Gjatë gjithë periudhës së punës në Zvicër, mendjen e ka pasur në vendlindje. Ndonëse në Zvicër është marrë me kopshtari, Ibrahim Gashi nga Kamenica gjithë kapitalin e tij e investoi në Kosovë, në një fabrikë për përpunimin e qumështit. “Po të kisha pasur edhe pesë milionë, që të gjitha do t`i investoja në Kamenicën time të dashur. Kënaqem që në firmën time mund t`i punësoj edhe disa dhjetëra bashkëvendës. Nuk pres që secili bashkatdhetar që punon në Zvicër të investojë në Kosovë, por nëse në secilën komunë kursimet e veta i investojnë vetëm nga 20 persona, Kosova do ta zbuste dukshëm papunësinë, ndërkaq të rinjtë tanë nuk do të maltretoheshin burgjeve kufitare të Hungarisë, Austrisë e Italisë etj“, thotë Ibrahim Gashi, pronar i qumështores „Malësia“ në Kamenicë.
Fill pas mbarimit të luftës, Ibrahim Gashi kishte filluar me blerjen e pajisjeve për një qumështore. I pyetur, përse synonte qumështoren kur ai në Zvicër punonte si ndërmarrës i pavarur në një kopshtari, ai e kishte arsyetimin e bazuar në hapësirën gjeografike të Kamenicës dhe mundësinë e sigurimit të lëndës së parë – qumështit. Prej rreth 416 km² sa ka aktualisht Komuna e Kamenicës, pjesa dërrmuese e terrenit është e përshtatshme për bujqësi dhe blegtori. Duke e pasur këtë fakt parasysh, Ibrahimi nuk është hamendur fare për krijimin e një perspektive për atë, familjen e tij, por edhe për shumë familje që do të përfitojnë nga ky „biznes“. Ky investim ka një shumë prej 1.8 milionë frangash zvicerane, të cilat Ibrahimi, fillimisht, por edhe anëtarët e tij të familjes më vonë i kanë kursyer për ta hapur një horizont të ri të punës në vendlindje.
Djali i madh i Ibrahimit, Naimi i cili udhëheq me këtë qumështore, nuk është i interesuar që të dalë në sipërfaqe si biznesmen. Ai më shumë parapëlqen që biznesi i tij të dalë në plan të parë, nga i cili do të përfitojë familja, komuna dhe Kosova. Në këmbënguljen e tij prej drejtori dhe menaxheri, tek ai shihet një nacionalizëm i flaktë ekonomik. Gjithçka që ka mësuar në Zvicër dëshiron ta aplikojë në Kosovë, duke dëshmuar se për Naimin Kosova është mbi të gjitha.
Tre djem dhe një vajzë të bashkëshortëve Ibrahim dhe Imrije Gashit janë shkolluar dhe kanë përfunduar nga një zeje në Zvicër. Ata janë të vendosur që të kthehen në shtetin e tyre tashmë të lirë dhe të fillojnë ndërtimin e tij, duke qenë model edhe për bashkatdhetarë të tjerë gjithandej Perëndimit.
„Dhe, kjo ëshëtë e mundur“, thotë pa mëdyshje djaloshi shtatgjatë Naim Gashi. Nismën e punës në qumështoren e tij „Malësia“ e kishte lidhur me datën Pavarësisë së shtetit shqiptar, pra më 28 nëntor 2013. Një shtysë për këtë nismë Naimi e kishte marrë nga Agjencia zvicerane „HELVETAS  Intercooperation“ e cila kishte bërë trajnimin e 7 punëtorëve, prej të cilëve menjëherë i kishte punësuar 3 punëtorë, duke i lënë edhe të tjerët në listën e pritjes për punësim. Prodhimin e kishte filluar duke grumbulluar në ditët e para nga 400 litra qumësht, për të vazhduar shumë shpejt me nga 1200 litra në ditë. Që nga fillimi i marsit nga 72 fermerë do grumbullon nga 2000 litra për çdo ditë.
Sa i përket cilësisë së qumështit drejtori i qumështores  “Malësia” në Kamenicë do t`u përmbahet kritereve të Zvicrës. Ai nuk do të pranojë grumbullimin e qumështit me më pak yndyrë se 3.2%, kurse furnizuesit joseriozë, të cilët e përziejnë qumështin me ujë, do t`i largojë nga lista e tij e klientelës.
“Unë jam mëse i interesuar që fermerët të trajnohen e këtë do ta bëj në bashkëpunim me organizatën HELVETAS” thotë Naim Gashi, duke aluduar në fitimin e njohurive të prodhimit të qumështit, por edhe në edukimin e fermerëve që ata ta kuptojnë se sot ka pajisje të sofistikuara që aty për aty bëjnë kontrollimin e ujit ose të aciditeteve në qumësht.
