Angela Merkel lindi në Hamburg, Gjermaninë Perëndimore.
Babai i saj, Horst, ishte një pastor protestant dhe u shpërngul së bashku me familjen për në Gjermaninë Lindore, në vitin 1954, kur Angela ishte vetëm disa muajshe.
Si politikane Merkeli nuk u ndikua fort nga pikëpamjet fetare, por sigurisht që pozicioni i të atit në kishë pati një ndikim në formimin e saj moral.
Për Merkelin politika ka qenë si një “lule e ndaluar”, e cila nuk mund të lulëzonte në Gjermaninë e “ftohtë” Lindore.
Gjatë rrëzimit të murit të Berlinit në vitin 1989, Merkel, 35-vjeçare, u përfshi në protestat masive për Bashkimin e dy pjesëve të ndara të Gjermanisë.
Për habinë e të gjithëve, gruaja e rritur nën regjimin komunist u bashkua me Kristiandemokratët, pjesa dërrmuese e politikanëve të së cilës ishin meshkuj.
Ajo ishte doktoruar për kimi kuantike, megjithatë do të binte në sy si një politikane e re me nuhatje politike dhe me një të ardhme premtuese.
Merkelit nuk i interesonte shumë pamja e jashtme. Kryeministri i fundit i Gjermanisë lindore, Lothar de Maiziere, e kujton atë si “një shkencëtare tipike, e veshur me pantallona të gjera, sandale dhe me flokë të prera shkurt”.
Në fund të vitit 1990 ajo u bë një anëtare e Bundestagut për CDU-në, partia më e madhe në Gjermaninë Perëndimore.
Më pas ajo shërbeu si Ministre e Mjedisit në kabinetin e Helmut Kohl, si pjesë e nismës së tij për përfshirje të femrave në politikë.
Por në vitin 1999 ajo do t’i befasonte të gjithë, kur denoncoi Kohlin se kishte përdorur fonde sekrete për të shpërblyer miqtë e tij.
Merkel mori drejtimin e CDU-së në vitin 200 dhe u bë gruaja e parë kancelare 5 vite më vonë. Për 8 vite me radhë ajo nuk ka qenë vetëm udhëheqëse e Gjermanisë por e krejt eurozonës.
Kancelarja ka dhënë borxhe për vende në krizë si Greqia, nismë për të cilën disa e kanë mbështetur, e të tjerë e kanë kritikuar.
Me një ngjashmëri të madhe me Margaret Theçerin, ajo është padyshim sot një ndër gratë më të fuqishme në planet.
Me fitoren në zgjedhjet e 22 shtatorit, Merkel hyn në histori si një ndër tre liderët gjermanë të pasluftës me tre mandate, pas Konrad Adenauerit dhe Helmut Kohlit.
/Start/E.SH/
Categories