Emri i tij i është Hasan Ahmed Abd Er-Rahman El-Bena, lini në vitin 1906. Ishte fëmija i parë i familjes që gjithsej kishte 4 djem e 3 vajza. Imam Hasan El-Benna, Allahu xh.sh e mëshiroftë, rridhte nga një familje e varfër, saqë thuhet se e ëma e tij ishte detyruar që të shiste stolitë e pakta që kishte që ti ndihmonte në shkollimin e tij. I ati i tij ishte orëndreqës por në të njëjtën kohe ishte edhe një prej dijetarëve të njohur të asaj kohe veçanërisht në lëmin e hadithit.
Qysh i ri kishte filluar që të përkujdesej për familjen duke i ndihmuar të atit rreth punëve të shtëpisë, edukimit të vëllezërve dhe motrave të tij, ai po ashtu e ndihmonte të atin edhe rreth ndreqjes së orëve.
Çështjen e thirrjes në rrugën e Allahut xh.sh, e veçanërisht thirrjen në të mirë dhe ndalimin nga e keqja, Hasan El-Benna e kishte kuptuar shumë herët andaj edhe si filloristë kishte filluar që të merrej me shkrime në një prej revistave të asaj kohe. Po ashtu merrej me përpilimin e letrave të cilat ua dërgonte njerëzve që aso kohe ishin në pozita e që në përmbajtjen e tyre kishte qortime dhe këshillimi që të largoheshin nga mëkatet dhe të i ktheheshin fesë.
Në librin e tij, ‘’Kujtime nga thirrja dhe thirrësit’’, Hasan El-Benna përshkruan qëllimin e kësaj reviste ku ai si filloristë kishte marrë pjesë dhe se shumë shpejt arrin që të bartë mbi supet e tij edhe udhëheqjen e kësaj reviste, ndër të tjera ai thotë: Qëllimi i kësaj ishte përmirësimi i sjelljes së nxënësve andaj edhe kishin vendosur taksa për çdo vepër që ishte në kundërshtim me kodin e mirësjelljes së shkollës. Këto taksa ishte të ndryshme varësisht prej veprës ndërsa për anëtarët e kryesisë dhe udhëheqësin e revistës këto taksa ishin të dyfishuara. E nëse dikush nuk i paguante atëherë shoqëria distancohej prej tij deri sa të bëhej pagesa. Të hollat e mbledhura nga këto tatime shpenzoheshin për nevoja bamirësie. Gjithashtu kishte filluar që në moshën e re të vizitonte kafenetë, tregjet, stacionet, tubimet e ndryshme që bëheshin në atë kohë e që kishte frekuentim të njerëzve, këto vizita i shfrytëzonte për të thirrur njerëzit në rrugën e Allahut xh.sh dhe për ti ndaluar ata nga e keqja.
Hasan El-Benna, e mësoi Kuranin përmendësh qysh i ri, ishte i njohur për përpikërinë e tij në namaz, vazhdimësinë e tij në namazin e natës dhe agjërimin e ditëve të hëna dhe të enjteve. Shkollën e mesme e kishte përfunduar me rezultate shumë të larta, edhe përkundër vështirësive financiare dhe angazhimeve rreth punëve të shtëpisë, ai ishte renditur i pesti në nivel shtetërorë. Në fakultet u regjistrua në vitin 1923 për ta përfunduar në vitin 1927 dhe ishte i pari në nivel shtetërorë. Ishte shumë i dhënë pas letërsisë saqë thuhet se në provimin shtetërorë kur ishte pyetur se çka dinte përmendësh nga poezia, ai kishte bërë me shenjë nga një grumbull fletorësh që kishte me vete. E kërkuar ishte mësimi i më së paku 100 vargjeve ndërsa thuhet se Hasan El-Benna në atë kohe dinte më shumë se 10 mijë vargje.
Brodhi shumë nëpër vendet e ndryshme të Egjiptit duke u marrë me çështjen e mësimit dhe edukimit të brezave të rinj derisa u vendos në Ismailije ku edhe themeloi celulat e para të lëvizjes ‘’ Vëllezërit Musliman ‘’ në vitin 1928. Qëllimi i kësaj lëvizje ishte njohja, mësimi dhe praktikimi i drejtë i Islamit si dhe të kuptuarit e Islamit si besim dhe adhurim, atdhe dhe shtetësi, falje dhe forcë, moral dhe virtyt, edukatë dhe ligj. Më vonë në Ismailije, ai kishte ndërtuar edhe një xhami, një qendër për anëtarët e lëvizjes, e po ashtu kishte ndërtuar edhe një qendër për edukimin e femrave.
