Dr. Bashkim Aliu

Këtyre ditëve, muslimanët kudo që gjinden, e shënojnë fundin e vitit 1437 të hixhretit dhe fillimin e vitit të ri të hixhretit 1438, duke i drejtuar lutje Allahut të Madhërishëm që ky vit në të cilin po hyjmë, të jetë më i begatshëm dhe më i mirë, më më rezultate pozitive për umetin islam, e që umeti duhet t’i realizojë në këtë vit, jo se vetë viti do t’i sjellë, dhe duke uruar njëri-tjetrin për çdo të mirë në këtë vit dhe në vitet që do të pasojnë, gabimtarët të pendohen, të mirët ta shtojnë mirësinë, të devijuarit të drejtohen në rrugën e drejtë, të gjithë ta llogarisim veten dhe të shohim se çka kemi lënë pas vete, në vitin të cilin po e lëmë. Realisht, muslimani këto pyetje për vetveten duhet t’i bëj çdo ditë, e jo vetëm me rastin e vitit të ri të hixhretit, ngase llogaritja e vetvetes duhet bërë çdo herë, por, pas llogaritjeve të përditshme, për atë që kemi bërë në ditën që e kemi lënë, është e rrugës që të bëjmë edhe llogaritje vjetore, që ta analizojmë atë që e kemi bërë në vitin të cilin e lamë pas. Por, e gjithë kjo, nuk duhet të jetë thjeshtë për kuriozitet, por, për të bërë hapat e nevojshëm në drejtimin e duhur për konsolidim shpirtëror dhe material, për përmirësim të asaj që duhet përmirësuar, dhe shtimin e të mirave të cilat i kemi bërë deri tash. Me theks të veçantë, muslimani i cili është i gjallë, duhet ta falënderoj Allahun që ia dha rastin ta mbrij edhe këtë vit të ri, me qëllim që të pendohet dhe përmirësohet, ngase kjo është begati e madhe e Allahut për të, dhe këtë muslimani duhet ta bëjë çdo mëngjes dhe mbrëmje, ngase çka nëse vdiste pa u penduar? Si do ta takonte Allahun e Madhërishëm, dhe si do të qëndronte para Tij në Ditën e Llogarisë? Për atë, në çdo mëngjes dhe mbrëmje, dhe në fillim të vitit të ri, le ta falënderoj Allahun që i dha jetë dhe hapësirë për t’u penduar që të del faqe bardhë para Tij, dhe t’i përmirësoj punët, që të jetë në shërbim të së vërtetës dhe të drejtës, me çka edhe në këtë botë do të jetë faqe bardhë.
Nga ana tjetër, në rrafshin e gjendjes së muslimanëve, si umet, ka mjaftë zhvillime dramatike të cilat mund të diskutohen në disa dimensione, si: politik, luftarak, fetar, human etj. Umeti islam, edhe këtë vit të ri të hixhretit, e pret me dhimbje, plagë, vrasje dhe shkatërrime e dhunë permanente që po ushtrohet mbi të në anë të ndryshme të botës. Mendoj se çdo njëri e ka të qartë zullumin që po ndodh në tokën e Shamit, Irakut, Palestinës, Jemenit etj., duke mos i harruar edhe muslimanët të cilët pësojnë në vende tjera të ruzullit tokësor. Së këtejmi, themi se muslimanët, edhe këtë vit të ri të hixhretit, e presin me halle dhe vuajtje të vjetra, por edhe me të reja.
Nuk është e pa njohur ajo që po ndodh me muslimanët në tokën e Shamit dhe Irakut në veçanti. Halli i vjetër i muslimanëve ishte agresioni i forcave amerikane në Irak që nga viti 2003, kur intervenimi i tyre e shndërroi Irakun në një lum të madh që rrjedh gjak muslimani, dhe falë poklitikave të tyre të gabuara, apo qëllimisht të shtrembëruara, bënë ndarjen e thellë të Irakut në baza rajonale, etnike dhe sektare, duke i bërë me këtë një shërbim të madh Iranit, të cilit i dhanë pushtet të pakontestueshëm edhe në Irak, dhe duke majorizuar në mënyrë të skajshme Sunitët për llogari të Shiitëve, të cilët, si rezultat i politikave të tilla në Irak, ushtruan dhunë të pa parë deri më tash mbi sunitët, gjë që e kanë dëshmuar edhe organizata të ndryshme për të drejtat e njeriut, e jo vetëm sunitët e Irakut.
Po ashtu, hall i vjetër i muslimanëve në tokën e Shamit ishte edhe regjimi kriminel i Asadit, i cili për çudi, nuk u ndëshkua deri më tash, edhe përskaj krimeve të qarta dhe të dokumentuara që po bën mbi muslimanët në tokë e Shamit. Dhe që është mjaft simptomatike në rastin e Sirisë, me regjimin e Asadit, nuk u veprua sikur me regjimin e Gadafit, ngase me të shpejtë Këshilli i Sigurimit i OKB-së shpalli zonë të ndaluar të fluturimeve mbi Libi, gjë që nuk e bëri në rastin e Sirisë. Dhe kjo të bën të pyesësh: A thua pse? A thua vallë kjo nuk është sinjal për të që të vazhdojë me sulmet ajrore kundër muslimanëve sa të mundet?! Po jo vetëm kaq, a nuk mund të gjurmohet një lidhje mes këtij pasiviteti dhe ndërhyrjes së Rusisë edhe ushtarakisht me sulme kundër muslimanëve në Siri, pa marrë parasysh se si kamuflohen këto sulme, dhe për kë pretendohen se janë të drejtuara? Si duket, pas vrasjeve të regjimit të Asadit, si hall i vjetër, erdhi edhe intervenimi Rus si hall ri, e që në të gjitha rastet, emëruesi i përbashkët i sulmeve të të gjitha palëve është derdhja e gjakut të muslimanëve në tokën e Shamit. Këtu nuk kursehen as sulmet e aleancës veriatlantike, ngase ata nuk intervenojnë kundër atij që duhet, pra regjimit të Aasadit, i cili është përgjegjës kryesor për krimet në Siri, por kundër palëve tjera, me çka vetëm se i bëjnë shërbim regjimit kriminel të Asadit, duke e tërhekur vëmendjen nga ai tek palët tjera dhe duke i dhënë kohë të vazhdojë me krime.
