Categories
Fetva

Nëse pasi të marr abdes e ndezi cigaren, a prishet abdesi?

PYETJA: Nëse pasi të marr abdes e ndezi cigaren, a më prishet abdesi?
Dr. Bashkim ALIU
PËRGJIGJA:
Së pari më duhet të them se cigaret janë gjë e keqe prej të cilës muslimani duhet të largohet.
Edhe pse ka polemika mes dijetarëve islamë rreth asaj se konsumimi i duhanit është haram apo mekruh, të gjithë janë unanim se është diçka e keqe, e dëmshme dhe e urrejtur. Në veçanti kur kihet parasyshë fakti se sot me të madhe bëhet kampanjë kundër duhanit dhe sqarohen dëmet që i sjell duhani për shëndetin e njeriut, edhe jomuslimani duhet ta bëjë haram për veti duhanin e jo vetëm muslimani. Pejgamberi s.a.v.s. ka thënë:”La darare ve la dirar” që do të thotë se nuk lejohet dëmi i asnjë natyre. Nuk lejohet që as vetveten ta dëmtosh, po as tjerët.
Pas kësaj, them se ndezja e cigares nuk e prish abdesin, sepse nuk bën pjesë në ato gjëra që e prishin abdesin e që janë sqaruar nga dijetarët islamë në librat e fikhut-të drejtës islame.
Mirëpo, muslimani nuk do të duhej ta ndez cigaren pasi të merr abdes, sepse me siguri është përgatitur për namaz. Cigarja i jep një erë të keqe, e ai kur do të shkojë në xhami do t’u pengojë tjerëve, apo atyre të cilët falen pranë tij.
I dërguari i Allahut s.a.v.s. i ka porositur muslimanët që kur të shkojnë në xhami mos hanë hudër, me qëllim që mos i shqetësojnë muslimanët tjerë. Së këndejmi, edhe duhani lëshon erë të keqe dhe i shqetëson muslimanët. Për këtë, duhet që mos të ndizet cigare pas abdesit dhe para namazit edhe për këtë shkak.
Thënë përmbledhtas, muslimani duhet ta len duhanin dhe mos e dëmtojë me të vetveten e t’i shqetësojë tjerët.
Allahu na përforcoftë në të vërtetën.

Exit mobile version