Ky është momenti. Kombëtarja do të përballet me Norvegjinë në “Qemal Stafa” (20:30), një ndeshje që mund t’i japë krahë ëndrrës për të marrë pjesë në Botërorin “Brazil 2014”.
Pas pesë ndeshjeve të para në Grupin E, kuqezinjtë ndajnë vendin e dytë me Islandën në kuotën e 9 pikëve, -2 nga Zvicra kryesuese. Ndaj, sfida e sotme mund të rezultojë vendimtare për fatet e Përfaqësueses sonë në këto eliminatore. Një sukses përballë norvegjezëve do rriste në maksimum shanset për të kapur të paktën vendin e dytë që të çon në play-off; dështimi do na rikthente me këmbë në tokë.
Entuziazmi dhe pritshmëritë e mbarë shqiptarisë kanë arritur majat. Asnjëherë më parë, përjashtuar ndeshjen me Greqinë në 2004-ën, interesimi nuk ka qenë në këto nivele për Kombëtaren. Prej javësh ky takim është bërë kryefjala e çdo sportdashësi dhe jo vetëm: shqiptarët, sot, më shumë se kurrë, ëndërrojnë.
Interesimi është dëshmuar në kërkesat e shfrenuara për bileta. Rreth 60 mijë kërkesa janë bërë në FSHF për të siguruar një vend në “Qemal Stafa”, ndërkohë që stadiumi nuk mban më tepër se 16 700 vende. Sikurse ndodh gjithandej në botë, në afërsi të stadiumit, në sheshin “Nënë Tereza”, do të vendoset një ekran gjigant për të gjithë ata që nuk do kenë mundësi ta ndjekin sfidën nga shkallët e “Qemal Stafës”.
I mbushur plot e përplot, stadiumi do të stoliset i tëri kuq e zi për t’i dhënë një dorë ndihmë lojtarëve në fushë. Dhjetëra mijëra flamuj do shpërndahen për tifozët, ndërsa një flamur gjigant do të mbulojë krejt tribunën përkarshi. Surprizat nuk do të mungojnë as nga “Tifozët Kuq e Zi”, të cilët kanë përgatitur një koreografi spektakolare për këtë sfidë.
Përkundër mungesave të rëndësishme (Cana, Lila, Roshi, Meha, Kukeli, Curri), optimizmi nuk mungon as në mjedisin kuqezi. Lojtarët janë shprehur besimplotë mbi mundësitë e suksesit, ndërsa trajneri Xhani De Biazi vazhdimisht është përpjekur të ulë dozat e euforisë e të mbajë futbollistët me këmbë në tokë. Tekniku italian disa herë e ka përsëritur faktin se ndeshja e sotme është e rëndësishme, por jo përcaktuese për fatet e ekipit tonë.
Ndryshe nga herët e tjera, në konferencën e fundit për shtyp para takimit De Biazi nuk e ka zbuluar formacionin. Nga sa është mundur të kuptohet prej seancave stërvitore, me shumë gjasa do luajmë me skemën 4-4-1-1. Në portë është i sigurt Etrit Berisha, ndërsa në të djathtë të mbrojtjes do luajë Armend Dallku. Admir Teli pritet të jetë përkrah Mërgim Mavrajt në qendër, me Ansi Agollin që plotëson prapavijën. Qendra e mesfushës do përbëhet nga Ervin Bulku dhe Migjen Basha, kurse në të djathtë pritet të vendoset njëri mes Emiljano Vilës dhe Armando Vajushit. Krahu i majtë është për Valdet Ramën, kurse në sulm Hamdi Salihi do ndihmojë Edgar Çanin të avancuar.
/Start/E.B/
EDITOR
11 years ago
previous article
Kur futbolli është i shëmtuar (Foto)
next article
Serbia nën kthetrat e mafias shqiptare
you might also like
22 NËNTORI – DITA E ALFABETIT TË GJUHËS SHQIPE
8 hours ago
100 DITË DERI NË RAMAZAN!
8 hours ago