I përhapur me ritme të shpejta, obeziteti është shkaktar i shumë shqetësimeve apo sëmundjeve të ndryshme.
Viteve të fundit po shtohen rastet e obezitetit në të gjithë botën, përfshirë edhe vendin tone. Sot numërohen mbi 400 milionë obezë dhe 1.6 miliard njerëz të shëndoshë në të gjithë botën, dhe mesa duket këto shifra do të vazhdojnë të rriten në vitet në vazhdim
I përcaktuar si rritje e sasisë së yndyrave të depozituara në trup, obeziteti nxit sëmundje të ndryshme duke ndikuar negativisht te shumë sisteme në trup, duke filluar që nga sistemi kardiovaskular dhe gastrointestinal.
Ja sëmundjet e shkaktuara nga obeziteti dhe mënyrat e mbrojtjes prej tyre:
Diabeti
Sëmundja e diabetit shfaqet 80% më shumë te personat e shëndoshë sesa tek ata me peshë normale. I shfaqur si rezistencë apo mungesë insuline, diabeti shfaqet më shumë te njerëzit me bel të trashë apo ato me një shëndoshje të lartë abdominale.
Hipertensioni
Sasia e insulinës së gjendur në gjakun e personave obezë është e lartë për shkak të rezistencës së shfaqur ndaj saj. Lidhur me këtë, rritet edhe thithja e sodiumit nga veshkat. Në të njëjtën kohë, kjo situatë e cila shkakton krijimin e radikaleve të lira dhe mbledhjen e kalciumit brenda qelizës, rrit më shumë mundësinë e prekjes nga sëmundjet e zemrës dhe tensioni i lartë. Në peshën e trupit mund të vihet re një rënie me 5-10%, ndërsa në tension 1.2 -1.6%.
Sëmundjet kardiovaskulare
Obeziteti mund të shkaktojë shumë ndryshime në strukturën dhe funksionin e zemrës. Hipertensioni shoqërues i obezitetit rrit dhe rrezikun e sëmundjeve kardiovaskulare. Personat me tension të lartë duhet të ndiqen nga mjeku dhe të kurohen me anë të terapisë së pasur me potas, kalcium dhe magnez.
Kolesteroli
Ekziston një lidhje e drejtpërdrejtë në mes obezitetit dhe metabolizmit të yndyrave. Obeziteti shton yndyrën në gjak. Ndërkohë që kolesteroli i mirë HDL shënon rënie, kolesteroli i keq LDL dhe VLDL shënon rritje.
Sëmundjet e sistemit kockor
Tek personat obezë vihen re dhimbje të muskujve, kyçeve dhe gjunjëve për shkak të peshës së trupit. Obezët duhet të harxhojnë më shumë energji, të merren me aktivitete sportive dhe fizike.
Çrregullimet e gjumit
Një problem tjetër i hasur te personat obezë është dhe apnea e gjumit. Apnea e gjumit është shkaktare e prishjes së rregullit të gjumit. Kjo sëmundje shoqërohet edhe me ankesa si zgjimi i lodhshëm, performancë e ulët e dhimbje koke.
Hormonet
Obeziteti mund të bëhet shkak i çrregullimeve menstruale, sterilitetit apo shtimit të qimeve në trup.
Kanceri
Meshkujt obezë rrezikohen më shumë nga kanceri i kolonës, rektumit dhe prostatës, ndërsa femrat rrezikohen nga kanceri i gjirit, mitrës dhe vezoreve.
Për t’u mbrojtur nga obeziteti dhe sëmundjet e shkaktuara prej tij duhet:
– të minimizoni konsumimin e yndyrave të ngopura;
– të kufizoni sasinë e kolesterolit të marrë bashkë me ushqimet;
– të konsumoni fruta dhe zarzavate;
– të shtoni aktivitetin fizik.
/Start/
Categories