Categories
Lajme FRI

Nismë bujare nga banorët e fshatit Llojan të Kumanovës

Banorët e fshatit Llojan kanë ndërmarrë një nismë bujare për ndërtimin e një biblioteke, e cila do të ndërtohet në oborrin e xhamisë së fshatit. Ideatori i kësaj nisme, hoxhë Jusuf Zimeri, vlerëson se kjo bibliotekë do të shërbejë si frymëzim për lexim e për kërkim të diturisë.
“Fshati jonë po bëhet me bibliotekë dhe me këtë ëndrra e kamotshme e shumë dashamirëve të fjalës së shkruar po bëhet e prekshme. S’ka dilemë në faktin se fshati jonë ka nxjerrë koka të ndritura dhe janë përpjekur që me nder t’i shërbejnë popullit të tyre. Ky vend duhet të dëshmohet se frymon në mesin e librave dhe se ka një trashëgimi të bujshme intelektuale. Tani e kemi mundësinë që edhe praktikisht ta argumentojmë këtë që po e themi, aq më tepër kur e shikojmë çështjen nga aspekti historik. Vendi ku themelohet ky institucion ka një histori të veten, sepse pikërisht këtu në këtë vend, mbi këtë truall u hap edhe shkolla e parë në gjuhën shqipe në fshatin tonë. Përpos këtyre funksioneve, tani kemi mundësi ta shohim dhe ta shijojmë shumësinë dhe llojllojshmërinë e librave buzë këtij oborri. Ky objekt që do të quhet bibliotekë, njëherësh do të shërbejë si frymëzim për lexim e për kërkim të diturisë. Objekti është, vetëm duhet veshur! Duhet investuar, pra duhet meremetuar, lyer, vendosur rafte, dyer e xhama, qilim, pllaka, sistemin e ujit dhe disa pajisje tjera”, shprehet hoxhë Jusuf Zimeri për portalin Almakos.
Këshilli i kësaj nisme përbëhet nga kryetari i këshillit, hoxhë Jusuf Zimerit, Shukri Imeri, prof. Suad Daipi, Qerim Isufi dhe Iljasa Salihu që janë anëtarë të këtij këshillit. Detyrë e këtij Këshilli është bashkërendimi i veprimeve me imamin e Xhamisë së fshatit.
“Puna bëhet mbi baza vullnetare. Kishte të atillë që merrnin pjesë vetëm me punë fizike, të atillë që merrnin përsipër dyert e dritaret, pastaj dikush lyerjen e dikush hapjen e kanalëve për vendosjen e ujësjellsit brenda. Secili në mënyrën e tyre shihet se me plot entuziazëm punonte vullnetarisht. Kjo shihet se ky fshat kufitar që prej kohësh ishte shkëmb i bujarisë dhe i mirëpritjes. Lufta në Bosnje, pastaj ajo në Kosovë, në Maqedoni, ajo në Lindjen e Mesme qe pragu që dëshmoj se ky fshat asnjëherë nuk tha “mbarova së strehuari të pastrehët”, edhe pse nuk duhet përjashtuar faktin se ky fshat ishte edhe pellg i përzierjes së shumë manipulimeve. Sidoqoftë, urojmë që kjo nismë të merr dhenë dhe sa më parë ta shohim një “xhelozi” të qytetit për këtë nismë!”, është shprehur për portalin Almakos publicisti, Iljasa Salihu, njëherit edhe anëtari i këshillit iniciues për ndërtimin e bibliotekës.
Këtë nismë me shumë entuziazëm e kanë pritur gjithë banorët e ketij fshati, sidomos nxënësit, brezi i ri.
“Unë si nxënës kur dëgjova këtë lajm u ndjeva jashtëzakonisht i lumtur. Më në fund në fshatin tim do të kem një bibliotekë ku do të mund të shkojë të lexoj dhe të marrë libra. Kjo nismë besoj se do ia ndryshojë emrin fshatit tim, ngase do të hapim një vatër të diturisë, gjë që garanton progres dhe perspektivë”, është shprehur Agron Shaqiri nga fshati Llojan, maturant i gjimnazit “Sami Frashri”, në Kumanovë.
Në kohën kur edhe në qytet mungon biblioteka për shqiptarët, ndërsa bastoret sportive janë hapur në cdo kënd të fshatrave, ideja për ndërtimin e një biblioteke në fshatin Llojan, është një shembull që do të duhej ta ndiqnin cdo fshat dhe qytet ku mungojnë hapësirat për t’u furnizuar me literaturë shqipe./Almakos
image

Exit mobile version