Forumi Rinor Islam – Dega Shkup përmbylli me sukses Seminarin Edukativ Rinor, një aktivitet dyditor që bashkoi të rinj nga qytete të ndryshme me synimin e avancimit të njohurive, zhvillimit personal dhe forcimit të vetëdijes shoqërore e fetare.
Aktivitetet e ditës së dytë nisën me leximin e ajeteve kuranore nga hafizi Tarik Alija, i cili me recitimin e tij krijoi një atmosferë të qetë dhe frymëzuese për pjesëmarrësit.
Në vazhdim, u realizua ligjërata me temë “Morali dhe edukata në Islam” nga hoxhë Fevzi Musliu, i cili foli për rëndësinë e sjelljes së mirë, respektit ndaj të tjerëve dhe rolin e edukatës në ndërtimin e një personaliteti të shëndoshë e të dobishëm për shoqërinë.
Një nga momentet më të veçanta të ditës ishte aktiviteti praktik i realizuar me pjesëmarrësit, të cilët u organizuan në grupe pune dhe trajtuan problematika të ndryshme që prekin shoqërinë bashkëkohore. Përmes diskutimeve dhe analizave, secili grup paraqiti ide dhe projekte konkrete për adresimin e sfidave të identifikuara, duke propozuar mënyra se si të rinjtë dhe komuniteti mund të kontribuojnë në zgjidhjen e tyre. Ky aktivitet nxori në pah kreativitetin, aftësitë organizative dhe ndjenjën e përgjegjësisë qytetare të pjesëmarrësve.
Në pjesën përmbyllëse të seminarit u organizua një test garues, përmes të cilit pjesëmarrësit patën mundësinë të demonstrojnë njohuritë e fituara gjatë gjithë procesit edukativ. Konkurrenca u zhvillua në frymë pozitive dhe motivuese, ndërsa fituesit e vendeve të para u nderuan me shpërblime.
Gjatë dy ditëve të seminarit, të rinjtë patën mundësinë të përfitojnë nga ligjërata të ndryshme, të shkëmbejnë përvoja, të krijojnë miqësi të reja dhe të zhvillojnë aftësi që do t’u shërbejnë në jetën e tyre personale dhe shoqërore.
Përmbyllja e këtij seminari shënon edhe fundin e një cikli edukativ të suksesshëm, duke dëshmuar edhe një herë përkushtimin e Forumit Rinor Islam – Dega Shkup në formimin dhe fuqizimin e rinisë me dije, vlera dhe angazhim pozitiv në shoqëri.
Shkup, 14 qershor 2026
