Nga minaret e larta ezani i thërret zemrat
Në Çarshinë e Vjetër kanë mbetur veç emrat
Të kam pritur nën strehët e Bit Pazarit dhe në brigjet e Vardarit
Jam lutur për ty me përvujtni te vendi i xhamisë Burmali
Te ura prej guri me ngjyrat tona një tjetër pamje pikturohet
Ajo që i dhamë qytetit, sot nga qyteti harrohet
Disa jetojnë për të harruar e ne harruam të jetojmë
Ne brendi të qenies kalben gjynahet tona dhe kundërmojnë
Ajo që jeta ka gdhendur në zemër, aty ka për të mbetur
Kur zemra qan për atë që ka humbur, shpirti qeshë për atë që ka gjetur
Eja dhe më gjej në zemër të Vilajetit ku lulëzonin buzëqeshjet e të parëve
Më bëj të mos harroj se lavdërimi me të vdekurit është turpi i të gjallëve.
Një çast durimi në zemërim, largon njëmijë ditë pikëllim
Nëse ndarja është ikje, edhe takimi është kthim
A ke fuqi të trokasësh edhe një herë në derën time
e të m’i kthesh pranverat që u thanë në lotin tim?
A ka forcë dora jote të ma fshij këtë lot se dua të qesh sot
Është festë dhe njerëzit sërish zhurmojnë në çarshi e pazar
A s’e meriton buzqeshjen tënde dikush që për ty ka qarë?
Dashuria nuk buron nga mendja, prandaj s’mjafton veç të mendosh për mua
Në Shkup veç dhimbjeve të mia, janë edhe gëzimet tua.
A ke frikë me u burrnue edhe pse ke kaluar motet?
A ke turp të buzqeshësh pranë meje që t’i fala lotët?
Në dyert e vjetra u shkrua një emër i ri,
Emri yt u fshi sepse mungoje ti
Dikush tha se kjo derë sado që është e vjetër
Asnjëherë më parë s’ka pasur emër tjetër
Pleqtë e urtë të çarshisë e lanë një fjalë në vilajet:
“Rrena që thuhet nji herë, rrenë ka me mbetë,
po u tha njiqind herë, dikush e beson për t’vërtetë.”
Nata t’i ka mbuluar gjynahet që i bëre ditën
S’duhet ta mallkosh errësirën, mjafton ta ndezësh dritën
A t’ka mbetur një pikë mëshirë të ma thuash një fjalë të mirë?
Fol një herë si atëherë kur flisje me fjalët e dijetarëve,
Fol dhe ma ngjall zemrën me gjuhën e urtë të të parëve:
“Luani veç me gjahun e vet, veten e ushqen
E dhelpëra dinakërisht gjahun e tjetrit rrëmben”
Nëse nuk je luan a duhet të bëhesh dhelpër?
Që të jesh ti i lumtur, a duhet të vuaj unë patjetër?
A duhet veç t’i shoh vendet tona nga kalaja e vjetër
E mallin e takimit ta kthej veç në germa të shkruara në letër…
Ezani i fundit i ditës thërret nga minarja e lartë
Thotë kujdes nga helmi që ta hodhën në mjaltë
Thotë se të iku edhe një ditë e kësaj jete,
Kudo që të shkosh trupin duhet ta marrësh me vete
Thotë se bima e budallallëkut nuk do të rritej,
nëse nga asnjë i mençur nuk do të ujitej.
Thotë se një ditë e lumnueme vjen mbas stuhisë,
Lumejtë do të takohen në Detin e Pafund të Përjetësisë…
Rrugës me gurë namazlinjtë ecin drejt xhamisë
Tregtarët mbyllin dyert e dyqaneve të çarshisë
Veç zemra ime nuk mbyllet dot me asnjë dry
Ajo rri e hapur dhe në Shkup të pret ty.
Fatmir Muja
Categories