Dikur moti ca intelektualë gjegjësisht disa dashamirës së fjalës së shkruar e kishin pyetur Ismail Kadarenë se pse nuk shkruan poezi, kurse ai ishte përgjigjur: këtë ia lash Dritëroit. Po kur iu drejtuan Agollit se pse nuk merret me eseistikë, ky u kishte thënë: më mungon “takati mental”, “thjesht nuk kam guximin që t’i dal përballë të madhit Faik Konica dhe atij “inatçorit” At Gjergj Fishta”! Poetët, prozatorët, eseistët, analistët, kronistët, po edhe kolumnistët e mirëfilltë shqiptarë, thonë se e kanë shumë vështirë të shkruajnë shkrime me “porosi” (ndonëse disa të tillë, në “vaktin” e Enver Hoxhës, këtë e bënin me shumë “qejf”) dhe, kur “detyrohen” këtë ta bëjnë kësisoj, ata i kaplon a i zapton tmerrësisht ndjenja e “sikletit”!
Meqë nuk jam poet, nuk jam prozator, eseist e as kolumnist, në këtë “shkarravinë” timen gazetareske të radhës, do të bëj përpjekje që të shkruaj për atë nocionin psikologjik, siç është “harresa jonë kolektive” (sa u përket dishepujve, gjegjësisht mësueseve të nënqiellit të Pollgës (ashtu siç e quajnë popullorçe disa rajonin e Pollogut) -Tetovës)…, do të shkruaj për kontributin e tyre rreth emancipimit dhe humanizimit të çështjes së mësimit shqip…, rreth ndërtimit të kështjellës së ndërgjegjes së kombit a kryefjalës së saj, do të shkruaj për mungesën e mbamendjes sonë. Para se të vazhdoj ta bëj këtë, do të më duhet fillimisht t’i referohem poetit tetovar, Mustafa Laçi, i cili në poezinë e tij “Më fal…,” do të qëndisë këto vargje:“Më fal për harresën e emrit dhe ditëlindjen tënde…,/ Zogu (a koha e jonë) n’fluturim ma vodhi kujtimin/Ç’ngjyrë kishin sytë e tu? /Mbrëmë yjet kur i zgjoi nata, ti fleje në shuplakën e dorës sime. / S’të zgjova me nxehtësinë e buzëve/Ç’ëndëronje kur s’të merrte gjumi”?… Do të shkruaj për mësuesen e nderuar nga Tanusha, për mushamanë e tendës prej së cilës dikur moti “pikonte shi mbi buzëqeshjen e nxënësit së saj, që ëndërronte për një kulm, që t’u shkojë të gjitha stinëve”!, siç dikur do të shkruante poeti dhe mësuesi i gjuhës shqipe dhe letërsisë, Murtezan Arifi, në përmbledhjen e tij “BARKA YJORE”.
Në vigjilje të datës së shenjtë të shqiptarëve, gjegjësisht një ditë para 22 nëntorit të motit 2013, unë do bëj çmos që këtë shkrim ta bëj pa “hile”, por me shumë dashuri dhe për dashurinë e mësueseve, të cilat hodhën farën e diturisë dhe të vlerave kulturore te popullata e trevës së Pollgës-Tetovës…, do të shkruaj me gjithë “mundësitë e mia” vetëm e vetëm që e gjithë kjo thënie, të mos mbetet jashtë standardeve të kujtesës sonë pamore a dëgjimore, ndaj emrave që ndërtuan atë kalanë a kështjellën e arsimit shqip…, do të shkruaj për punën fisnike të mësueses Elena Pulati nga Shqipëria, për Çelebije Toskën nga Kosova, për Hyreme Tresin, për Emine Vela-Isakun, për Advije Kuriun nga Mitrovica e Kosovës, do të shkruaj për uskanasen Haxherka Mejdiu-Sabriu, për korçaren Paulina Grabotska, për shkodranen Elena Todi, për korçaren Fatbardha Çaushi, për elbasanasen Lirika Nikolli, për dibranen Shazije Hoxha, për shkupjanet Veronika Bala dhe Ana Sopi, për Dodona dhe Vojsava Ekalin, për Meliha Molinën, për Zejnepe Bejlerin, për Ajshe Gjylçen, për