PYETJA: Cili është mendimi juaj rreth personit që kryen gjynahet të cilat do t’i përmendi ose edhe gjynahe tjera që nuk do t’i përmendi këtu. Si p.sh.: prostitucioni, shpifjet për gratë e ndershme, ngrënia e pasurisë së njerëzve me pa të drejtë etj., duke pasur parasysh se vepruesi është penduar sinqerisht para All-llahut të Madhërishëm, ndërsa pasurinë që e ka marrë nga njerëzit nuk mundësi ta kthen, për shkak se nuk e posedon atë, qoftë kjo pasuri pak ose shumë?
PËRGJIGJJA: Këto krime (gjynahe të mëdhaja) të cilat i përmendi vëllau pyetës, siç është p.sh. prostitucioni, janë veprime që nëse kryerësi pendohet te All-llahu i Madhërishëm, Ai ia falë gabimin atij. Por, ky gjynahqar duhet të jetë i sinqertë dhe i vendosur që mos të kthehet te gabimi i bërë asnjëherë, ashtu siç nuk kthehet qumështi në burimin e tij.
Disa dijetarë janë më të rreptë në këtë, derisa thonë se: “Personi që ka kryer prostitucionin detyrohet të shkon te familja e vajzës me të cilën ka bërë këtë vepër të shëmtuar dhe të kërkon falje edhe prej tyre”. Sepse kjo, sipas këtyre dijetarëve, është e drejtë ndërnjerëzore dhe njerëzit duhet të kërkojnë falje ndërmjet vete nëse shkelin këto të drejta. Kjo don të thotë të shkojë gjynahqari të kërkojë falje nga ai që i është shkelë kjo e drejtë dhe t’i thotë: “Unë kam bërë zina (prostitucion) me gruan ose vajzën tënde, më fal për këtë”. Natyrisht që kjo nuk mund të ndodh kurrë, sepse ai njeri do ta vrasë ose do t’ia kthen më rëndë se që mund të paramendohet.
Për këtë, dijetarët janë të mendimit që personi duhet të kërkojë falje vetëm prej Krijuesit të tij. Pra, nëse ai pendohet, kthehet dhe kërkon sinqerisht falje te Zoti i tij, Ai ka mundësi që ta falë.
Shpifja për gratë e ndershme dhe besimtare numërohet ndër gjynahet më të mëdha dhe në të njejtën kohë është edhe krim për shpifësin. Për këtë shpifësi ose shpifësja do të dënohet në këtë botë dhe në tjetrën. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Vërtetë, ata që akuzojnë gratë e ndershme, besimtare të pafajshme, janë të mallkuar në këtë botë dhe në botën tjetër dhe ata i pret një dënim shumë i madh. Në atë ditë kur dëshmojnë kundër tyre gjuhët e tyre, duart dhe këmbët e tyre për atë që ata kanë punuar.” (En Nur: 23,24)
All-llahu i Madhërishëm për shpifjen ka vendosur sanksion që në këtë botë shpifësi të sanksionohet me tetëdhjetë të rëna dhe prej tij të mos pranohet dëshmia asnjëherë. Ky sanksion për shpifësin ka karakter edukues, saqë ai për shkak gabimit të bërë nuk është i besueshëm në shoqëri. Ky person në botën tjetër do të ketë dënim të ashpër. All-llahu i Madhërishëm thotë: “Të tillët janë të pabesueshëm.” (En Nur: 4) Domethënë se shpifësi njihet si i pabesueshëm: “Me përjashtim të atyre që më vonë pendohen dhe përmirësohen, vërtet All-llahu është që shumë falë e mëshiron.” (En Nur: 5).
Se si bëhet pendimi nga ky gabim dijetarët nuk janë të një mendimi, sepse këtu kemi shkeljen e të drejtës që caktoi All-llahu i Madhërishëm, dhe nga ana tjetër shkeljen e të drejtës së gruas që i është bërë shpifja.
Nëse shpifësi ka dalë para masës dhe ka deklaruar se kjo ose ajo grua është e pandershme, tani ai detyrohet që të kundërtën ta thotë përsëri para masës, me qëllim që të fiton faljen e All-llahut të Madhërishëm, ose të shkojë te gruaja që e shpifi dhe të kërkojë falje prej saj.
Nuk mjafton për shpifësin të thotë: “O Zoti im unë u pendova nga ky gabim”, sepse ai ka thënë fjalë të rënda për atë grua në çdo vend dhe me këtë ka njollosur familjen dhe pasardhësit e saj. Pra, demantimi i deklaratës së tij (për shpifje) është i domosdoshëm dhe se pranimi i shpifjes përpara të tjerëve është i detyrueshëm. Poashtu, kërkimi i faljes nga e shpifura është i nevojshëm, se përndryshe shpifësi i nënshtrohet sanksionit që për këtë botë është tetëdhjetë të rëna, e pastaj të pendohet te All-llahu i Madhërishëm dhe në fund të pranohet pendimi i tij.
Sa i përket ngrënies së pasurisë së huaj pa të drejtë dhe në rrugë jo të lejueshme, kjo është rreptësisht e ndaluar.
Të drejtat materiale patjetër t’u kthehen pronarëve të tyre. Edhe dëshmorit në rrugë të Zotit ky gabim nuk mund t’i falet. Ne e dimë se nuk ka gjë më të shenjtë se të jeshë dëshmorë (shehid) në rrugë të All-llahut të Madhërishëm, megjithatë kur u pyet Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] nga një njeri: “O i dërguari i Allahut, nëse vritem në rrugë të Zotit a do të më falen të gjitha gabimet?” Pejgamberi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] tha: “Po”. Më vonë e thirri pyetësin dhe i tha: “Çfar’ thashë pak më parë?” Tha: “Ti the kështu e kështu…”Atëherë i tha: “Përveç borxhit. Për këtë më lajmëroi Xhibrili pak më parë”. (Transmetuar nga Muslimi).
Nga kjo që u tha nënkuptojmë se njeriut që ka kryer këtë gabim (ka ngrënë pasurinë e tjerëve padrejtësisht) nuk i falet dhe nuk çlirohet nga kjo, pavarësisht se ai pasi ka marrë pasurinë e tjerëve me anë të vjedhjes, ryshfetit, mashtrimit apo me ndonjë mënyrë tjetër të ndaluar, i drejtohet All-llahut duke i thënë: O Zot pendohem te Ti, ose shkon në haxh apo bie dëshmor.
Nëse ky person nuk mundet ta kthen pasurinë e marrë, së paku le të shkojë të kërkojë falje nga pronarët e kësaj pasurie, e nëse ata nuk pajtohen me këtë, ai do të mundohet që të punojë dhe dalëngadalë t’ua kthejë pasurinë.
Nëse vdes pa i paguar këta borxhe të gjitha, edhe pas përpjeksjes së tij, atëherë All-llahu i Madhërishëm në Ditën e Gjykimit do t’i dakordojë të dy palët. Ai është Falës dhe Mëshirues i madh.
Dr.Jusuf el Karadavi
EDITOR
9 years ago
previous article
NUK MËSHIROHET AI QË NUK MËSHIRON
next article
Katari paralajmëron ndërhyrje ushtarake në Siri
you might also like
Bota e xhindëve, fakte dhe iluzione
9 years ago
Horoskopi, realitet apo imagjinatë?
9 years ago
NGRËNIA E PASURISË SË GRUAS
9 years ago