Shkruan: Arlinda Ajdini
Netët e vona, lotët rrjedhin lum, ku pikën e bashkimit e gjejnë tek mjekra që po dridhet. Flasin, por jo me zë, ata flasin më heshtje. Pesha e ëndrrave i rëndon damarët e zemrës, sikur në vend të gjakut rrjedhin lotët brenda tyre. Duke u zvarritur mes dëshirës dhe gjendjes së dobët ekonomike për tu kapur për degët e suksesit, dëshira të përvëlon brendësinë deri atë pikë saqë kur shikon prindërit e tu duke u zhytur në motmotet e tyre që u shtohen, e humbet besimin duke fajësuar veten tënde pse nuk u bëra qoftë edhe një herë arsye për t’i lumturuar ata edhe me diçka më të vogël.
Shkaktari kryesor i shumë ëndrrave të thyera në miliona copëza është ekonomiku i dobët, që të shpien drejt një rruge pa fund, ku sfidat të ngufasin, rrëzohesh, qindra pengesa të zënë rrugën, ta vështirësojnë atë. Nuk merr dot frymë. Je strukur nën jorgan, ke të ftohtë, por më shumë urrejtje ndaj vetes.
Përse? Për çfarë? Ku gabon vallë?
Nuk ja ke idenë. Por nuk po gabon askund, e di edhe këtë, nuk është faji yt që nuk kemi ku të mbështetemi. Nuk është faji yt se nuk na zgjat dorën kush. Të vrasin për çdo ditë ato miliona copëza të ëndrrave tua, janë shumë të mprehta, por nuk nxjerr gjak një zemër, aorta e së cilës është tharë nga mërzia.
Po ngritëm në këmbë për herë të fundit, kështu pata thënë për të gjithë herët e tjera që provova, dhe assesi nuk u dorëzova, e as nuk do të dorëzohem. Edhe nëse thahen të gjithë lumenjtë e botës, lotët e të gjithë atyre që luftuan për t’i dhënë ngjyra botës së tyre të vdekur, do të mjaftonin për t’i mbushur sërish. Unë nuk do të ndalem, mos u ndal as ti. Ne së bashku do t’i krijojmë ato ngjyra, dhe një ditë të gjithë së bashku do ta ngjyrosim botën.