Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe për nocionin e patriotizmit e jep këtë shpjegim: Dashuria për atdheun e për popullin e vet dhe gatishmëria për t’u shërbyer atyre me besnikëri, ndjenja e lartë e detyrës për të mbrojtur me vetëmohim interesat e atdheut dhe të popullit të vet: atdhetari. Patriotizëm i flaktë. Patriotizmi popullor. Patriotizmi i masave. Patriotizmi i rilindësve tanë. Ndjenja (shprehja) e patriotizmit etj.
Njohësit e shkëlqyeshëm të rrethanave politike do të thonë me plot të drejtë dhe me gojën plot se në Ballkan sot patriotizmi është bërë nocioni më i përfolur, më i shtrembëruar dhe më i konsumuar… dhe, në instancë të fundit, është shndërruar “… në patriotizëm artistik, në patriotizëm lokal, në patriotizëm patetik, në folk-patriotizëm, në pseudopatriotizëm, në shovinizëm, në nacionalizëm të rrezikshëm dhe të vrazhdë, në stoli a salltanat, në marrëzi, në sulltanat, në hipokrizi, megalomani, në plagjiaturë politike dhe toptan në patriomani”!
Për të mos i ngatërruar e për të mos i keqinterpretuar parashtesat ose edhe prapashtesat që i ngjiten nocionit në fjalë, do të na duhet (nëse na lejohet) t’u referohemi ca vakive që hetohen në përditshmërinë tonë politike. Sot, me patriotizmin (me pseudo-standarde) shërbehet gjithsecili, pa dallim në është intelektual, mësues, bujk, fshatar, qytetar, katundar, kurbetçi, marangoz e të tjerë njerëz profesionesh të ndryshme (hiq mënjanë patriotët e mirëfilltë). Këtë nocion më së shumti do ta konsumojnë a edhe do ta “kondicionojnë” politikanët dhe njerëzit që nuk arrijnë dot kollaj të ndërtojnë vizione dhe vlera të mirëfillta, qofshin ato morale dhe materiale. Dhe, kështu siç konceptohet a shpjegohet ky nocion, duket thjesht si një anije tregtare që është ankoruar në një port të lanë pasdore…, perceptohet si një grumbull hekurishtesh të ndryshkura, si një ashensor i prishur, a tekefundit si një patriotizëm pa personazh.
Tani në vigjilje a në pritje të 23 qershorit të motit 2013, gjegjësisht në kuadër të fushatës zgjedhore gjithsecila parti politike që vepron në Republikën e Shqipërisë, kanë filluar të bëjnë “gjurullti të tmerrshme dhe të padurueshme”, sidomos partitë politike që e humbasin ekuilibrin (politik). Në këtë fushatë gjithsecili e përdor atë patriotizmin patetik a lokal, atë patriotizëm që përdoret vetëm për konsum ditor, për një racion ushqimi e të tjera përdorime. Do ta përdorin atë në kërkim të votës deliberative të popullit, në kërkim të një vote që do të shkojë në “konton” e kandidatit për deputet, në “konton” e partisë politike, në “konton” e pushtetit dhe pushtetmbajtësit makiavelist, në oborrin e korrupsionit dhe më pak në “konton” e mirëqenies së shtetit.
Patriotët e paktë, por të njëmendtë, do të thonë ndër dhëmbë: “…, mos votoni arkaizmin dhe anarkinë e letargjinjve dhe dallkaukëve provincialë, mos votoni metodën e blerjes së votës, mos votoni njerëzit që ushqejnë gjakmarrjen ata që shtrembërojnë dhe klandestinojnë Kanunin…, mos votoni puritanizmin dhe neveritjen, mos votoni Rrugën e Kombit (të papërfunduar) që kalon përreth fshatrave të braktisura e që janë lënë në mëshirë të natyrës dhe Perëndisë.., mos votoni sloganet metaforike a parullat e zbrazëta e mashtruese, mos votoni ofendimin, arrogancën, skenarët e paranojave, mos votoni “idenë një pasaportë për gjithë shqiptarët…”!? Patriotët e mirëfilltë do të vazhdojnë të thonë: “ votoni realitetin, votoni të nesërmen, votoni vlerat, votoni dijen, votoni arsyen, përgjegjësinë, ndërgjegjen kolektive, largpamësinë, dinjitetin, votoni miletin e mërzitur dhe të bezdisur, votoni sfidat objektive dhe të tjera sfida”!
Politikanët dhe patriotët e “vegjël”, sa herë që do të “hetojnë” se të “tjerët” do t’u bëjnë hile, aq herë do të “aktivizojnë” patriotizmin e tyre patetik, lokal, folklorik, sezonal dhe “vullnetar”! Edhe këta “patriotë” në vigjilje të zgjedhjeve parlamentare do të ulërijnë a edhe do të bërtasin duke thënë: “O ju shqiptarë nihilistë, që jeni pasardhës të të madhit Skenderbej, të Abdylit, të Naimit e Samiut, më votoni mua, ma votoni partinë time, votoni ardhmërinë, votoni Zhvillim-Përparimin, votoni alternativën e zhvillimit të ekonomisë, bujqësisë, arsimit, fshatit e të tjera alternativa…, votoni shkopin magjik, votoni idenë e bashkimit të trojeve shqiptare, gjegjësisht Shqipërinë natyrale, votoni dyzimin, votoni gënjeshtrën, votoni premtuesin dhe premtimet, sepse ju ato i meritoni, votoni lekun për lekë, votoni vendin e punës, votoni varfërinë, votoni diplomat universitare të fabrikuara, votoni gënjeshtrën, votoni utopinë, votoni retorikën tonë boshe a së fundi edhe të rreme…, e të tjera votime (jo) deliberative”!??
Të nderuar lexues të mi pa tarafe, pa më thoni kush mund të jetë ai fukara, student, pensionist, ish i përndjekur dhe i dënuar politik a edhe i papunësuar që do e shes votën për ato lekë, kush do të jetë ai që për një grusht lekësh do ta shes dinjitetin e tij. Besoj se gjithsecili do të thotë: “…nuk i duam lekët, pavarësisht se të kujt janë, nga vijnë dhe çfarë ere kanë”! Të shpresojmë se 23 qershori i motit 2013 për qytetarët e Republikës së Shqipërisë do të jetë një ditë feste, një ditë e shprehjes së lirë, një ditë ku gjithsecili do të shprehë vullnetin e tij. Dhëntë Zoti që shqiptarët këtë ditë të shenjtë të mos e shndërrojnë në një ditë nervozizmi, në një ditë shqetësimi, në një ditë ku fjalia më e përfolur do të jetë ajo me sa vijon: “O milet pa brekë (M. Kuteli), voto katrahurën, voto papërgjegjësinë kolektive, voto çallëmin dhe çallëmxhiun, voto çanaklëpirësin, diletantin, hajdutin dhe hajdutërinë”!??
Winston Churchill dikur kishte thënë: “Në kohë paqeje, patriotizmi është streha (e fundit, nënvizim ynë) e maskarenjve”.
Categories