Categories
Opinione

Për kë votuan vërtetë qytetarët?

A kishin nevojë njerëzit për ndryshim të pushtetit? Keqqeverisja dhe arroganca ishin dy arsyet kryesore për të cilën analistët e majtë thanë se qytetarët votuan kundër të djathtës.
Përkundër, të shokuar nga humbja e thellë, demokratët deri diku i mëshojnë faktin se votat mund të jenë blerë. Për ta, e majta me veprimet e saj tinëzare, arriti të merrte pushtetin e pamerituar për shkak të sukseseve të deri më tanishme të qeverisë në ikje. Keqqeverisja nga njëra anë, sigurisht që ka patur ndikimin e vet dhe përkeqësimi në katër vjeçarin e fundit, si në shkallë korrupsioni, dhe në shumë fusha tjera, ishin fakte të pamohueshme, por Partia Demokratike duket se nuk e ngrinte dot zërin për shkak të aleatit të saj kryesor që mbajti në këmbë qeverinë, por që në fund, jo vetëm që e rrëzoi, por i dha goditje fatale. Së dyti, nëse qytetarët kanë votuar vërtetë kundër arrogancës siç u përpoqën të theksonin disa opinionistë të televizioneve (gjithsesi çështje subjektive dhe e pamatshme në asnjë rast), atëherë shoqëria shqiptare ndodhet në fazën e saj më të ndritur të maturimit dhe të qytetarësisë, dhe këtu kanë meritën e tyre edhe analistët.
Nëse në një pikë të tretë do të shtonim “ndryshimin”, dmth të ndërrohet qeveria e drejtuar nga Partia Demokratike, atëherë pyetja që lind: Për cilin ndryshim votuan qytetarët? Ilir Meta, jo vetëm që ka qenë kryeministër, por katër vitet e fundit ishte në bashkëqeverisje. Sa për Partinë Socialiste, qytetarët i dhanë pak më shumë vota se katër vite më parë por jo aq sa për të bërë ndryshimin e madh. Në fakt, befasia e këtyre zgjedhjeve nuk është fakti se pse erdhi e majta në pushtet, por pse LSI-ja mori kaq shumë mandate deputetësh.
A votojnë qytetarët për progresistët dhe pragmatistët? Për të parët, vështirë ta besosh, ndërsa për të dytët, më shumë marrëdhënia i ngjason “të kryej punë” dhe të bëhet çfarë të bëhet. Në këtë kryerje “momentale të punës” ku kontrata zhvillohet brenda pak momentesh dhe secili vazhdon në punë të vet, po e përdorin si metodë partitë dhe qytetarët pas tyre.
Sa më shumë integrohemi, aq më shumë sofistikojmë edhe vjedhjen e votës dhe standardet janë aty për të vlerësuar procesin e radhës “si pak më të mirë”.
Ka ikur koha kur kutitë e votimit mbusheshin me fletë përnjëherësh për njërën apo tjetrën parti. Tani, vota nuk është kaq e pavlerë sa kutitë të mbushen nga policia. Tani vota kushton, jo aq qytetarësisht sa ç’mund ta mendojmë, por blihet në moment me para në dorë. Dhe këtë, asnjë vëzhgues në ditën e zgjedhjeve nuk mund ta vërë re për të shënuar manipulimin. Tani, vota shitet për një vend pune, dhe shumë e shumë e shumë metoda të tjera, që e bën shumë të ndryshëm manipulimin nga ai i vitit 2001 apo në vitin 2003, etj.
Tani partitë i kanë identifikuar të gjithë votuesit gjer edhe se çfarë mendojnë dhe në bazë të rrethanave bëhen edhe ofertat. Tani, i zoti është ai që i blen votuesit partisë tjetër. Nuk e kam ndërmend të akuzojë ndonjë parti, por kam frikë se “ushtria e karkalecave” vetëm sa e ka nisur aksionin për të zhvatur gjithçka që i del përpara. Të shohim, sepse na duhet edhe ndryshimi, e madje do të ishte shumë i rëndësishëm që të ishte edhe me kushtetutë për të mos duruar më drejtues arrogantë, që na kanë ardhur në majë të hundës gjatë gjithë këtyre viteve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version