaqet e këtij komunikimi të zbehtë dhe të pavarur të disa politikanëve sidomos atyre që i takojnë gjeneratës më të re. Ndoshta do t’i referohen sintaksës së gjuhës sllave (që ne më të moshuarit, dikur detyroheshim, ashtu pavullnetshëm, ta shkruanim dhe ta flisnim), mandej me të drejtë do t’i referohen edhe “hartës” së përgatitjes së “mangët” profesionale a arsimimit të tyre paraprak fillor, të mesëm dhe akademik. Tekefundit, as “sintaksa sllave, as harta e (mos)përgatitjes profesionale, as shqiptimi dialektor” nuk e justifikojnë këtë katrahurë të foluri të denigruar, po qoftë ai të jetë edhe politik. Duke pasur parasysh se retorika është dhunti, duke e pasur parasysh se ajo nuk mund të ndërtohet brenda një periudhe të caktuar, atëherë së paku duhet të ushtrohet… Sepse  kështu si prodhohet kjo e folur nuk e nderon, nuk e kondicionon, nuk e humanizon dhe as që e fisnikëron postin e politikanit!
Paragrafin e dytë të këtij vështrimi a opinioni gazetaresk po e fillojmë duke iu referuar disa mendimeve të shprehura të “kolumnistëve” shqiptarë, sa i përket politikëbërjes së lidershipëve nga Republika e Shqipërisë, Republika e Kosovës dhe Republika e Maqedonisë, pa dallim se i takojnë përkatësisë fetare ortodokse, katolike a myslimane.., pavarësisht se kanë postin e presidentit të shtetit, kryeministrit, a ministrit të punëve botore. Të gjithë këta “me demek kolumnistë”, në mungesë të njohjes së kësaj problematike, mëtojnë që këmbë e krye t’i paragjykojnë, aq sa të futen padrejtësisht edhe në oborrin e privatësisë së tyre.
Nëse sot e gjithë ditën, shqiptarët karakterizohen me fenomenin e një kombi që ka tri fe (që kombet e tjera nuk e kanë) dhe nëse ata shekuj me radhë ndërtuan atë kështjellën e harmonisë ndërfetare dhe nëse kryefjala e diplomacisë së tyre është relativisht e re, assesi nuk do të thotë se gjendet në fund të pusit të diplomacisë evropiane. Thjesht, nuk duhet lejuar gjithsecilit politikan, që hiqet për mysliman, katolik ose ortodoks të devijojë nga ky koncept, nuk duhet lejuar politikanit, që partisë së cilës i takon ta bëjë më ekskluzive, më përparimtare dhe më tolerante në krahasim me partitë tjera përkundrazi, nga kjo hapësirë duhet përjashtuar çdo majorizim a edhe ekskluzivitet i cilësdo qoftë parti dhe, për këtë e arsye të tjera, nuk duhet lejuar askujt që njërën ta proklamojë parësore e tjetrën dytësore. Së fundi, secili që do të mëtojë të bëjë një gjë të tillë, është njësoj sikur ka prekur në themelet e kombit dhe ata që i prekin ato themele, do të futen në radhët e tradhtarëve të popullit!
Parashtrohet pyetja se kush synon sot ta rrënojë kalanë e tolerancës dhe harmonisë ndërfetare te shqiptarët? Padyshim se këtu do të kenë hise gjithfarë (“hiper”) analistë a kolumnistë oportunistë nga të gjitha trevat shqiptare. Disa të tillë “kolumnistë fluturakë dhe iluzionistë” nga Tirana dhe Prishtina (pa dallim feje) dhe përtej tyre, përpiqen që politikanët shqiptarë (myslimanë) t’i “… paraqesin a t’i konceptojnë si fundamentalistë”!? Këta “me demek kolumnistë” do të parashtrojnë pyetjen idioteske se pse ish- kryeministri i Republikës së Shqipërisë, z. Sali Berisha, dikur i “vardisej” diplomacisë turke si dhe kryeministrit Tayip Recep Erdoğan…, pse sot kryeministri i Republikës të Kosovës, z. Hashim Thaçi e përsërit atë rrugë… Disa “kolumnistë” shqiptarë myslimanë do ta përsëritin pyetjen idioteske: pse kryeministri z. Edi Rama “merr anën e jomyslimanëve”…, pse ish- presidenti i Republikës së Shqipërisë, z. Aleksandar Mojsiu, takonte diplomatë evropianë me përkatësi fetare katolike…, apo pse ish-ministri i Punëve të Jashtme të Shqipërisë, Edmond Haxhinasto, takohej me diplomatë ortodoksë grekë e tjerë. Këtyre kolumnistëve u mbetet vetëm një gjë, nuk duhet majorizuar dhe as minimizuar përkatësinë fetare të lidershipëve shqiptarë, edhe përkundër përpjekjeve të grekëve e serbëve (dhe të tjerëve si ata) që në vijimësi mëtojnë ta zbehin këtë.
Andaj të gjithë analistët politikë, po edhe “kollumnistët” shqiptarë pa dallim feje duhet ta dinë se kjo tolerancë dhe harmoni e lakmueshme sot nuk është “… as mit, as shprehje e zbehtë proverbiale e as shprehje frazeologjike e as idil, as e vërtetë e vockël historike. Përkundrazi, kjo harmoni politike dhe fetare është pjellë e një historie dramatike të shqiptarëve”, siç do të thoshte Ismail Kadareja.
Ata që kanë teserën, po edhe që janë kompetentë për t’u dalë në ballë këtyre abuzimeve që i bëhen të folmes politike të shqiptarit, ata që e heshtin mungesën e tolerancës dhe harmonisë  ndërpartiake e ndërfetare te shqiptarë, nuk kanë të drejtë të heshtin, nuk kanë të drejtë të thonë se kjo nuk na “intereson”, nuk kanë të drejtë që këtë  katrahurë ta ndjekin nga larg, thjeshtë, nuk kanë të drejtë të qëndrojnë mënjanë. Sot, gjithsecili shqiptar që do ta përbaltë, do ta përçudnojë e (të mos themi edhe) që do e shkultivojë harmoninë dhe tolerancën politike te shqiptarët, duhet ta dijë se ashtu pa hiri shkel mbi themelet e kauzës së kombit. Në instancë të fundit nuk kanë të drejtë ta parafrazojnë atë shprehjen proverbiale: “Për inat të vjehrrës, do të fle me mullixhinë!”
Të paragjykosh do të thotë t’ia vësh flakën së vërtetës… dhe, nëse nuk do t’i shmangesh kënetës, atëherë do ta kesh fatin e kallamit! Prej kallamit nuk del gjë!
 

Exit mobile version