Categories
Lajme FRI

Nga kush mbrohen fëmijët në shkollë?!

Si të kapërcejnë pragun e shkollës, sigurimi nuk përgjigjet për çfarëdo që mund t’u ndodhë fëmijëve. “Atëherë, për çfarë arsye duhet të paguajë sigurimin dhe nga kush duhet t’i mbrojmë fëmijët brenda shkollës”, pyet prindi Sevdalli Aliu. Drejtori i SHF “Ismail Qemali”, Agush Kadriu thotë se as shkollat nuk e kanë të lehtë, ndërsa përgjegjësi i paraleleve të mesme të teknikës në Kumanovë, Nexhbedin Saliu, tregon se sigurimi i shkollave kërkohet nga MASH-i
Sa herë vijnë në shprehje ingerencat rreth asaj se kush të emërojë dhe shkarkojë drejtorët e shkollave, apo kush të punësojë më tepër mësimdhënës, Ministria e Arsimit dhe Shkencës dhe pushtetit lokal (komunat) janë në garë të përhershme. Mirëpo, kur është në pyetje shpenzimi i të hollave për shkollat, si MASH ashtu edhe komunat – gjejnë 1001 mënyra për të shmangur obligimin. Në këtë paradoks, nuk bën përjashtim as siguria e nxënësve gjatë procesit mësimor. Barra për të siguruar jetën e fëmijëve në shkollë rëndon çuditërisht mbi prindërit edhe nëpër shkollat publike. 400 deri 500 denarë në vit, është shuma që paguhet për sigurimin e nxënësve nëpër shumë shkolla të Maqedonisë. Në disa shkolla, viteve të fundit, nuk paguhet fare pasi prindërit nuk kanë mundësi ta përballojnë këtë shpenzim dhe nuk është ndjerë aspak mungesa e sigurimit të shkollave nga ana e pjesëtarëve të Agjencive private të Sigurimit. Këta të fundit, me bekimin e MASH-it, janë bërë pjesë integrale e shkollave dhe shpesh herë edhe e biznesit që bëhet mes palëve kontraktuese. “Kemi në shkollë shkresën që para disa viteve është dërguara nga ana e MASH-it dhe në të cilën thuhet se shkollat duhet të kenë sigurim, por se kjo nuk paguhet nga Ministria”, tregon Nexhebedin Saliu, përgjegjës i paraleleve të mesme shqipe të teknikës në Kumanovë. Mbi 1200 nxënësit e këtyre paraleleve mësojnë në një objekt të përbashkët me rreth 1 400 nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri”, në hapësirat e ish-Kombinatit Industrial-Bujqësor. Shkolla, përveç se nuk ka oborr, graviton në një vend tepër të frekuentuar, pasi gjendet afër tregut të gjelbër të qytetit
. “Do të ishte mirë po të kishin në shkollë sigurim. Jo aq për brenda objektit sa për sigurinë e nxënësve rreth shkollës, mirëpo nuk kemi mundësi ta bëjmë këtë.Më tepër se 700 nxënësve vijnë nga familje me ndihma sociale dhe s’kemi se si të kërkojmë prej tyre që të paguajnë të holla për sigurimin. Shkolla nga ana e saj, nuk ka mundësi ta mbulojë vetë këtë shpenzim, sepse edhe pagesat që kërkohen nga ana e Agjencive përkatëse janë të larta”, deklaron Saliu. Kjo, sipas tij, është arsyeja që në paralelet e mesme të teknikës dhe në gjimnazin “Sami Frashëri” në Kumanovë nuk ka sigurim brenda shkollës. Në përpjekje për të siguruar këtë shërbim, thotë se janë duke u bëtë përpjekje që të gjendet një zgjidhje nga Komuna dhe MASH-i, ndërsa me gjithë përmirësimin e synuar të sigurisë rreth shkollës, brenda hapësirave të ish-KIB, përgjegjësi Saliu thotë se nuk është ndjerë mungesa e prestarëve të agjencive të sigurimit.
“Po të kishte sigurim, do të mund të evitoheshin mbase disa dukuri jo të këndshme që ndodhin jashtë shkollës, në rrugë – pra rreth shkollës. Brenda në objekt, mbase mund të mbahej një llogari më e madhe se kush hy dhe del në shkollë, por më tepër kemi nevojë që nxënësit të jenë të sigurt në hapësirat rreth shkollës për shkak se gravitojmë në një vend tepër të frekuentuar, afër pazarit”. Siguria e nxënësve në shkollat publike pa dyshim se duhet të jetë obligim i shtetit. Por ja që siguria e fëmijët duhet blerë nga ana e vetë prindërve. Në shumë shkolla duan ose jo, prindërit vihen para obligimit që të paguajnë nga 400 denarë për sigurimin e përgjithshëm dhe nga 100 denarë për sigurimin personal. Sevdali Aliu, prind i dy fëmijëve në shkollën fillore “Ismail Qemali” në Shkup, thotë se ka katër vite që nuk e paguan sigurimin për vajzën. “Nuk është e drejtë të paguaj. E kam dërguar vajzën në shollë publike dhe jo private”, shprehet ai, ndërsa ngre dilema të tjera.
“Çdo vit na detyrojnë të japim deklaratë me shkrim përse nuk paguajmë dhe bëhen aq të mërzitshëm kur na detyrojnë t’u përsërisim se nuk kemi mundësi financiare. Kanë shtuar tani edhe sigurimin personal, pra 500 denarë gjithsej. Pastaj edhe po të paguajë, janë para të hedhura kot. Si të kapërcejnë pragun e shkollës, sigurimi nuk përgjigjet për çfarëdo që mund t’u ndodhën fëmijëve. Atëherë, për çfarë arsye sigurimi, nuk e kuptoj se nga kush duhet t’i sigurojmë fëmijët brenda në shkollë”, pyetën prindi Aliu. Kadri Agushi, drejtori i SHF “Ismail Qemali”, sqaron se pagesa e sigurimit nuk është e obligueshme për të gjithë. “Familjet sociale, pra që nuk kanë mundësi financiare, janë të liruara nga pagesat dhe në shkollën tonë ka shumë raste të tilla. Përveç kësaj, për prindërit që kanë dy, tre apo më shumë fëmijë në shkollë, ka tarifa shumë më të ulëta të çmimeve”, thotë Agushi. As shkollat, sikurse plotëson më tej ai, nuk e kanë të lehtë. “Sepse, mund të ndodhë që të mos grumbullohen aq mjete të mjaftueshme sa për të mbuluar pagesat që kërkojnë Agjencitë dhe i duhet shkollës pastaj që të gjejë forma për të plotësuar pjesën e mbetur të mjeteve financiare”./koha/

Exit mobile version