Categories
Lajme

Një artikull i ri me një gjuhë të vjetër: Piro Misha përsëri për Islamin

Besnik Sinani  
A po rrezikon Islami ekuilibrat e siguruara nga sekularizmi ne Shqipëri? A ka një anësim filo-islamik të politikës shqiptare? Një artikull i gjatë i Piro Mishës Feja, Laiciteti dhe Hapërira Publike, i financuar nga Fondacioni Friedrich Ebert Stiftung, më shërben si ilustrim për të adresuar së pari kriteret e pabalancuara të ligjërimit mbi fetë, dhe së dyti për të komentuar mbi mungesën e observimit të mirëfilltë mediatik të opinionbërësve të këtij ligjërimi paragjykues, gjë që krijon hapsirën për opinione të pabalancuara dhe që ushqejnë frikërat e rrezikut islamik.
Ndryshe nga sa premton në titullin dhe parathënien e artikullit të tij të gjatë, Piro Misha, i rikthehet problematizimit dhe stigmatizimit të Islamit mes shqiptarëve. Pra, edhe pse premton se “objektivi i këtij studimi është të japë një pasqyrë sa më të saktë të mënyrës sesi media shqiptare (kryesisht ajo e shkruar) ka pasqyruar e trajtuar temën e raporteve mes laicitetit (shekullarizmit) dhe vendit që feja (apo simbolet e saj) zënë apo duhet të zënë në hapsirën publike shqiptare” Misha nuk u qëndron korrekt kritereve që ai vetë ka vendosur në përzgjedhjen e materialit mediatik dhe fokusi i autorit mbetet, jo feja në Shqipëri, por Islami.
Siç pritet në një ndërmarje të tillë, Misha cakton një hyrje në artikull me titull Feja dhe Politika. Habitshëm, gjithsesi, në këtë hyrje nuk gjejnë vend, fjala vjen, replika e debatuar në shtyp midis kryeparlamentares Jozefina Topalli dhe ish-Presidentit Topi, në tetor të 2011, një replikë me tone të ashpra krahinore dhe fetare, e cila u komentua në shtyp jo vetëm nga autori i këtyre rradhëve (gazeta Shekulli 2011.10.25) por edhe nga një nga opinionistët më të njohur në vend, si Fatos Lubonja. Në artikullin e Mishës nuk gjejnë vend as zërat në media nga bashkësia katolike, përfshi politikanë e ambasadorë, që në përgatitje të zgjedhjes së presidentit, kërkonin që presidenti i ardhshëm të ishte katolik. Të dy këto raste përbënin shembuj të propozimeve të ngritjes së politikave mbi baza identitetesh fetare, por gjithsesi nuk gjejnë vend në këtë artikull të Mishës. Po atëherë çfarë gjendet nën hyrjen Feja dhe Politika.
Aty gjendet pjesmarja e Berishës gjatë një ceremonie për nder të Profetit Muhamed, një deklaratë e Berishës sipas së cilës Bektashinjtë themeluan doktrinën e shqiptarisë, dhe një gossip mediatik sipas së cilës Shpëtim Idrizi i ka dërguar një SMS Berishës ku thotë: “Allahu qoftë me ne.” Nëse fokusi është tek qoka të tilla politike, atëherë ndoshta do kish qenë me vend të flitej edhe për vizitat e komentet pikante të Berishës në Vatikan, apo qoftë fjalën e ish-Presidentit Topi në tetor të 2011 (Shqip, 2011.10.01) në Konferencën e Ipeshkëve të Evropës e mbajtur në Tiranë, ku Topi deklaroi se ishte Papa Klement XI ai që projektoi zgjimin kombëtar të shqiptarëve!!! Sipas cilave kritere Misha përfshin disa evente të pjesmarjes së politikanëve në eventet fetare por injoron të tjera? A i ka qëndruar Misha besnik kritereve të përzgjedhjes së materialit mediatik, kritere deklaruara nga ai vetë në këtë artikull?
