Dhe, nëse vetë nuk i japim rëndësi vetes, si mund të presim që dikush tjetër ta bëjë këtë! Prandaj, marrëdhënia jonë me veten është marrëdhënia më përmbushëse që mund të kemi.
Shkruan: Shqipe Palloshi
Ky libër më ka rënë në duar tamam në kohën e duhur. Mu në kohën kur nisa të humbem në obligimet e përditëshme, aq sa çdo minut të ditës e kisha të mbushur më diçka, a unë vetë ndihesha bosh. “Një minut për veten” (nga Spencer Johnson) më nxorri nga ky lëmsh!
I tërë libri, apo më mirë thënë, libërthi, flet për një gjë shumë të thjeshtë, por jashtëzakonisht të fuqishme dhe revolucionizuese: Për t’u ndjerë më i lumtur dhe për t’i bërë edhe të tjerët të ndihen të tillë, duhet të kujdesesh më shumë për veten, të ndash të pakten një minut çdo ditë për veten tënde! Si? Ja disa citate që e përmbledhin këtë ide:
“Ai minut i thjeshtë e i shpejtë gjatë të cilit vështron dhe mendon për sjelljen dhe mendimet e tua çon drejt diçkaje shumë më të fuqishme. Më shpie brenda meje për ta dëgjuar urtësinë time të brendëshme.”
“Ndarja e një minuti disa herë në ditë për t’u ndalur dhe për të menduar se ç’bëj, është si ndalja para semaforit. Drita e kuqe më ndihmon të arrij pa telashe atje ku jam nisur.”
“Pra, me vetë faktin që ndalesh dhe shikon, e mënjanon mundësinë që të përplasesh në diçka (apo dikë) dhe të lëndohesh.”
“Një minut për veten” flet për atë se ne të gjithë e dimë ç’është më e mira për ne. Por, për ta kuptuar këtë duhet të ndajmë kohë të mjaftueshme për të biseduar me veten tonë. Të futemi në botën tonë të brendëshme, në atë botë të qetësisë dhe urtësisë në të cilën gjendet “uni ynë më i mirë”. Kur ta bëjmë këtë, do të arrijmë t’i shohim më qartë gjërat rreth nesh dhe do të jemi të aftë të marrim vendime më të mençura. Kjo s’do të thotë se bisedën me veten duhet ta bëjmë medoemos për të ndryshuar. Një çasje e këtillë thjesht na mundëson të bëjmë zgjedhje të vetëdijëshme. Kjo praktikë na mundëson të krijojmë baraspeshë në jetën tonë: të kujdesemi për veten aq sa kujdesemi për të tjerët (familjen, punën, miqtë) dhe kështu nuk ndihemi të frustruar – sepse ia japim vetes hisen që e meriton.
Pra, me ndarjen e një minuti për veten për të kuptuar se çfarë në të vërtetë duam dhe për t’i përmbushur nevojat tona personale, arrijmë ta krijojmë ndjesinë se kujdesemi për veten, dhe për rrjedhojë, nuk jemi të frustruar. Ndërkaq, kur nevojën tonë për dashuri dhe përkujdesje kërkojmë ta plotësojmë vetëm nga marrëdhëniet me të tjerët, kjo rezulton me lëndim e dhimbje, sepse askush nuk mund të na kuptojë dhe të kujdeset për ne aq sa ne kemi nevojë – sepse vetëm ne vetë e dimë sa kemi nevojë! Dhe, nëse vetë nuk i japim rëndësi vetes, si mund të presim që dikush tjetër ta bëjë këtë! Prandaj, marrëdhënia jonë me veten është marrëdhënia më përmbushëse që mund të kemi.
Por, çfarë ka të bëjë kjo me lumturinë e të tjerëve? Si mund t’i bëjmë të tjerët të ndihen më të lumtur duke u kujdesur për veten tonë? Thjesht! Me kujdesin për veten, njerëzve rreth nesh u japim një dhuratë të mrekullueshme: “unin tonë më të mirë”! U japim një “unë” më të lumtur, më të qetë, e rrjedhimisht, një unë që është më i kujdeshëem , më i dashur dhe tolerant ndaj të tjerëve. Kjo sepse kur jemi në harmoni me veten, e kemi shumë më të lehtë t’i harmonizojmë marrëdhëniet edhe me njerëzit përreth nesh. I lumturojmë të tjerët në atë mënyrë që, duke u kujdesur për veten, nuk rrezikojmë të mos e shohim dritën e kuqe në semafor, e të përplasemi me ta pa dashje.
Dhurata tjetër të cilën ua japim të tjerëve është motivimi që edhe ata të kujdesen për veten, me çka i mësojmë edhe ata të jenë më të qetë dhe më të lumtur. Dhe kjo krijon marrëdhënie të shkëlqyera mes nesh, sepse kur secili ta nxjerrë në sipërfaqe “unin e vet më të mirë”, atëherë kënaqemi me “unin më të mirë” të njëri-tjetrit.
Dhe dobia e fundit e kujdesit për veten: një botë më e bukur! Kur kujdesemi për veten, e shohim botën ndryshe. Kur krijojmë paqe brenda vetes sonë, të njejtën e reflektojmë edhe jashtë vetes dhe nuk na frustrojnë rrethanat e jashtme. Dhe, kur të ndihemi të përmbushur, atëherë do të kujdesemi më shumë për njerëzit rreth nesh. E kur secili nga ne ta bëjë këtë, atëherë do të kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin. E, a nuk do të ishte më e bukur bota sikur t’i kushtonim më shumë vëmendje dhe kujdes nevojave të njëri-tjetrit!? Fundja, bota është një makrozom i mikrozomeve tona vetjake, dhe ajo që krijojmë brenda nesh, herët a vonë do të manifestohet edhe në botën që na rrethon. Pra, paqa në botën tonë të përbashkët fillon nga paqa në botët tona personale.
Për fund, fuqishëm jua rekomandoj ta lexoni “Një minut për veten”. Do të habiteni si një libërth njëqindfaqesh, që flet për diçka kaq të tjeshtë, do të arrijë të krijojë rezultate të mahnitëshme në jetën tuaj.
Deri sa ta gjeni librin, filloni që tani të ndani nga një minutë në ditë për veten tuaj. Që të mos ecni në të kuqe.
admin
11 years ago
previous article
O i Dërguar!
next article