Categories
Opinione

“Një gardian paksa i përgjumur”!?

Të nderuar lexues, këtë vështrim gazetaresk do ta ndërtoj duke iu referuar një deklarate të presidentit maqedonas, Gjorgje Ivanov, i cili në fjalimin e tij në fund të vitit që lamë pas, veç të tjerash, tha: “…, në rajon ekzistojnë individë me ide radikale që mendojnë për shtete të mëdha! Edhe pse nuk përmendi emra konkretë, kryetari Ivanov si duket këto porosi ia përcolli kryeministrit shqiptar, Sali Berisha, si përgjigje lidhur me deklaratën e tij për bashkimin e shqiptarëve në një shtet, si dhe kryeministrit kosovar Hashim Thaçi, për zotimin e tij se Kosova do të jetë GARDIAN I TË DREJTAVE TË SHQIPTARËVE TË MAQEDONISË”! Si deklarata e parë, njashtu edhe e dyta, të krijojnë përshtypjen kinse përcjellin ca “selame kërcënuese”, kinse askush nuk guxon t’i ngucë shqiptarët që jetojnë në Republikën e Maqedonisë, në Mal të Zi, si dhe në Luginën e Preshevës!? Unë si një qytetar i rëndomtë, jo se (nuk) dua t’u “besoj fjalëve” të presidentit Ivanov, por pse ma do “xhani” që të qeshem me shakanë e radhës të zotit Sali Berisha, për të cilin gojëkëqijtë dhe kundërshtarët e tij do të thonë me plot gojën se ai këtë “mot zgjedhor” e filloi duke ndryshuar fjalorin politik, ashtu thjesht duke bërë nacionalizëm provincial, nacionalizëm zyrash, nacionalizëm të trazuar a të rebeluar e tjera nacionalizma!? Në do më duhet të “zgërdhihem” me shakanë e zotit Berisha, njëkohësisht do më duhet ta “mbështes” idenë e z. Hashim Thaçi lidhur me të ashtuquajturin “gardian nga Drenica”! Sipas Fjalorit të gjuhës së sotme shqipe, fjala a nocioni “gardian” ka këtë kuptim: Rojtar i qelive të burgut. Gardian burgu.
Nga kjo deklaratë e presidentit Ivanov, unë do të bëj përpjekje të (ri) ndërtoj tri tregime. Tregimi i parë llafos ndodhitë e fundit që u hetuan në Shkup, kur huliganët e qelbur maqedonas, pa pikë faji rrahën të rinjtë shqiptarë…, ata këtë e bënë me porosi të politikanëve si dhe me urdhër të prindërve të tyre, të cilët në vijimësi “hiç pa pare” marrin leksione nga teoria e nacionalizmit dhe shovinizmit katundaresk, nga ata prindër që dekada të tëra kanë “akumuluar tepricë lirie të pamerituar, njerëz që kanë tepricë bukë, ata që kanë tepricë parash, ata që hanë me tepricë, kanë tepricë luks, tepricë urrejtjeje patologjike, tepricë megalomanie, tepricë qaramanie e rehatie, tepricë shovinizmi e të tjera mut teprica”.
Protagonisti i tregimit të dytë sipas meje do të duhet të jetë “gardiani komunist” i kasabasë sonë të viteve të gjashtëdhjeta (jo gardiani i kryeministrit kosovar). Unë, me sa mbaj mend, e di se ky “gardian” ishte goxha i sertë. Atij i mungonin dy dërrasa, ai asnjëherë nuk e vinte mendjen në punë, ai shprehej me shumë elegancë, ai aq shumë ishte i aftë sa që të burgosurve me shumë elegancë ua vidhte ushqimet e “thata” dhe cigaret e sjella nga familjarët e tyre. Ai “gardian” me emrin Tripun, lëre që ishte i trashë nga mendja, po njëkohësisht ishte tekanjoz, brekëçjerrë (brekëdhjerë), ishte një idhnak që të krijonte përshtypjen se mendjen e “kishte bruto a toptan” të rrjedhur…, një e kishte të përbashkët… me atë batutën që është “paksa fyese” ku, pos të tjerash, thuhet përafërsisht: “sikur mos të ishte kunji, ky gardiani i kasabasë sonë, kurrën e kurrës nuk do e shihte Stambollin”!? Ai fliste një sllavishte tejet të bastarduar, saqë nuk e merrje dot me mend se vërtet komunikonte bullgarisht, maqedonisht a ndonjë sociolekt të saj. Pavarësisht nga e  gjithë kjo, “gardiani Tripun” punën e bënte me përpikëri dhe pa hile…, ashtu siç e kishte mësuar disiplina komuniste!?