Komentatorë më të balancuar kanë vënë në dukje se Berisha është një politikan pragmatist, që kërkon të marrë vota ku të jenë, me një qëndrim agnostik, pa deklaruar antarësim në asnjë lloj denominacioni. Por nëse do gjykonim vetëm sipas raportit të Mishës, të bazuar në përzgjedhjen e tij të materialit mediatik, krijohet përshtypja e një kryeministri filo-islamik. Përpjekja për të njollosur Berishën duke e ‘islamizuar’ është përdorur në shumë raste nga politikanë të opozitës, por një artikull që vjen me pretendimin e të qenit një studim i fesë në hapësirën mediatike nuk do duhej të ndikohej nga parapëlqimet politike të autorit.
Misha trajton edhe premtimin – ende të parealizuar – për lejen e ndërtimit të një xhamie dhe e interpreton si flirtim të politikës me Islamin (dhe kufizohet vetëm tek e djathta) pa vënë në dukje se, teksa xhamia mbetet premtim, në qendër të Tiranës janë ngritur dy katedrale. Leja e ndërtimit të xhamisë është trajtuar nga Kerem Oktem i Universitetit të Oxfordit si ilustrim, jo i statusit preferencial të myslimanëve në politikë, si bën Misha, por si ilustrim i margjinalizmit të myslimanëve. Autorit duket sikur i ka shpëtuar konteksti, edhe kur ky kontekst është në formën e dy katedraleve masive në mes të Tiranës.
Por edhe kur zgjedh të meret me gazeta periferike, si fjala vjen gazeta Sot, ai vendos të citojë një figurë kontraversiale si Olsi Jazexhi, por nuk gjen asgjë tjetër për të raportuar nga një gazetë ku është bërë thirje që myslimanët të dëbohen nga Shqipëria, që të ndalohen praktika islame si thirja e ezanit, është celebruar masakra e Sebrenicës apo është brohoritur si hero Ander Breivik meqënëse luftoi kundra islamizimit të Evropës. Asnjë nga këto nuk ftojnë interesin e Mishës por ai vendos të sjellë në këtë raport “Islamikun” e tij të preferuar, Olsi Jazexhi.
Duhet shtuar se Misha ka një histori të përdorimit të këtij emri. Në librin e tij Arratisja Nga Burgjet e Historisë, Misha citon Jazexhiun si njeri të paguar nga qarqe islamike. Misha nuk ofron asnjë evidencë për këtë, në një kohë kur i vetmi sponsorizim i njohur për Jazexhiun ishte nga qeveria italiane, që i paguante bursën e doktoraturës në Itali. Shkrimet e tij i paraqet të prodhuara nga ekipe të mirëfinancuara por përsëri nuk ofron asnjë evidencë. Përsëri, si në përzgjedhjen mediatike, ashtu si në etiketimet që vendos për myslimanët, Misha nuk është i interesuar në një studim të balancuar, por në përpjekjen për të trembur publikun me fantazmën e rrezikut islamik në Shqipëri.
Në artikujt e tij prej shumë vitesh, ashtu si në librin e tij Arratisja Nga Burgjet e Historisë, Misha ngre alarme të rrezikut islamik, vendos etiketime dhe gjeneron frikën për rrezikun e supozuar të Islamit në Shqipëri. Në këtë aspekt nuk ka asgjë të re në këtë artikull. Autori e prezanton artikullin e tij si studim, por në të mungon qoftë edhe një qasje minimale metodologjike apo qasje e domosdoshme e terminologjisë. Në një kohë kur të gjithë studiuesit e sekularizmit pohojnë se ky është një koncept fluid dhe në transformin, Misha i referohet modelit të mbretit Zog, gjë që do duhej të ishte e mjaftueshme për të vënë në dyshim besimin e Mishës në idealet demokratike.
Por ajo që duhet vënë në dukje është se një literaturë e tillë islamofobie, e cila nuk i qëndron dot testit të një raporti të balancuar, bëhet e mundur në një terren ku qëndrimet ad hominem nuk kapen e demaskohen në shtyp, ku përgjithësimet dhe reduktimet nuk vihen në shënjestrën e kritikës intelektuale dhe artikuj propagandistikë të ndikuar nga preferenca politike dhe përzgjedhje të pabalancuara materiali shiten për studime. Shkeljet e kritereve bazë të studimeve e artikujve kalojnë pa filtrin e kritikës pikërisht sepse shkrimi i pabalancuar ndaj Islamit në Shqipëri është prej vitesh i toleruar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version