Categories
Opinione

Nga Vjena për Parisin dhe Smillkovcin

“Nga Sulmet terroriste më  shumë  dëm  ka Islami se sa çdo kush tjetër”
William Pfaff
Sulmi terrorist në Paris i’u dha shkas disa qarqeve intelektuale maqedonase për të bind opinionin e gjerë se sulmi i tillë qenka i njejtë me vrasjen mizore që u krye para disa viteve në liqenin e Smillkovcit në Shkup.
Një pretendim të tillë e paraqiti edhe ish ministri i punëve të Jashtme të Maqedonisë Antonio Milloshovski, përmes një statusi në profilin e tij me datë 10 Janar, me titull: “Nga Smillkovci në Paris”.
Nëse për Francën dhe Evropën paraqet rrezik radikalizmi islamik, autorja Irena Radovanoviç në një kolumnë të sajë, pohon se i njëjti rrezik ekziston edhe për Maqedoninë.
Madje ajo thekson se në të dyja rastet pra sikurse ajo në Smillkovci dhe Paris bëhet fjalë për sulm terrorist të kryer nga eksremistët islamik.
Rrjedhimisht, kjo nënkupton se në rastin e Maqedonisë terroristët nuk janë me origjinë algjeriane ose nga Mali, por janë shqiptarë, pra “Terrorist islamikë Shqiptarë”.!? Propagandë tipike millosheviçiane e dalë nga moda tash e ca vite.
Vrasja e njerëzve në Paris dhe vrasja e djelmoshave të pafajshëm në Smillkovci pa dyshim se është vrasje makabre. Jeta e njeriut është e shënjtë si në Smillkovci si në Paris, Kobani, Halep, Gaza, e si në çdo vend të botës. Ky është botëkuptimi Islam mbi njeriun dhe jetën e njeriut, pamvarësisht përkatësisë fetare dhe nacionale. Njeriu është krijesë e Zotit të madhërishëm dhe si i tillë duhet të respektohet. Në Islam jeta, nderi dhe pasuria e njeriut konsiderohen të paprekshme.
Konsideroj se janë disa arsye se pse sulmi terrorist në Paris nuk mund ta krahasohet me rastin e vrasjes në liqenin e Smillkovcit:
1) Se si u krye sulmi terrorist në Paris u pa nga e gjithë bota. Në bazë të inçizimit shihet mjaftë qartë se si dy sulmues me pushkë automatike vrasin mizorisht policin e ndjerë mysliman, dhe më pas ngjiten në veturë.Publiku i gjerë nuk ka parë të paktën asnjë foto se si ekzekutohen të rinjtë e ndjerë në liqenin e Smillkovcit.
2) Sulmi Terrorist në Paris u përshëndet nga organizatat terroriste Al-Kaeda e Jemenit dhe nga terroristët e ISIS-it. Vrasja në Smilkovci jo vetëm që nuk u përshëndet nga askush, por të gjithë në Maqedoni u tronditën.
3) Zyrtarët jemenas të sigurisë dhe intelegjencës pohuan se njëri nga sulmuesit – Said Kouachi – në vitin 2011 vërtetë kishte qenë në Jemen, dhe kishte luftuar me Al-Kaedën.
Por ama, asnjë zyrtar i sigurisë apo intelegjencës së ndonjë shteti të Lindjes së Mesme, nuk ka konfirmuar se vrasësit e Smillkovcit paskan luftuar krah për krah me Al-Kaidën në shkretëtirat e Arabisë.!?
4) Gjatë sulmit terroristë në Paris, sulmuesit janë dëgjuar duke bërtitur me zë të lartë: “U hakmorrëm për Profetin Muhammed”, ndërsa pengmarrësi në supermarket justifikonte sulmin ngase ushtria françeze merr pjesë në luftën kundër ISIS-it në Irak, pra motivi i vrasjes në Paris u bë i njohur për opinionin. Ndërsa motivi i vrasjes së pesëfishtë në Smillkovci atëherë e sot është ende i paqartë.
5) Pas sulmit terroriste zakonisht autorët marrin përgjegjesinë. Pengëmarrësi Ahmed Coulibaly përmes një video inçizimi morri përgjegjësinë e aktit, si dhe pranoi  përfshirjen e vëllezërve Kouachi në këtë sulm që tronditi Parisin.Deri më sot askush nuk e ka marrë përgjegjësinë e vrasjes së djelmoshave të rinj në Smillkovci, madje as ata që e vuajnë dënimin.
Andaj, të mos shqetësohet kush se Maqedonia ose Ballkani na qenka i rrezikuar nga sulmet terroriste apo nga “terrorizmi ose radikalizmit Islamik”.  Këtë duhet ta kenë të njohur jo vetëm intelektualët apo politikanët maqedonas apo serb, por edhe politikanët shqiptarë.
Nëse në Ballkan ka terrorizëm, ka terrorizëm ortodoks serb, dhe kjo u pa para disa javëve, kur shtetasi serb dyzet e gjashtëvjeçar Sllobodan Gavriç tentoi të kryente sulm terrorist me 12 kilogram mjet shpërthyes mu në zemër të Prishtinës. Këtij terrorizmi elita politike shqiptare duhet të i rrij gati tash e përgjithmonë.

Exit mobile version