Tregimi i tretë shpjegon “një vaki” që i kishte ndodhur një fshatari të urtë dhe të pambrojtur! Dikur moti një “njeri shpellor” gjithmonë e kishte rrahur bashkëfshatarin e tij i cili kishte qenë shumë i urtë. Këtij fshatari dhe njeriu të qetë sikur i mungonte “integriteti fizik dhe ai moral”… dhe kur këto integritete i mungojnë njeriut, atëherë gjithsecili e ka shumë kollaj ta rrahë kur të dojë dhe sa të dojë…, madje njëkohësisht edhe ta ngarkojë me të shpifura shumë të neveritshme. Fshatari asnjëherë nuk ia kishte kthyer fjalën. Një ditë prej ditësh kishte kaluar atypari një mik i këtij që “hante dajakun”. Ky kishte mëtuar që t’i dalë zot. I ishte drejtuar “shpellorit duke i thënë: “…, hajde të të shoh se si do ta godasësh mikun tim…”!? Shpellori pa një pa dy, filloi ta godasë. Ky prapë iu drejtua, por tani më pyetje kërcënuese: “e po, hajde të të shoh se kësaj radhe a do të mund ta godasësh mikun tim”!? Shpellori nuk ia vuri veshin dhe prapë vazhdoi ta godiste. Çuditërisht fshatari i qetë dhe i urtë kësaj radhe mezi bëri një zë paksa lutës drejtuar mikut të vet: “I dashur miku im, të lus ta mbyllësh gojën se kështu si ke filluar ta kërcënosh “shpellorin me llafe bosh”, ai do të më rrahë derisa t’ia dojë qejfi”!? Duke e përfunduar këtë paragraf të këtij tregimi, më “shkoi mendja” te Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, neni 8, ku, pos të tjerash, thuhet: 1. Republika e Shqipërisë mbron të drejtat kombëtare të popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të saj.., si dhe te z. Sali Berisha. A mos vallë kryeministri iu referua verbazi nenit në fjalë…, apo në instancë të fundit këto deklarata nacionaliste, këto ulërima, këto kërcënime a bërtitje, ishin rezultat i atij fiksimi të tij se s’ka njeri a shtet që do t’i ngucë shqiptarët që jetojnë jashtë kufijve!?? Se a ka apo nuk ka njeri a shtet në këtë Gadishull Ilirik që edhe në të ardhmen do t’i ngucë apo do t’i rrahë shqiptarët, unë nuk e di, por unë e di se të rinjtë shqiptarë, edhe sot e kësaj dite rrihen atypari në anën e djathtë të Shkupit dhe gjetiu. A mos vallë kryeministri i Republikës së Kosovës z. Hashim Thaçi, me “gardianin” e tij do të duhet t’i mbrojë të rinjtë shqiptarë…, së paku ata përtej Urës së Gurit, a mos vallë mbrojtja e shqiptarëve do të bëhet me llafe kafenesh, me muhabete që bëhen nëpër “kapixhike”, me deklarata radikale, me intervista gazetash me tarafe. Së fundi, atdhetaria nuk duron improvizime. Është një fjalë jona e vjetër ku thuhet: “NUK BËHET STANI ME LEPUJ”…, por me dele, shqerra e me çobanë.
Ndërkombëtarët, që kohë pas kohe duken me e pa sebep këtej pari Shkupit, kësaj “vakie” do t’i thonë punë kalamajsh të përkëdhelur!?

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version