Mensure Hyseinin, për Samie Muhedinin, për Subije Palloshin, Gëzime Eminin, për dibranen Adile Pustina, për Syleja Skenderin, për Hajrije Qamilin, për preshevaren Mysherefe Sadullahu, për Nezija Maleziun, për atë heroinën fatkeqe të gjeneratës së saj, për mësuesen që dikur moti u çatdhesua për t’u degdisur në Dardanele. Do të shkruaj edhe për motrat Nurije Kadriu dhe Ferunde Snopçen, për Sabiha Doka Rexhepin, për Elizabeta Abazin për Luljeta Zeqirin, për Drita Feratin, për Nadire Arifin, për Arife Kamberin, për Shpresa Sinanin dhe për të gjitha shpresat e tjera shqiptare që e gjallëruan dhe e fisnikëruan mësimin shqip (të gjitha mësueset e tjera, që në këtë këndvështrim timin për gazetë, nëse nuk do i gjejnë emrat e tyre le të më ndjejnë, në veçanti mësueset, për të cilat nuk kemi arritur të gjejmë dëshmi gjegjësisht prova biografike). Po kështu do të shkruaj edhe për ata që në vijimësi ishin pranë tyre, për ata që pa u lodhur e mbështetën punën fisnike të mësueseve në fjalë, do të shkruaj edhe për ata që nuk kursyen falënderimet…, për ata që me ndërgjegjshmëri të lartë i përkujtuan dhe që ndoqën punën e tyre në aspekt të procesit edukativo-arsimor, në aspekt të humanizimit, në aspekt të iluminizmit, altruizmit, në aspekt të artikulimit dhe gjallërimit të të mësuarit shqip, shqip dhe vetëm shqip… Do të shkruaj për kontributin a edhe hisen e tyre sa i përket ndërtimit dhe zhvillimit të gjeografisë së arsimit fillor shqip, për gjeografinë e trashëgimisë së tyre familjare e të tjera, e të tjera.
Të gjitha mësueset që i përmendëm në këtë shkrim përjetësisht merituan vend në panteonin e dijes shqiptare. Unë i besoj kësaj. Ndërkaq atyre që i shohin me dyshim a mosbesim dua t’ua rikujtoj atë proverbin e lashtë grek, ku thuhet: “Të bësh një kurorë dafinash është gjë e lehtë. Të meritosh një kurorë me dafina është shumë e vështirë”. Dhe, këta “jobesimtarët”, le të më thonë se cila familje nuk është e familjarizuar me emrat e mësueseve në fjalë…, le të më thotë njeri se kush nuk ka hise në damarin a në gjendjen shpirtërore të mësueseve në fjalë, kush nuk ka hise në gëzimet dhe hidhërimet e tyre…, le të më thotë dikush se mësueset në fjalë, për punën që bënë, a mos vallë nuk merituan diç më tepër…, së paku diçka më shumë se ky shkrim, a nuk siguruan ose a nuk fituan respektet e ndërsjella të prindërve dhe fëmijëve të tyre… Tekefundit, komentet profesionale që i bëhen punës së tyre fisnike, humane, emancipuese, po edhe altruiste, nuk janë subjektive, përkundrazi për bazë kanë kontributin e tyre dhënë shkollës shqipe gjegjësisht, ndërtimit të tërësisë së shkronjave të dala nga Kongresi i Manastirit të harruar!
Që unë ta përmbyll këtë dedikim ndaj kontributit të mësueseve që u përmendën dhe që i përkujtuam më lartë, do t’i referohem kronistit nga Tirana, Todi Lubonja, i cili në librin e tij “PSE HESHT SHTËPIA E MUZIKËS”, pos tjerash, thotë: “Kujtimi ndaj tyre (ndaj mësueseve tonë – nënvizim imi) nuk guxon të jetë i shtrirë si një statujë e ngurosur dhe e rrëzuar…, si një fosil i përjetshëm”!
P.S.
Të nderuar dishepuj dhe ju dritëdhënës, urime festën e Kongresit të Manastirit!
Categories