“Shuplaka” e parë për akuzat e ngritura për terrorizëm islamik kundër të akuzuarve në procesin gjyqësor “Monstra”, ka arritur pas më shumë se një viti nga Departamenti Amerikan i Shtetit, shkruan Zhurnal.
Në raportin për liritë fetare për vitin 2012, DASH ka përfshirë në pjesën për Maqedoninë, edhe rastin e vrasjes së pesëfishtë në Liqenin e Smillkovcës dhe akuzat e bëra nga autoritetet për terrorizëm islamik, njofton Zhurnal.
DASH shkruan se “Qeveria dhe autoritetet nuk kanë ofruar të dhëna që do të mbështesnin dyshimet se feja ka qenë shkaku i vrasjes së pesëfishtë”.
“Në muajin maj, Qeveria dhe zyrtarët e Policisë arrestuan një grup të gjerë myslimanësh me prejardhje shqiptare, të dyshuar se kanë lidhje me vrasësit e pesë maqedonasve ortodoks në fshatin Smillkovcë. Qeveria dhe zyrtarët e Policisë i quajtën menjëherë të dyshuarit si terroristë të radikalit islam, dhe ky cilësim mori dhenë në mediat lokale dhe ndërkombëtare. Në fund të vitit, autoritetet liruan nga akuza 11 të dyshuarit, tre të tjerë u akuzuan për armëmbajtje pa leje dhe kundër katër të tjerëve u ngrit aktakuzë. Dy të tjerë janë në arrati”, thuhet mes të tjerash në raport.
DASH shkruan gjithashtu se cilësimet e tilla të bëra nga autoritetet kanë shkaktuar protestën e mijëra myslimanëve të etniteteve të ndryshme.
“Politizim i çështjeve fetare, Qeveria keqpërdor KOM-in”
Ndërkohë, në raportin për liritë fetare, DASH ka përsëritur thuajse të njëjtat “probleme” si vitin e kaluar – janë përfshirë akuzat e ngritura nga bashkësitë fetare për favorizimin nga ana e shtetit të Kishës Ortodokse Maqedonase (KOM) dhe është nënvizuar ngecja në procesin e kthimit të pronës së nacionalizuar.
Në raport thuhet se “grupet e tjera religjioze kanë akuzuar se Qeveria po favorizon KOM-in duke i dhuruar prona publike, duke siguruar fonde për ndërtimin e kishave ortodokse dhe duke i ftuar vetëm përfaqësuesit e saj në ceremonitë e përurimeve”.
“Për më tepër, ato akuzojnë partinë maqedonase në koalicionin qeverisës, se ka politizuar çështjet fetare për qëllime politike duke joshur me anë të besimit dhe identitetit fetar shumicën e qytetarëve, dhe duke keqpërdorur KOM-in për këtë qëllim”, thuhet në raport.
Gjithashtu, DASH ka prekur dhe çështjen e denacionalizimit të pronës, duke e cilësuar si “çështje në pritje”.
Sipas raportit, Qeveria ka kthyer në pronësinë e bashkësive fetare pjesën më të madhe të kishave dhe xhamive, porse “disa grupe religjioze nuk kanë kthyer ende pronësinë e tyre mbi pronat e tjera të nacionalizuar në kohën e komunizmit”.
DASH citon më tej dhe akuzat e bëra nga Bashkësia Fetare Islame e Maqedonisë, se shteti po vonon procesin e nacionalizimit, duke i tjetërsuar pronat e saj, duke filluar ndërtime të reja mbi to apo duke kontestuar të drejtën historike mbi pronën të institucionit fetar.
“Zhurnal Plus”…
previous article
Mourinho nuk do të jetë trajner i Realit!
next article
Bale e mbyll sezonin me një gol fenomenal (Video)
you might also like
9 hours ago
9 hours ago