Mundësitë për tregje të hapura dhe integrimin e tyre sipas modelit Benelux në Ballkan do të diskutohen nesër në Tiranë në seminarin “Tregjet e hapura për Benelux-in e Ballkanit”, të organizuar nga Qendra Austriake për Ekonominë, Instituti i Liberalëve Shqiptarë dhe AGREEI (Grupi i Veprimit për Integrimin Ekonomik dhe Europian)

 
Burime nga Qëndra austriake njoftojnë se seminari do të ketë në fokus problemet e integrimit rajonal ekonomik në përgjigje ndaj krizës ekonomike, ku do të marrin pjesë ekspertë nga Shqipëria, Maqedonia, Kosova dhe Mali i Zi, vende që krijojnë një treg me 8 milionë konsumatorë.
Në seminar pritet të diskutohen rrugët për t’u dhënë zgjidhje problemeve që kanë të bëjnë me tregun e lirë në shkëmbimet e mallrave, etj në Ballkanin Jugor.
Për të nxitur tregtinë rajonale, AGREEI, (Grupi i Veprimit për Integrimin Ekonomik dhe Europian), propozon që të zhvillohet Benelux-i i Ballkanit, një treg i përbashkët për 8 milionë njerëz, bazuar në modelet Benelux dhe Visegrad që zbatohen në Europën Perëndimore dhe Qendrore. Krijimi i një tregu të tillë të përbashkët rrit volumin, tejkalon kufijtë dhe mund të tërheqë më shumë investitorë.
Rajoni me qendrat portuale në Bari, Durrës dhe Vlorë mund të jetë një nyje e re europiane si dhe shërben si një bazë e lirë prodhuese dhe logjistike për tregtinë me Kinën, Indinë, por edhe pjesën tjetër të botës me akses në tregjet italiane, gjermane dhe vendet e Europës Lindore.
Në seminar pritet të debatohet mbi rrugët e realizimit të këtij lloj tregu në Ballkan sikurse janë promovime të vazhdueshme të bashkëpunimit dhe konkurrencës mes shteteve, praktikave më të mira të portofoleve të tregjeve të lira, etj.