Categories
Lajme FRI

Oxhaku i Shkodrës

Kafshatat e bekueme të shpirtit janë gatue në këtë sofër
Nadja i ka gjetë zemrat tue i thirrë Emnat e Bukur në Shkodër
Po ku je o shpirt dashunues që je dorëzue për me gjetë paqe?
A vijnë ndonjiherë pranverat me i shkri lotët e akullt në nji faqe?
A vijnë ndonjiherë bletët, hojet e tyne me mjaltë me i mbushë?
A vijnë sërish bujqit me gjelbrue dheun e shkretnuem në fushë?
A vijnë sërish përgjigjet me u kënaq me pyetjet si dikur?
Apo, edhe pse flet ekzistenca ne s’duem me ndigjue ma kurrë?
A mundesh përgjigjet me i ba ilaç për dhimbjet e kësaj dite?
Ku fëmijët frigohen prej terri e të rritunit frigohen prej drite,
A mundesh ti me zjarmin tand me ngrohë edhe nji herë këtë jetë?
E dhimbshme asht me u shkri bora e dimnat në zemër me t’mbetë.
Lapsat e ashikëve dhe poetëve janë harxhue, ka mbetë veç ajo që asht shkrue:
“Asnji gja nuk m’ngjall ma shumë dhimbje se dielli i nji dite që ka perëndue,
Gjynahet m’janë shtue, jeta m’asht paksue e njohtunia s’m’asht thellue.”
Këtu ajka e qumështit të jetës asht kullue e ashikët e bejteve janë bashkue,
Dikur, me dashni e përvujtni Të Vërtetës lavde i kanë thurë,
Bletët natyrshëm vdesin po mjalti nuk prishet kurrë,
Shijoje këtë mjaltë dhe ambëlsoje ekzistencën e kësaj bote,
Se Qiejt dhe Toka janë përbashkue te shpirti dhe zemra jote,
E në jetën tokësore nuk ka gja ma qiellore
Se me u rritë e me e ruejt pastërtinë e zemrës fëminore,
Jeto nji ditë me bejtet e ashikëve dhe vargjet që pikojnë vesë dashnie,
Në sofrën e Shkodrës ha edhe i ngopuni se s’mundet me i thanë “jo” asaj shije’
E pyesin ashikun që lan fytyrën tek burimi dhe kohën e ambëlson me bejtet
“A nuk mërzitesh se fjalët po t’i marrin po emni ma s’po të përmendet?”
“Me mendimet tua të tjerët po i pushtojnë tanë vendet”
“S’mërzitem!” – thotë ashiku që mosha ia ka zbardhue vetullat,
“Mirë që i marrin fjalët e mia, keq që nuk i kanë të vetat,
Ata munden me i pushtue vendet por jo edhe zemrat,
Se fjalët idhtohen kur bien në kundërshitm me veprat,
Kam thanë nji herë: “Veç Ai asht!”, e i kam lanë të tjerat,
Dimnat kanë ardhë në trupin tem, po në shpirt m’kanë mbetë verat,
Burimet janë të moçme po ujnat të rinj gjithmonë,
Lumejt, liqeni dhe deti bashkohen në Shkodrën tonë,
Rrugët janë të hapuna edhe kur udhtarët mungojnë
Nëse rrugën merr, në gjysmë mos gabo me ngecë,
Kur nuk t’punojnë kambët, me zemër duhet me ecë.”
Nëse mundesh me e ba ma t’madhe dëshirën për fitore se sa frigën prej dështimi
Në shpirtin tand parajsor s’ka me gjetë hymjen dëshpërimi
Ngjyrat e e tanë stinëve kanë me u shkri në atë shpirt të gëzuem
S’ke me harrue se dikush u ba kurban për me u ba Qyteti i Lumnuem
Pikëllimi na ban ma t’thellë e gëzimi na ban ma t’naltë
Gjanat që s’i bajnë ballë kohës, rueji tue i futë në mjaltë
Kafshatat e bekueme të shpirtnisë s’e lanë qenien me vdekë
Zjarmin të gjithë munden me ndezë po asnjani s’don me e prekë
Secili veç fëmijës din me u ngroh’ pa u djegë
Po pa e provue djegien, msheftësinë e zjarmit s’ke me gjetë
Oxhaku i Shkodrës ka zjarm që ujin e shpirtit me vlue
Bejtet e vargjet janë të vjetra po kurrë nuk janë vjetrue
Po mbaruen me fjalë, në heshtje kanë me vazhdue
Për me u ba e bukur ekzistenca, Qielli asht dashunue me Tokën
Për me u ba nji laps i bukur, ka shkrue për Shkodër locën.
Fatmir Muja
www.fatmirmuja.com

Exit mobile version