Categories
Lajme FRI

Nuk ndërtohet shoqëria vetëm me legjislacione

Islami nuk është thjesht legjislacion e ligje, ai është besim që shpjegon ekzistencën, adhurim që edukon shpirtin, morale që pastrojnë zemrën, koncepte që korrigjojnë perceptimin, vlera që lartësojnë njeriun dhe mirësjellje që hijeshojnë jetën. Pasazhet që kanë të bëjnë me legjislacionin dhe dispozitat, nuk janë më shumë se 1/10 e Kuranit fisnik dhe janë të ndërthurura mrekullueshëm më besimin dhe ndërgjegjen, të shoqëruara nga ajetet e shpërblimit dhe ndëshkimit, si dhe të lidhura në mënyrë organike me udhëzimet e tjera të Kuranit.

 
Po të lexojmë diçka rreth institucionit të familjes, për shembull ajetin e divorcit:” Ndarja mund të bëhet dy herë. Më pas, gruaja ose të mbahet me të mirë, ose të lejohet të ikë me të mirë. Burrave nuk u lejohet të marrin gjë nga ajo që iu kanë dhënë atyre, vetëm nëse të dyja palët frikësohen se nuk do t’i zbatojnë kufijtë e Allahut. Pra, nëse të dy frikësohen se nuk do të mund t’u përmbahen. Më pas, nëse burri e ndan sërish gruan(për të tretën herë), nuk mund të martohet më me të, pa u martuar ajo me një burrë tjetër. Por, në qoftë se gruaja ndahet rregullisht nga burri i dytë, atëherë nuk kanë gjynah as ajo e as burri i parë që të martohen sërish me njëri-tjetrin, nëse mendojnë se do t’i respektojnë kufijtë e Allahut; këto janë urdhrat e Allahut, që Ai ua shpjegon njerëzve që kuptojnë.”(Bekare, 229-230)
Siç dhe shihet, këto nuk janë dispozita të thata siç janë kodet dhe nenet e kushtetutës, por janë ligje e nene, janë thirrje dhe udhëzim, janë edukim, shpërblim dhe ndëshkim.
Po të shohim kodin penal që ka të bëjë më aktin e vjedhjes:”Vjedhësit dhe vjedhëses ua pritni duart, si ndëshkim për atë që kanë bërë dhe si dënim nga ana e Allahut. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë. Ndërsa atij që pendohet pas të këqijave të tij dhe përmirësohet, Allahu ia pranon pendimin, sepse Ai është vërtet Falës dhe Mëshirëplotë.” (Maide, 38-39)
Këtu shohim që ndëshkimi është i shoqëruar me shpërblim dhe dënim, frikësim dhe kërcënim, orientim dhe edukim. Personit që ka vjedhur i bëhet thirrje të pendohet dhe të pastrohet, duke i kujtuar emrat dhe cilësitë hyjnore si; i Plotfuqishëm kur urdhëron e ndalon; Falës dhe Mëshirues për ata që pendohen; plot urtësi me ligjet e vendosura; që ka në dorë mbarë universin dhe krijesat etj…
Në një model të tillë janë vendosur dhe sanksionuar ligjet si në Kuran ashtu dhe në traditën profetike.
Shoqëria myslimane nuk ndërtohet vetëm më legjislacione, kode e nene ligjore. Këto duhet të shoqërohen dhe ndërthuren edhe me ftesë dhe ndërgjegjësim, arsim dhe edukim. Madje do të thosha që këto duhet tu paraprijnë legjislacioneve dhe kodeve ligjore.
Prandaj, Islami e filloi rrugëtimin e tij me periudhën e Mekes fillimisht, e cila ishte periudha e ftesës dhe edukimit. Ajo i parapriu periudhës së Medines, periudhë e legjislacionit dhe organizimit. Në këtë periudhë u ndërthur dhe u shkri legjislacioni me edukimin, siç është shkrirë trupi me shpirtin. Thjesht ndryshimi i dispozitave dhe ligjeve nuk ndërton ndonjë shoqëri myslimane të shëndoshë. Thelbësor dhe themeltar mbetet ndryshimi i shpirtit dhe zemrave.
Ai që i bën zemrat të ndryshojnë dhe të reformohen është besimi i cili e shndërron njeriun në një tjetër, është besimi i cili i ndryshon objektivat dhe e motivon, është besimi i cili sistemon dhe organizon jetën, është besimi i cili e shpërblen si në këtë botë dhe në tjetrën. Islami është një tërësi dhe kompleks, i cili nuk pranon të copëzohet. Kështu, nëse duam të luftojmë një krim dhe vepër penale, e cila dënohet nga sheriati, nuk vlen vetëm zbatimi i ligjit, i cili duhet parë si hapi i fundit në udhën e reformimit.
Dënimi vlen vetëm për të devijuarit dhe të pandreqshmit, të cilët falë Zotit nuk janë shumicë. Islami nuk ka ardhur të merret vetëm me këta perversë dhe të pandreqshëm, në fakt, ai ka ardhur për të udhëzuar dhe orientuar njerëzit normalë dhe për ti mbrojtur nga devijimet.
Sipas këndvështrimit islam, dënimi nuk është faktori më i madh në trajtimin e krimit, në fakt islami fokusohet tek parandalimi i krimit dhe i shkaqeve që çojnë tek ai. E, parandalimi mbetet gjithmonë më i mirë dhe më i dobishëm se trajtimi.
