Një vazo me shumë lule!
Shkrun: Valon Elezi

Ramazani, me të mirat e mëdha që ka, po të kishte formë, do ta imagjinoja si një vazo me shumë lloje të luleve në të. Shumëngjyrëshe! Të bukura. Më të mëdha! Më të vogla! Të kuqe, ngjyrë vjollcë, të gjelbërta, të kaltra, rozë, të bardha, të errëta, të verdha…!
Lulet e Ramazanit si në vazo, janë agjërimi, namazi, dhikri, leximi i Kur’anit, namazi i natës, lutjet, sadakaja, istigfari….! Ka edhe të tilla si dashuria, durimi, qetësia, largimi i nxitimit, ngrënia me masë, kultivimi i pozitivitetit, fjalët e mira ndaj njerëzve, buzëqeshja, toleranca…!
Dhe mund të zgjedhësh cilën lule don ta marrësh dhe ta posedosh. Apo ndoshta, don që nga vazoja e quajtur Ramazan të marrësh disa nga lulet dhe kur t’i kesh afër teje, t’u marrësh aromën e pastaj aromën e këndshme ta mbash në vete.
E lulet kanë edhe të fshehtat e veta, që janë bukuria dhe mrekullia e luleve. Lulet kanë fara, kanë trup, kanë gjethe, kanë mbështjellës…! E pra, çdo lule që e marrim në vazon e Ramazanit, duhet ta marrim tërësisht dhe të kompletuar, me atë çfarë shohim në të dhe atë çfarë ka në brendësinë e saj!
Nëse vendosim për lulet e agjërimit, namazit dhe leximit të Kur’anit, atëherë duhet që edhe pas Ramazanit t’i ruajmë dhe t’i ujisim siç duhet që të mos thahen.
E nëse vendosim të marrim edhe lulet e istigfarit, lutjes dhe namazit të natës, atëherë edhe ato duhet t’i vendosim në një vazo dhe ti mbajmë në shoqëri me rrezet e diellit.
E nëse marrim lulet e durimit, qetësisë, kultivimit të pozitivitetit, atëherë, duhet të bëjmë kultivimin dhe shumimin e tyre në bahçen tonë.
E kur marrim nga vazoja e quajtur Ramazan edhe lulet e dashurisë, buzëqeshjes, fjalës së mirë, sadakasë, atëherë duhet t’i kultivojmë në bahçen më të madhe që kemi dhe pastaj të dalim dhe të njëjtat t’ua dhurojmë njerëzve me dashuri.
Vazoja e quajtur Ramazan ka shumë lule, ndërsa dheu ku gjenden rrënjët e këtyre luleve është dera e xhennetit e quajtur Rejjan!
Uji me të cilin ujiten lulet e vazos së quajtur Ramazan, është imani.
Dielli që ju jep dritë këtyre luleve është Kur’ani!
Ngjyrat e bukura dalluese luleve të vazos së quajtur Ramazan, ua jep namazi.
Qëndrimin e të gjitha këtyre luleve së bashku në një vend, në vazon e quajtur Ramazan, e bën të mundur vetëm dashuria.