Persekutimet ndaj tij kishin filluar qysh herët, ai për herë të parë ishte burgosur në vitin 1941 vetëm pse gjatë ligjërimit të tij kishte ofenduar sistemin e atëhershëm anglez dhe politiken e tyre gjatë luftës së dytë botërore. Në të njëjtin vit detyrimisht dëbohet nga Kajroja dhe transferohet për në Kuna.
Rreth tij është folur shumë saqë është quajtur edhe ‘’ Ripërtirësi i Islamit në shek. XX ’’, Sejjid Kutbi për të thotë: Realiteti më i madh rreth Hasan El-Bennas është vetëndërtimi dhe vetëformimi i denjë i tij, në veçanti inteligjenca e tij. Ndërsa En-Nedevij thotë: Ishte një personalitet që e befasojë Egjiptin dhe botën mbarë.
Ishte pyetur një herë rreth vetës së tij, ndërsa pyetësi me këtë rast i ishte lutur që ta përshkruante vetën në mënyrë që ta njihnin njerëzit, ndërsa ai ishte përgjigjur: Unë jam një udhëtarë i vënë në kërkim të së vërtetës, një njeri që kërkon shenja orientuese drejt vlerave njerëzore në mesin e njerëzve, një shtetas që shtetit të tij i këndon për fisnikëri, liri, stabilitet dhe një jetë të mirë nën hijen e një Islami të pastër. Unë jam një realistë që e kam kuptuar sekretin e ekzistencës duke bërë thirrje në atë se me të vërtetë namazi im, kurbani im, jeta dhe vdekja ime janë për të vetmin Zot, i Cili nuk ka shoqërues, më këtë jam obliguar dhe unë jam i pari mysliman. Ky jam unë, po ti kush je ?.
Një delegat i Anglisë ishte dërguar tek Hasan El-Benna për ti ofruar gjoja ndihma materiale në vlerë prej 10 mijë xhunej. Imam Hasan El-Benna, Allahu xh.sh e mëshiroftë, kishte filluar të buzëqeshte dhe i kishte thënë se: Ju jeni në një gjendje lufte andaj juve ju nevojiten më shumë se kurrë këto para. Ndërsa kur ishte pyetur nga bashkëpunëtorët e tij për arsyen e mos pranimit kur e kishte mundësinë që me të hollat e tyre të u kundërvihej vetë anglezëve, Hasan El-Benna ishte përgjigjur: Dora që shtrihet ajo nuk mund të godas, dora e nënshtruar ndaj lëmoshës nuk ka forcë të kundërvihet ndaj askujt. Ne do të luftojmë me pasuritë dhe shpirtrat tanë e jo me pasuritë dhe shpirtrat e të tjerëve.
Lëvizja e Vëllezërve Musliman kishte arritur që për qeverinë e asaj kohe të shndërrohet në një fantazmë dhe të bëhej frikë në palcën e tyre derisa nuk u detyruan që me çdo kusht të e shuajnë lëvizjen duke burgosur me qindra anëtarë të saj e po ashtu planifikuan edhe vrasjen e Hasan El-Bennas, Allahu xh.sh e mëshiroftë.
Hasan El-Benna u vra derisa po dilte nga qendra e ‘’ Shoqatës së të Rinjve Musliman ‘’. Në momentin e atentatit ishte i shoqëruar me kryetarin e kësaj shoqate. Ishte nata e së shtunës të datës 12 shkurt të vitit 1949. Atentatorët ishin udhëheqës të Departamentit të Lartë për Krime të rënda pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme. Vdiq dy orë pas atentatit si pasojë e gjakderdhjes pasi që ishte dhënë urdhër në të gjitha spitalet që askush të mos merrej me mjekimin e tij. U varros nën prezencën e madhe të tankeve dhe ushtarëve, tek varri i tij u caktua një roje ngase frikësoheshin prej tij edhe pas vdekjes. Në lagje atë natë ishte ndalur edhe rryma ndërsa familja ishte detyruar ta varrosnin në ora 9 të mëngjesit duke mos i lejuar që funerali të përcillej nga askush e po ashtu ishin ndaluar edhe ceremonitë mortore.
Prej nxënësve të tij më të dalluar janë: Dr. Jusuf El-Kardavi, Muhamed El-Gazali ( i ri ), Dr. Mustafa Es-Sibai, Muhamed Muteveli Esh-Sharavi, Abd El-Kadir Audeh, etj.
Përgatiti: Artan Musliu