Ne që (në vijimësi) bëjmë përpjekje, po edhe kohë pas kohe mëtojmë të “shkarravisim” diç për dashamirët e fjalës së thanë a edhe të shkruar, fillimisht kërkojmë ndjesë që do të “fusim hundët” në zanatin e gjuhëtarëve të mirëfilltë. Njohësit e sintaksës së gjuhës shqipe, me bindje të plotë, me kompetencë dhe me gojën plot do të thonë se çdo fjalë, fjali si dhe çdo paragraf i shkruar para se të shohë dritën, fillimisht kërkon që t’i bëhet lekturë e mirëfilltë. Përveç kësaj, është me rëndësi që edhe çdo protokolli t’i bëhet redaktim serioz. Nëse e gjithë kjo i mungon një protokolli, a cilësdo qoftë fjalë të shqiptuar, të shkruar e të botuar, atëherë ai do t’i ngatërronte lehtësisht mendjet dhe perceptimet e njerëzve…. Tekefundit, fjala e shkruar dhe e shqiptuar ka për detyrë të hetojë a të përcjellë mesazhe të qarta dhe të gjalla nga përditshmëria jonë, qoftë ajo pamore, dëgjimore, politike, sociale, kulturore, po edhe religjioze apo quajeni si të doni ndryshe.
Çuditërisht dhe si për inat, Tiranës zyrtare i përsëriten ca vaki të pahijshme, sidomos kur ndërtohen protokollet a edhe kur sillen vendime të rëndësishme, qofshin ato politike, arsimore a edhe kulturore.
Vakia 1
“Dikur moti gjegjësisht me 12 prill të motit 2006 ish-kryebashkiaku i Tiranës, Edi Rama, tani kryeministër në detyrë i dha çelësin e Tiranës dhe e shpalli qytetar nderi këngëtarin nacionalist serb Goran Bregoviq”. Mos vallë Edi Rama nuk e dinte se Bregoviqi ishte një nacionalist i përbetuar serb, mos vallë nuk e dinte se këtë “çelës” nuk e meritoi…, apo, në instancë të fundit, krejt këtë e bëri për hir të “internacionalizmit proletar”!?
Vakia 2
Në vitin 2012 në Tiranë, përzgjidhet…
“Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë e Kosovës dhe Ministria e Arsimit dhe Shkencës e Shqipërisë kanë përzgjedhur në Tiranë shtëpinë botuese me kodin 1002 për botimin e abetares së përbashkët, e cila pritet që të jetë e gatshme në fillim të vitit shkollor 2012/2013”. Fillimisht duhet të themi se kjo abetare teknikisht mund të jetë e përbashkët, por assesi nuk mund të konceptohet si mbarëkombëtare nëse ke parasysh faktin se në ndërtimin e këtij teksti didaktik, nuk morën pjesë shqiptarët e Maqedonisë, të Malit të Zi si dhe ata të Luginës. Mos vallë këtë nuk e kishte në dijeni ish-kryeministri Sali Berisha dhe ministri i arsimit Myqerem Tafaj. Ku ta dijë njeri. Unë hiç nuk e di.
Vakia 3
“Muajin prill të këtij viti, Televizioni Klan ftoi këngëtarin nacionalist serb Zdravko Çoliq që të marrë pjesë në festivalin tradicional “Kënga ime”…, madje ai çmendi një sallë njerëz në TV Klan dhe ndezi opinionin publik”. Vizita e këngëtarit shovinist serb, Zdravko Çoliç, në Tiranë nuk mund të thuash se ishte ndonjë befasi e radhës…, përkundrazi ishte vazhdim i budallakisë kolektive të politikanëve të Tiranës. Do të ishte korrekte sikur kësaj “vakie” t’ia shtonim atë shpjegimin që i dedikohej Goran Bregoviqit dhe nikoqirit të tij. Besoj se i shkon a i përshtatet (së paku sipas mendimit tim).
Vakia 4
“Marrëveshja e shumëpritur për unifikimin e kurrikulave mësimore parauniversitare midis Shqipërisë dhe Kosovës u nënshkrua dje (2.6.2014) në ambientet e Kryeministrisë, në prani edhe të kryeministrit Edi Rama. Ministrja e Arsimit dhe Sportit e Shqipërisë, Lindita Nikolla, së bashku me homologun e saj Ramë Buja kanë firmosur kështu marrëveshjen për kurrikulat mësimore në një ceremoni të posaçme të organizuar me këtë rast… Sot u krye, ia dolëm të unifikojmë sistemin parauniversitar midis Kosovës dhe Shqipërisë…, kjo marrëveshje përbën një ditë historike, u shpreh ministrja Lindita Nikolla”. (Zëri i Popullit) E nderuara ministre Linditë…, unë mendoj se “kjo sot nuk u krye”, së paku për ne që jetojmë këtej kufirit administrativ! Pas krejt asaj që u tha në kuadër të së ashtuquajturës abetare e përbashkët, mendojmë se do të ishte e tepërt që kësaj vakie t’i “qëndisësh çfarëdo arsyetimi tjetër, po qoftë ai të jetë edhe konicanian”!