Qumështorja “Malësia” aktualisht ka të punësuar 10 punëtorë dhe drejtorin që udhëheq me administratën dhe marketingun. Por, punësimi në këtë rast duhet llogaritur edhe për 72 familje të cilat kanë përfitimet e tyre përmes shitjes së qumështit në këtë qumështore.
“Kur dëgjoj se 72 fermerë, përkatësisht 72 familje e kanë të siguruar shitjen e prodhimit të tyre, unë ndihem shumë i relaksuar, sepse falë punës sonë të përbashkët këto familje flakin varfërinë nga shtëpitë e tyre, e me ato para të fituara ato shkollojnë nxënës, studentë, paguajnë taksa për ndërtimin e shtetit tonë, pastaj trimërohen për rritjen e numrit të lopëve qumështore si dhe bëhen shembull edhe për të tjerët se, ata që punojnë edhe mund ta përmirësojnë mirëqenien e tyre”, shpreh krenarinë e tij ky investitor kosovar nga Zvicra.
Përndryshe, hapësira prodhuese e qumështores “Malësia” është një mijë metra katrorë. Aty vezullojnë pajisjet e ndryshme për përpunimin e qumështit të blerë në tregjet e ndryshme të Çekisë, Zvicrës, Maqedonisë, Kosovës etj., e nga i cili përfitohen prodhime të ndryshme si: kosijogurti, djathi, qumështi i pasterizuar, kumështi, gjiza, ajka etj.
Pas sjelljes së qumështit nga pikat grumbulluese gjithçka fillon me punën e laborantëve, të cilët përcaktojnë shkallën e yndyrës, të aciditetit dhe proteinave në qumësht. Qumështi nga grumbullimi vjen kryesisht me 4.2 % yndyrë dhe pastaj përmes pajisjes përkatëse standardizohet në 3.2%, ose varësisht sipas kërkesave.
Momentalisht çmimi grumbullues i qumështit për një litër është prej 25.6 centë deri në 33.6 centë që konsiderohet të jetë në nivel të çmimit grumbullues në rajon. Interesi i pronarit është që të paguajë çmim sa më të lartë, por edhe të pranojë cilësi sa më të mirë të qumështit.
“Shpesh dëgjoj bashkëvendësit e mi duke thënë se nuk ka llogari të merresh me bujqësi ose blegtori, ndërsa unë u them se p.sh.një prodhues nga fshati Verbicë, me të cilin bashkëpunon qumështorja jonë, brenda muajit arrin të prodhojë deri në 4222 litra që kur shumëzohet me 32.56 centë, del një fitim prej 1.374, 68 €. Ky pra është një fitim që nuk duhet nënçmuar”, shprehet drejtori Naim Gashi.
Sado që kjo qumshtore është në fillim të karrierës, ajo ka arritur ta krijojë një rrjet shitës për të shpërndarë prodhimet finale në komunën e Kamenicës, Gjilanit, Vitisë, Ferizajit, Kaçanikut, Hanit të Elezit e deri në Hajvali dhe pritet së shpejti edhe në Prishtinë.
Gjatë bisedës me investitorin milionësh nga Zvicra, z. Ibrahim Gashin, pyesim nëse ndokush i ka kërkuar ryshfet gjatë procedurave të ngritjes së kësaj fabrike. Ai, duke ngritur vetullat përpjetë dhe paksa buzagaz thotë: “Njerëzit shpesh paragjykojnë, ndoshta dikujt edhe mund t`i kenë kërkuar ryshfet, por mua as nuk më ka kërkuar kush ryshfet e as nuk i kam paguar kujt as pesë centi. Unë do të jem një taksapagues për shtetin tim, për aq sa më takon, por t`i paguaj dikujt ryshfet për një investim që e bëj nga djersa ime, këtë nuk do ta lejoj asnjëherë”.
“Unë jam i lumtur që falë investimit që e kam bërë këtu, po kthehen edhe fëmijët e mi në Kamenicën time të dashur. Prandaj shpresoj që të gjej mirëkuptim edhe me organet komunale dhe ta ndihmojmë njëri-tjetrin“, përfundon Ibrahim Gashi.
Pronari i kësaj qumështoreje shpreson për një rentabilitet të qëndrueshëm, duke pasur parasysh numrin e madh të fermerëve dhe krerëve të lopëve qumështore në Komunën e Kamenicës. Sipas një shënimi të Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, në vitin 2012 kjo ministri kishte subvencionuar fermerët e Kosovës me mbi 2 milionë €, përkatësisht 318 fermerët nga Kamenica me 2637 lopë qumështore  (50 € për lopë) në vlerë prej 131,850 €.

 

A kurseni para për të investuar në vendlindje?

– Po, kam kursyer
51% (33 vota)
– Jo, sepse nuk mendoj të kthehem
34% (22 vota)
– Nuk kam kursyer por ndoshta në të ardhmen
15% (10 vota)
GJITHSEJ VOTIME: 65