Forumi Rinor Islam – Dega Shkup përmbylli me sukses ditën e parë të Shkollës Dimërore, e cila mblodhi një numër të konsiderueshëm të rinjsh të etur për dije, reflektim dhe formim shpirtëror.

Programi nisi me leximin e Kur’anit Famëlartë nga hafiz Uvejs Murtezi, duke i dhënë aktivitetit një atmosferë përkushtimi dhe qetësie. Më pas, fjalën përshëndetëse e mbajti Kryetari i FRI Shkup, z. Afrim Demiri, i cili vuri në pah misionin edukativ të shkollës dhe rëndësinë e investimit në zhvillimin e shëndetshëm të të rinjve.

Ligjërata hapëse u mbajt nga hoxhë Jusuf Beqiri me temën “Besimi si mbështetje psikologjike për të rinjtë”, ku u theksua se besimi është shtyllë e fuqishme për stabilitetin emocional dhe përballjen me sfidat e jetës, duke u ndërlidhur me shembuj frymëzues nga jeta e Pejgamberit Muhamed a.s.

Në vijim, profesor Musa Musai trajtoi temën “Ankthi, stresi dhe qetësia e brendshme”, duke ofruar një qasje të qartë dhe praktike mbi shkaqet e ankthit dhe mënyrat për menaxhimin e tij, me synim arritjen e balancës shpirtërore dhe mendore.

Dita u përmbyll me një workshop interaktiv nga trajneri Leonard Kaja, me temën “Shpresa dhe vlera e jetës”, ku përmes ushtrimeve konkrete u përcollën mesazhe motivuese për forcimin e shpresës dhe vetëdijes mbi rëndësinë e jetës.

Shkolla Dimërore e Forumit Rinor Islam – Shkup do të vazhdojë edhe në ditët në vijim me përmbajtje të pasur edukative, ligjërata tematike dhe aktivitete formuese, në shërbim të fuqizimit të të rinjve.

Shkup, 9 janar 2026