Mijëra fëmijë janë vrarë në protestat në Siri që prej marsit të vitit 2011, thuhet në një raport të ri të OKB-së për fëmijët në vende të përfshira nga konflikte të armatosura.
Duke e cilësuar situatën si të papranueshme, studimi tregon se forcat qeveritare kanë përdorur djem dhe vajza të vegjël si mburojë njerëzore nga bombardimet.
Në total raporti mbulon 21 vende të botës ku fëmijët janë viktima të dhunës. Për herë të parë Mali është shtuar në “listën e turpit”, ku listohen palët e përfshira në konflikte që rekrutojnë dhe abuzojnë me fëmijët.
Këtë vit në listë janë emrat e 55 forcave të armatosura nga 14 vende, përfshirë grupet në Republikën e Afrikës Qendrore dhe Republikën Demokratike të Kongos.
Në Mali, vëren raporti, fëmijët përbëjnë më shumë se gjysmën e popullsisë prej 18 milionë banorë dhe shumica janë prekur “në mënyrë të ashpër” nga vazhdimi i konfliktit në veri të vendit.
“Përkeqësimi serioz i situatës së sigurisë në Mali në vitin 2012 u karakterizua nga një numër i lartë shkeljesh të rënda ndaj fëmijëve nga grupe të ndryshme të armatosura”, thotë raporti.
Duke vënë në dukje se më të prekurit janë djemtë nga mosha 12 në 15 vjeç, dokumenti i Kombeve të Bashkuara shton se grupet e armatosura dyshohen të kenë ushtruar dhunë seksuale “në masë dhe sistematike” ndaj vajzave të mitura që prej janarit 2012.