Ka përfunduar takimi i Kryeministrit turk, Rexhep Tajip Erdoan me përfaqësues të protestuesve të Parkut Gezi. Në takimin që zgjati rreth 4 orë e gjysmë, Kryeministri Erdoan propozoi “referendum” për Kazermën e Artilerisë, kompleksi ushtarak otoman që qeveria kërkon të rindërtojë në vend të parkut.
Zv/kryetari i Përgjithshëm i Partisë AK në pushtet, Hysejin Çelik, i cili doli përpara kamerave menjëherë pas përfundimit të takimit, u shpreh me këto fjalë: “Ishte një takim miqësor dhe qëllimmirë. Pjesëmarrësit këshilluan që të mos refuzohet rinia. Delegacioni theksoi se protestuesit në Parkun Gezi janë njerëz apolitikë dhe ndejshmëri të lartë për pemët e mjedisin. U realizua një mbledhje me tepër nivel, e bazuar nën shkëmbimin e ndërsjellë të opinioneve. Kryeministri deklaroi se politikën e bëjnë me popullin dhe gjithçka që kanë bërë e kanë bërë për popullin.”
“PO HETOHET FORCA E TEPRUAR”
Hysejin Çelik iu përgjigj edhe kritikave në lidhje me përdorimin e forcës së tepruar. “Kryeministri Erdoan vuri në pah se pjesëtarët e policisë, që kanë përdorur forcë të tepruar apo kanë bërë shkelje, do të ndëshkohen patjetër; qeveria do të jetë në krah të qytetarëve që protestojnë në mënyrë paqësore”, tha ai.
KRYEMINISTRI PROPOZON REFERENDUM
Zv/kryetari i Përgjithshëm i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim bëri me dije se në takimin e realizuar me delegacionin e Parkut Gezi, Kryeministri Rexhep Tajip Erdoan sugjeroi që “banorëve të Stambollit t’u kërkohet mendimi mbi projektin e qeverisë në lidhje Parkun Gezi, pra të mbahet një referendum në Stamboll për sa i takon çësthjes”.
“Shefi i ekzekutivit tha se opsioni i referendumit lidhur me Kazermën e Artilerisë mund t’u dërgohet këshilleve të partisë”, nënvizoi Hysejin Çelik.
Ai tërhoqi vëmendje se referendumi mund të përfshijë të gjithë Stambollin ose vetëm nënprefekturën Bejollu, ndërsa shtoi: “Për ne janë njëlloj të dyja mundësitë.”
“PARKU GEZI DUHET TË ZBRAZET NJË ORË E MË PARË”
Çelik bëri thirrje për vetëpërmbajtje dhe gjykim të shëndoshë, por edhe nënvizoi se Parku Gezi duhet të zbrazet sa më parë të jetë e mundur.
“Qeveria nuk do të pranojë që këto protesta në Parkun Gezi të vazhdojnë deri në ‘ditën e gjykimit’. Jam i mendimit se të rinjtë në Parkun Gezi do ta lirojnë zonën, aq më tepër pasi realizuam një takim të tillë”, vijoi zëdhënësi i Partisë AK.
DELEGACIONI: PROPOZIM ME VEND
Zv/kryetari i Përgjithshëm i Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, Hysejin Çelik theksoi se delegacioni i pranishëm në takim e ka vlerësuar si të qëlluar propozimin për referendum.
“NËSE DO TË KISHTE DIKTATURË, KËTO PROTESTA NUK MUND TË BËHESHIN”
Zëdhënësi i Partisë AK reagoi fuqishëm ndaj kritikave që e quajnë Erdoanin “diktator”. “Këto protesta mund të realizohen sepse Turqia nuk drejtohet me një regjim diktatorial. Nëse Turqia do të udhëhiqej me diktaturë, atëherë protestat nuk mund të bëheshin. Edhe në rast se do të realizoheshin, atëherë, Zoti na ruajt, trajta e tyre do të ishte shumë më ndryshe. Natyrisht që deri më sot ka pasur disa ndërhyrje të policisë. Gjatë këtyre ndërhyrjeve ka njerëz që u është thyer zemra dhe të tjerë që janë lënduar fizikisht. Sa mirë do të ishte sikur të mos kishin ndodhur fare, por shikoni se çfarë pamjesh kanë dalë në dritë sot, gjatë mbledhjeve të G8-s në Londër, teksa protestuesit janë konfrontuar me forcat policore”, përfundoi ai.
Categories