Nëse shohim tek marrëdhëniet jashtë martesore, do të gjejmë që Kurani e cek dënimin e këtij akti në një ajet të vetëm në suren Nur:”Laviren dhe lavirin – ta rrihni çdonjërin prej tyre me nga njëqind goditje. Të mos ju pengojë kurrfarë mëshire për të kryer detyrën e fesë së Allahut, nëse besoni Allahun dhe Ditën e Fundit.” (Nur, 2)
Ndërkohë që e njëjta sure përmban me dhjetëra ajete dhe pasazhe të tjera orientuese, të cilat synojnë parandalimin e këtij gjynahu. Ndër këto ajete mund të cekim:
“Ata që duan të përhapen shpifjet e turpshme (ose imoraliteti) ndër besimtarët, i pret një dënim i dhembshëm në këtë botë dhe në tjetrën; Allahu i di të gjitha e ju nuk i dini.” (Nur, 19)
Në një ajet tjetër të kësaj sureje, Zoti na mëson etikën e vizitës tek njëri-tjetri, respektin e familjarëve dhe ruajtjen e nderit dhe dinjitetit të tyre.
“O besimtarë! Mos hyni në shtëpitë e huaja pa marrë leje e pa i përshëndetur banuesit e tyre. Kjo është më e mira për ju. Ndoshta do t’ia vini veshin!” (Nur, 27)
“O besimtarë! Skllevërit dhe fëmijët tuaj që s’kanë arritur pubertetin, le t’ju kërkojnë leje(për të hyrë) në tri kohë: para namazit të mëngjesit, kur i zhvishni rrobat në mesditë dhe pas namazit të jacisë. Këto janë tri kohë kur hiqni rrobat.” (Nur, 58)
Më e rëndësishme se kaq, është edukimi i shtresës së besimtarëve me moralin e nderit dhe dëlirësisë, uljen e shikimit dhe distancimin nga veprat e liga.
“Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre(nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara),ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharoret me mbulesat e tyre (të kokës)dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre…” (Nur, 30-31)
Këtu del në pah një element i ri i parandalimit të marrëdhënieve jashtëmartesore dhe krimeve të tjera me natyrë seksuale; ndalimi i femrës myslimane që të dalë në publik me veshje tunduese për burrat, veshje të cilat stimulojnë imagjinatën dhe instinktet e tyre mashkullore. Madje, ajeti ua ndalon grave që të mos i përplasin as këmbët për të treguar që mbajnë zinxhirë floriri. Në fund, ajeti mbyllet me thirrje për pendim: “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!” (Nur, 31)
E gjitha kjo do të thotë se pastrimi i shoqërisë nga të gjitha shkaqet që çojnë në joshje dhe tundim është obligim, ashtu siç është dhe parandalimi i degjenerimit dhe ligësisë. Kurani na urdhëron që beqarëve e beqareve tu krijohen të gjithë kushtet dhe mundësitë për tu martuar dhe krijuar jetë familjare. Ai e konsideron këtë si një përgjegjësi mbarë shoqërore.
“I martoni të pamartuarit dhe të pamartuarat ndër ju, si dhe skllevërit dhe skllavet tuaja që janë besimtarë të ndershëm! Nëse janë të varfër, Allahu, do t’i begatojë ata me dhuntinë e Tij; Allahu është i Gjerë në mirësi dhe i Gjithëdijshëm.” (Nur, 32)
Këtu, përgjegjësia shoqërore – me në krye përgjegjësinë e qeveritarëve – konsiston në lehtësimin e procedurave dhe kushteve për lidhje martesore, siç janë kërkesat materiale dhe sociale, reduktimi i dhuratës martesore, ulja e shpenzimeve dhe reduktimi i dhuratave, shpenzimet e dasmës, mobilimit dhe gjithçkaje tjetër që ka të bëjë me martesën. Të rinjtë e të rejat tanë duhen mbështetur si materialisht dhe moralisht për ndërtimin e familjes myslimane.
Prandaj, ne shohim që vetëm zbatimi i kodit penal nuk e zgjidh problemin. Praktikisht kodet penale nuk mund të zbatohen dhe ekzekutohen sipas kritereve sheriatike, veçse nëse pranohet vepra penale katër herë në praninë e trupit gjykues. Kjo, sipas mendimit të disa dijetarëve dhe fakihëve. Ose bazuar në dëshminë e katër dëshmitarëve të sinqertë, se e kanë parë me sytë e tyre aktin në momentin kur ka ndodhur, gjë e cila është goxha e vështirë. Mesa duket, qëllimi kryesor me këtë është të pengojë publikimin e veprave të turpshme dhe të dënueshme. Sakaq ata që janë sprovuar me vepra të tilla të cilat i kryejnë në fshehtësi, nuk penalizohen në këtë botë, kurse lidhur me ndëshkimin e botës tjetër, kjo është një çështje që i përket vetëm Zotit të lartësuar.
 
Përktheu: Elmaz Fida

Exit mobile version