Vakia 5
Një fjalim (gjithsesi i paredaktuar) nostalgjik, nacionalist apo edhe i “pushtetshëm” u hetua disa ditë më parë në kryeqendrën e shqiptarëve, kur u përurua Kisha katedrale ortodokse shqiptare “Ngjallja e Krishtit”. ”Thashethemexhinjtë” thanë se atë ditë “Tirana për një moment u shndërrua në qendër të ortodoksisë botërore”! Ky fjalim shovinist, nacionalist, agresiv, komik, poaq edhe tragjik, doli nga goja e patriarkut të Kishës Ortodokse Serbe, Irinej, i cili shumë kohë më parë “bekonte paramilitarët serbë për masakrat e njohura të tyre kundër shqiptarëve të Kosovës”. Nuk “harroi” ta përmend edhe atë fjalinë politike dhe nostalgjike se “Kosova dhe Metohija për serbët janë pjesa më e shenjtë”. Se u hetua edhe ajo pjesë ngushëlluese nuk diskutohet, por ama se në të kishte edhe ca paragrafë denigrues dhe poshtërues fajet i ka kryepeshkopi i Kishës Autoqefale Ortodokse Shqiptare, Anastasi, gjegjësisht Fortlumturia e tij Janullatos, mandej Tërëlumturia e tij Patriarku Vartolomeu i Stambollit (i cili lëre që nuk e “kundërshtoi” pjesën denigruese të fjalimit të Irinejit, por edhe e heshti këtë…, komunikologët thonë se edhe “heshtja është një delikt i keq verbal!?), si dhe “protokolli me paterica” e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Shqipërisë. Në fakt Irineji m’u duk sikur të ishte më shumë një politikan, sesa një besimtar i devotshëm serb, më shumë m’u duk si një “iluzionist”, sesa një serb që nuk u hiqet dot kollaj “ëndrrave të superioritetit”…, një njeri që nuk çlirohet nga paragjykimet, njeri që nuk gjykon drejt “vërtetësinë e historive të popujve tjerë”, nuk “asimilon” shpresat, ëndrrat, po edhe iluzionet, se një ditë do ta (ri)pushtojnë Kosovën dhe Metohinë.
Ky vështrim nuk iu imponua artikullshkruesit, përkundrazi iu detyrua ta bëjë si të tillë. Ne në këtë shkrim (jo qëllimkeq) deshëm vetëm ta “rilindim” të vërtetën sa i përket vakisë së Goran Bregoviqit, ndaj vizitës së Zdravko Çoliqit, ndaj asaj “abetares mbarëkombëtare” që asnjëherë nuk u duk këtej pari në Maqedoni, Mal të Zi a edhe në Luginën e Preshevës. Ne në këtë shkrim nuk parashtruam pyetje logjike se pse në “Unifikimin e programeve mësimore” nuk u përfshinë edhe shqiptarët e Maqedonisë!? Ne, në fjalimin e Irinejit nuk “kërkuam” gjymtime sintaksore (s’është korrekte ta bëjmë atë, sepse nuk e njohim atë shtyllë të gjuhës dhe të letërsisë serbe), përkundrazi kërkuam t’i shohim ato argumente historike që pamëshirshëm dhe tmerrësisht denigrohen dhe zhbëhen nga ana e të parit të Kishës Autoqefale Serbe, Irinej, ndërkaq për sa i përket mesazhit që ai e përcolli në fjalimin a retorikën e tij besojmë se të gjithë e kemi të njohur dhe mbase të qartë.
Tekefundit, ky vështrim dhe të tjerët, sa janë personale, poaq janë edhe publike dhe nëse e sheshojnë të vërtetën, atëherë nuk mund të përthyhen, nuk mund të paragjykohen a të mbeten në mjegull. Fjala e shkruar kritike ka nevojë që pareshtur të rilindet. Nëse do të mungojë e gjithë kjo, atëherë fjala e shkruar “do të hyjë në konflikt me vetveten” dhe ashtu pamëshirshëm do ta “ekzekutojë identitetin e saj” dhe definitivisht, do të flakë dhe do të zbehë mesazhin që duhet ta përcjellë ajo. A mos vallë, politikanët e Tiranës, njëherë e përgjithmonë do të duhet që protokollit të tyre t’i bëjnë një “redaktim” ndryshe gjegjësisht paksa më serioz. Fatkeqësisht, këtej pari hapësirave tona akademike dhe intelektuale, nuk duket dot njeri i cili të keqes (që na ka kapur për fyti) t’ia lidhë litarin për qafe?
P.S.
Këtë shkrim ia dedikoj Nënës Nazë, asaj që më dhuroi arsyen!
Categories