Categories
Opinione Shkrime Studenti

NJË HISTORI SUKSESI! – Xhemile Ibraimi

Shkruan: Xhemile Ibraimi

 

Çdo njeri, në një lloj barazimi kimik si mënyrë e konceptimit, është ligandi kryesorë. Shumë është studiuar e thënë për shpirtin, por pak ka informacion.

Kjo sepse shpirti është çështje e Zotit dhe vetëm e tij, dhe neve për të na është dhënë fort pak dije. Shpirti nuk është pjesë e krijuesit, por është krijimi i tij.

Ti dhe unë, nuk do të ishim “ne” pa këtë konstrukt perfeksional. Nëse ti ke kuptuar matematikën e jetës,”eureka” sapo bëra zbulimin e bartësit të titullit “gjeni”.

Reaktantë të gjenialitetit nuk janë zgjuarsia dhe mençuria artificiale, por dëgjueshmëria e fjalëve të personave të konstruktuar dhe formuar me sukses, mençuri, urtësi dhe dituri, kjo pasi ato janë specifike dhe burojnë nga kuptimi i thellë i fjalës së Krijuesit.

Vetë ky precizitet dhe perfeksion që neve na është dhuruar në formimin fizik dhe funksional, është sprovë.

Në këtë moment nuk orientohem dot drejt rrëfimit të sprovave që unë po kaloj, duke përdorur krahasimin me atë që njerëzit e arritur kanë përjetuar.

Jam e vetëdijshme që gjuha na është dhuruar për të shijuar shijen e jetës. Ndihem e privilegjuar për çdo herë që unë kam ndjerë shijen e suksesit, quaj sprovë çastet ku ndjej përshtypjen e hidhur të padrejtësisë.

Këto kohë është jehona e padrejtësisë, që ka prekur gjendjen time shpirtërore. Përkufizimi i fjalës padrejtësi nga pikëpamja ime përfaqëson tejkalimin e kufirit, vendosjen e gjërave jo në vendin e vet, trajtimin përballë mangësisë ose teprimit.

Kam kuptuar që natyra e shumicës së robërve është të veprojnë atë që dëshirojnë, ta nënvlerësojnë kë dëshirojnë dhe si të vijë jeta ashtu ta ndërtojnë.

Sunduesi i çdo universi, padrejtësinë ia ndaloi vetes, kur kjo botë për të vlen sa krahu i mushkonjës. Kush jemi ne që marrim guximin për të nënvlerësuar dikë, kur në të gjithë këtë univers ne simbolizojmë grimcën.

Prej askujt ndihmën nuk e pres, veçse mbështetjes që kam nga ai që kupton thellësinë time dhe të mendimeve të mia më mirë se vetë unë dhe kushdo tjetër. Është po ai që më dhuroi  mendjen e fuqitë e mendimit, dhe profesionet si: arkitekte-për të përpiluar synimet dhe planet e mia, mjeke-për të shëruar shpirtin nga e keqja dhe piktore-që në mendjen time të pikturoj nuancat e diturisë.

Mbi të gjitha posedoj fatin për të dëgjuar zhurmën e të paktën një petali mençurie që zgjon nga letargjia mendjen dhe planet e mia.

Reaksionin që si produkt jep diturinë nuk e kam, por mendoj që studimi, leximi dhe eksperienca janë tre shkallë bazë për të kaluar fazën fillestare.

Ekzistojnë dy ditë në jetën time, ku unë nuk mund të veproj. Ato janë e djeshmja dhe e nesërmja. E sotmja është për t’u jetuar.

Jeta nuk matet me numrin e frymëmarrjeve tona, por me momentet që në memorien tonë lënë gjurmë esenciale…

 

Porosia e gjithë kësaj: ”Asnjëherë mos lejoni që analfabetizmi të bëhet profesioni juaj, dhe dashuroni çdo minutë të ushtrimeve nëse doni që pjesën tjetër të jetës, ta jetoni si fitues”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version