Categories
Lajme FRI

PËRFUNDOI ME SUKSES SHKOLLA DIMËRORE DYDITORE E FORUMIT RINOR ISLAM

Forumi Rinor Islam – Dega Shkup përmbylli me sukses Shkollën Dimërore dyditore, e cila u realizua me përkushtim, pjesëmarrje aktive dhe interesim të madh nga nxënësit dhe studentët.

Programi i kësaj shkolle u hap me leximin e ajeteve kuranore nga medresanti Jusuf Lazimi, duke i dhënë aktivitetit një atmosferë përkushtimi dhe reflektimi shpirtëror.

Gjatë ditës së parë, pjesëmarrësit patën mundësinë të ndjekin ligjërata dhe aktivitete me tema tejet të rëndësishme për jetën shpirtërore dhe emocionale të të rinjve. Profesor Musa Musai trajtoi temën “Ankthi, stresi dhe qetësia e brendshme”, ndërsa hoxhë Jusuf Beqiri ligjëroi mbi “Besimin si mbështetje psikologjike për të rinjtë”, duke theksuar rolin e besimit në përballjen me sfidat e jetës. Programi i ditës u përmbyll me workshop-in “Shpresa dhe vlera e jetës”, të udhëhequr nga trajneri Leonard Kaja.

Edhe dita e dytë u karakterizua me përmbajtje të pasur dhe tematika domethënëse. Abil Baush ligjëroi mbi “Kuptimin e jetës dhe qëllimin personal”, ndërsa hoxhë Shaban Tahiri trajtoi temën “Roli i fesë në forcimin emocional të të rinjve”, duke vënë në pah rëndësinë e fesë në ruajtjen e ekuilibrit shpirtëror dhe emocional. Shkolla u përmbyll me workshop-in interaktiv “Iniciativa rinore për shpresë dhe mirëqenie”, nga Edina Mici, ku pjesëmarrësit u inkurajuan të shndërrojnë idetë dhe potencialin e tyre në iniciativa konkrete në shërbim të shoqërisë.

Këto dy ditë shërbyen si një hapësirë reflektimi, vetëdijesimi dhe motivimi, ku u trajtuan sfidat reale të të rinjve dhe u ofruan mjete praktike për ndërtimin e një jete më të qëndrueshme shpirtërore, emocionale dhe shoqërore.

Në pjesën përmbyllëse të programit, fjalën e rastit e mbajti Kryetari i Forumit Rinor Islam – Dega Shkup, z. Afrim Demiri, i cili falënderoi pjesëmarrësit për angazhimin dhe seriozitetin e treguar, duke i inkurajuar që njohuritë e fituara t’i zbatojnë në jetën e përditshme. Më pas u shfaq videoja përmbyllëse e Shkollës Dimërore, ndërsa aktiviteti u mbyll me shpërndarjen e certifikatave për të gjithë pjesëmarrësit.

Forumi Rinor Islam falënderon të gjithë ligjëruesit, trajnerët dhe të rinjtë pjesëmarrës për energjinë pozitive dhe kontributin e dhënë, duke u shprehur mirënjohje dhe duke paralajmëruar aktivitete të tjera edukative në vazhdim.

Shkup, 11 janar 2026

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version