Categories
Lajme

Panairi në Prishtinë, plot shifra e mysafirë

Radio Televizioni i Kosovës ka vonuar të transmetojë drejtpërdrejtë hapjen e Panairit të 15-të të Librit në kryeqytet, por kështu gati 10 minuta ka vonuar edhe vetë ceremoninë e këtij eventi kulturor. Gazetari i këtij mediumi ka pritur një lidhje e cila po vononte shumë, ndërsa është ndërprerë nga Daut Demaku i cili ka humbur durimin dhe ka nisur hapjen e gjithçkaje që do të pasonte me shumë fjalime.
Hapja filloi ti përngjante një fushate plot shifra. Zv.ministri i Kulturës , Hajdin Abazi, ka treguar për rritjen sipas tij 160% që i është bërë fondit që ndan Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për librin.
“Jemi të kënaqur që në këtë panair kemi prezantime nga të gjitha trevat, dhe kështu ndoshta edhe po hapet më shumë rruga e bashkimit kombëtar” ka thënë Abazi, derisa ka vazhduar me maratonën e shifrave që varion nga 30 mijë euro në vitin 2011, 60 mijë në vitin 2012 dhe 80 mijë në këtë vit, krejt ky buxhet që MKRS-ja ndan për librin.
Bisedën rreth shifrave nuk e ka ndalur as e para e kulturës në Komunën e Prishtinës, Vlora Dumoshi. Ajo ka përmendur rreth 70 tituj librarë që janë përkrahur nga Komuna.
“Kjo javë i përket vetëm librit dhe është në qendër të qytetit, duke sjellë kështu kulturën shqiptare brenda një salle me plot tituj për lexuesit kosovarë” ka vazhduar Dumoshi.
Panairi sivjet do të ketë edhe mysafirë specialë, mes tyre autori Agron Tufa, Mark Marku e Amik Kasoruho, dhe poetja nga Tirana Luljeta Leshanaku. Tufa dhe Leshanaku kanë folur po në hapje, pak për familjen dhe shkollën si dy institucione edukuese në krijimin e shprehisë së leximit, dhe pak për edukimin vertikal, atë që vetë libri e transmeton në një person.
“Ky panair i sjell të rejat më të fundit të librit nga të dyja trevat shqipfolëse, Kosova dhe Shqipëria. Unë dëshiroj vetëm të reflektoj mbi familjen dhe shkollën, si dy institucione që ndikojnë të largohet ose jo libri nga lexuesi, dhe mendoj se është koha për secilin prej nesh ta fillojë këtë reflektim dhe gjendjen e tij për librin sot” ka treguar Leshanaku në hapje, kjo një autore shqiptare por e njohur më shumë jashtë kufinjve shqiptarë.
Panairi i 15-të me radhë do të mbahet deri më datë 9 qershor, ndërsa do t`i kushtohet 5 vjetorit të pavarësisë së Kosovës, e mes tjerë përvjetorëve vijnë edhe 100 vjetori i lindjes së Petro Markos, Vedat Kokonës dhe Isuf Zulajt, dhe 90-të vjetori i lindjes së Vehap Shitës, Jakov Xoxës dhe Musine Kokalarit. Djalin e vetë Petro Markos në panair e ka sjellë shtëpia botuese PA, e cila risjell veprën e vitit 2003 “Rastësisht me dashje”.  Burime të gazetës tregojnë se shtëpia botuese ka qenë gati për tu larguar nga Panairi, mirëpo ditën e hapjes një tendë dhe lokacion i caktuar ka shkuar edhe për këtë shtëpi botuese, sado që brenda saj nuk ka pasur libra. I njëjti burim tregon se në rast tjetër, vetë botuesja e shtëpisë botuese PA do të protestonte jashtë panairit, si shenjë revolte që vetë djali i Petro Markos nuk është “ i pranishëm” në Panairin që feston 100 vjetorin e lindjes së Petro Markos.
Autori nga Shqipëria Agron Tufa ka përmendur bumin teknologjik, e që sipas tij lë vetëm dy mënyra të edukimit të lexuesve.
“E para është edukimi me anë të ekranit, ndërsa tjetri është ai që unë e quaj vertikal, ai shkallë shkallë dhe të cilin e jep vetë leximi i librit” ka shtuar Tufa gjatë hapjes së Panairit. Panairi i 15-të i Librit organizohet nga Shoqata e Botuesve të Kosovës dhe mbahet në Pallatin e Rinisë në kreyqytet. Krejt në fund të panairit do të ndahen çmime për përkthyesin e shkrimtarin më të mirë, tendën më të vizituar dhe librat më të mirë në zhanrin e poezisë, prozës dhe studimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version