Në mungesë të ideve dhe vizionit për t’i zgjidhur problemet reale të qytetarëve dhe shtetit, partitë politike kanë përqafuar një stil të ri të fushat-bërjes në prag të zgjedhjeve, atë të zbulimit të aferave korruptive të njëra-tjetrës.
“Është një moment të cilin e kemi parë edhe më parë dhe është dëshpëruese se për këto 24 vite demokraci parlamentare partitë politike nuk kanë evoluar deri në atë shkallë që të dalin përpara qytetarëve me programin e tyre, t’u drejtohen me atë që ofrojnë si opsion dhe zgjidhje, nëse do të ishin në pushtet”, shprehet për Portalb, analisti Albert Musliu.
Musliu madje shprehej se qasja e tillë e subjekteve politike do të intensifikohet dhe ashpërsohet akoma më shumë me afrimin e zgjedhjeve. “Fatkeqësisht kjo na ndodh për shkak se gjithmonë është më lehtë të fitohen votat duke e njollosur tjetrin se sa duke treguar gatishmëri për punë apo vizione dhe ide të reja”, shton ai.
Për analistin Petar Arsovski, fushata negative dominon jo vetëm tek ne por në gjithë Ballkanin. “Është një trend që karakterizon fushatat parazgjedhore; të njolloset oponenti në vend që të ofrohen zgjidhje, është një strategji që për momentin e përdorin të gjitha partitë politike pa përjashtime”.
Musliu nga ana tjetër sugjeron që partitë të ndërgjegjëson dhe të paktën kur të fillojë fushata parazgjedhore, partitë më shumë t’u drejtohen votuesve se sa oponentëve të tyre politik.
“Por për t’u drejtuar votuesve duhet të dalin me ide konkrete dhe të na bindin se opsioni i atyre është ai që ne do të na e përmirësojë jetën dhe jo se sa të këqij janë të tjerët”, thekson Albert Musliu, analist.
Duke komentuar ‘zbardhjen’ e skandaleve korruptive të ndërsjella nga subjektet politike të cilat ashpërson çdo ditë e më shumë, analistët theksojnë se efekti i tyre do të jetë negativ, përderisa nuk gjejnë epilog institucional.
“Është detyrë dhe e drejtë e opozitës çdo herë ta sulmojnë qeverinë. Por ajo duhet të bëhet në mënyrë të faktuar, përndryshe akuzat e tilla kalojnë në lëmin e spekulimeve. Nëse ajo bëhet pa shije e humb edhe qëllimin”, shprehet Musliu.
Sipas Petar Arsovskit, njollosja e partive përmes këtyre skandaleve do të ul fluksin e qytetarëve në votime dhe do të ndjell cinizëm për partitë politike.
“Problemi më i madh te skandalet është që ato nuk marrin epilog institucional. Kur dikush do të ju akuzoj ose jeni fajtor dhe kjo duhet të vërtetohet në bazë institucionale ose nëse nuk jeni dhe ai që ju ka akuzuar duhet të mbaj përgjegjësi për shpifjen që ka bërë. Por për fat të keq shumica e akuzave që shkëmbehen nëpër pres konferenca këto ditë nuk do të kenë epilog të tillë”, thekson Arsovski.
Sipas analistëve, strategjia e tillë e partive politike dëshmon faktin që Maqedonia një kohë më të gjatë gjendet në krizë politike dhe madje kjo nuk do të mund të kapërcehet as në këto zgjedhje, për shkak të qorr sokakut ku gjendet Maqedonia me të gjitha proceset kyçe për vendin./Portalb
EDITOR
11 years ago
previous article
Terroristët e krishterë skllavërojnë gratë muslimane
you might also like
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
1 day ago