Personalisht, mendoj se intervenimi i Rusisë drejtpërdrejt, ka mundësi të jetë një plan i përbashkët me Nato-n për ta rikthyer pushtetin e Asadit përsëri, që pastaj ai të tërhiqet duke u formuar një qeveri e koalicionit të gjërë, e cila do ta ketë për obligim ngulfatjen e rezistencës së mirëfilltë islame, instalimin e vazalëve properendimor dhe prorus në qeverinë kalimtare, dhe njollosjen e xhihadit, duke u munduar që ta paraqesin xhihadin, e jo Asadin, fajtor për gjendjen në Siri. Mund të ketë edhe plane tjera, apo të mos u shkoj në vend ajo që e kanë planifikuar, por edhe kjo që e lexoj unë, nuk është jashtë loje, dhe sido që të jetë, diçka dihet: e gjithë bie mbi shpinën e muslimanëve.

HIROSHIMA, BERLINI, BAGDADI E DAMASKU, ME SHPRESË
Muslimanët duhet ta kenë burim frymëzimi Kur’anin dhe Sunetin pejgamberik, dhe kjo është e qartë, por, është normale që pas këtyre dy burimeve, të përfitohet edhe nga përvojat e mira të popujve tjerë.
Muslimanët nuk guxojnë që t’i humbin shpresat, ngase Allahu i Madhërishëm na urdhëron që mos i presim shpresat në mëshirën e Allahut, por, që ne duhet të punojmë ta meritojmë. Po ashtu, me rastin e Hixhretit të Muhamedit s.a.v.s., në momentet më të rënda të tij, ai na dha shpresë. Kështu, derisa ishin duke udhëtuar me Ebu Bekrin r.a., për në Medine, ata i arriti Suraka, i cili u ishte vënë pas që ose t’i vret, ose t’i zen të gjallë, e me këtë ta fitojë shpërblimin e idhujtarëve mekas. Megjithatë, Allahu nuk deshi ashtu, por deshi që Muhamedi s.a.v.s., të shpëtojë, dhe e shpëtoi. Në ato momente të rënda, kur Muhamedi s.a.v.s., ishte ende rrugës, ende pa shtëpi dhe pa arritur në cakun e duhur, na dha mesazh të madh për shpresë duke i lënë porosi Surakës, pasi që ky kaloi në Islam, që t’i merr bylyzykët e mbretit të Persisë, kur muslimanët do ta çlirojnë Persinë. Pra, imagjinoni, ende duke qenë rrugës, ende pa arritur fizikisht te vendi për ku ishte nisur, Muhamedi s.a.v.s., hapi për muslimanët horizonte shprese, duke ua shtuar vullnetin dhe elanin, dhe duke i lëvizur drejt majeve, me atë që ky umet do ta mposht një nga perandoritë më të mëdha në histori, Persinë. Dhe kjo u bë realitet, ngase ai ishte i dërguar i Allahut, dhe nuk fliste me hamendje.
Ky duhet të jetë një mesazh i madh shprese edhe për muslimanët e sotëm, të cilët me besim të fortë, vepra të mira, devotshmëri, mësim dhe punë të palodhshme, duhet ta rikthejnë umetin në vendin që e meriton në botë.
Po pastaj, të ndalemi e të shohim çka ndodhi me popujt tjerë. Vallë, a nuk gjuajtën amerikanët bombë atomike në Hiroshimë dhe Nagasaki, gjë që nuk e kanë bërë muslimanët, edhe pse kanë, gjegjësisht e posedon Pakistani, dhe a nuk bë Berlini rrafsh me tokën në Luftën e Dytë Botëtore? Përgjigja është po, është e saktë. Mirëpo, çka bënë japonezët dhe gjermanët, a qëndruan duarkryq? Sigurisht jo. Edhe pse e përjetuan atë që e përjetuan, iu përveshën punës dhe e rindërtuan vendin e tyre. Së këtejmi, ne muslimanët duhet të marrim shembuj edhe prej këtyre, dhe mos të rrimë duarkryq. Ne, me besim në Allahun, me devotshmëri dhe përkushtim, me punë dhe mund, duhet ta rindërtojmë Bagdadin dhe Damaskun (lexo dhe çdo vend tjetër tonin), se ne jemi më meritor për këtë, pasi e besojmë Allahun, dhe në asnjë rast, nuk duhet të dëshprohemi dhe t’i humbim shpresat. Jetojmë në kohë të rënda, por besimtari i vërtetë, asnjiherë nuk i humb shpresat dhe nuk dorëzohet para sprovave.
O Allahu, bëne këtë vit të ri të hixhretit më të mirë se viti që lam pas, dhe vitet e ardhshme, edhe më të mirë se ky. Na udhëzo në atë që është më e mirë për ne në të dy botërat, na dhuro vullnet për punë, pendim, durim, guxim, maturi dhe urtësi, dhe na shpëto në të dy botërat.