Pas një maratone të gjatë intensive prej 54 orësh është mbyllur me sukses mbrëmjen e së dielës Startup Weekend Tirana. Eventi i cili promovon sipërmarrjen dhe nxit idetë kreative u zhvillua për të dytin vit radhazi në Tiranë.
Dhjetëra të pasionuar dhe të interesuar për formimin e bizneseve fitimprurëse u mblodhën në ambientet e Qendrës Burimore Protik gjatë tre ditëve të aktivitetit. Gjatë 54 orëve të zhvillimit, aktiviteti shërbeu si një urë lidhëse mes programuesve, dizajnerëve, reklamuesve, menaxhereve të produkteve, financierëve, investuesve potencialë dhe entuziastëve të teknologjisë të cilët arritën të krijonin brenda një fundjave një plan pune për ngritjen e një kompanie startup.
Dita e premte, e cila ishte edhe dita e parë e hapjes së eventit, filloi me dhënien e ideve dhe krijimin e grupeve të punës.
Gjatë ditës së shtunë, filloi puna për të vënë në realitet idetë, duke punuar me krijimin e prototipeve të produkteve, duke realizuar sondazhe në terren apo duke u konsultuar me mentorët, të cilët ishin profesionistë të sektorit të ICT-së në Shqipëri si dhe sipërmarrës të suksesshëm.
Të dielën në darkë, pjesëmarrësit prezantuan prototipet e tyre përpara një paneli të përbërë nga investitorë dhe sipërmarrës potenciale dhe mbrëmja përfundoi me kurorëzimin e tre projekteve fituese.
Në vend të tretë u rendit ekipi i projektit “Lost in translation”, qëllimi i së cilëve ishte ndërtimi i një faqeje që do të shërbejë si pikëtakim mes përkthyesve dhe njerëzve që kanë nevojë për përkthime. Një përdorues hyn në faqe me qëllim për të përkthyer një dokument. Ai do të ketë mundësi të zgjedhë mes përkthyesve të licencuar apo atyre që janë të aftë të bëjnë përkthime por nuk disponojnë licencë. Secili përkthyes do të ketë profilin e tij personal së bashku me një vlerësim i cili jepet vetëm nga personat që kanë pasur mundësi ta vlerësojnë punën e tyre përmes përkthimeve. Pagesa do të bëhet 30% në momentin fillestar kur përkthyesi ka marrë materialin dhe 70% në fund, para dorëzimit të materialit të përkthyer. Grupi i punës përbëhej nga Albi Sema, Erid Bejko, Floriana Mazreku, Oltjon Kodheli, Klevis Mino, Bruno Koçi.
Vendi i trete Lost in translationNë vend të dytë u rendit projekti “Kukipati”, synimi i së cilit ishte ndërtimi i një uebfaqeje që do të raportojë ndodhitë më të jashtëzakonshme të mbarë trevave shqiptare. Faqja do të shërbejë gjithashtu si një pikëtakim mes artistëve apo krijuesve të rinj dhe publikut. Njëkohësisht do të realizohen evente, organizime etj. Grupi i punës përbëhej nga Agon Xharra, Albian Fezollari, Celeste Goncalves, Enxhi Tralo, Artemida Arapi, Ergi Pojani, Andi Agaraj, Idit Dalea, Amarildo Fecanji.
Vendi i dyte KukipatiDhe së fundmi, vendin e parë e fitoi ekipi i “Green Lovers”, të cilët synonin të vinin në punë një platformë të vërtetë riciklimi si dhe të zhvillonin një fushatë intensive sensibilizuese përmes internetit. Për të zbatuar në praktikë modelin e riclikimit, pra, sensizibilizimin e njerëzve për të bërë ndarjen e mbeturinave në bazë të llojit të tyre, do të synohen kryesisht shkollat e mesme dhe restorantet. Këto të fundit do të kenë mundësi të vendosin një poster ku të paraqiten ndaj klientëve si një biznes ambientalist, i cili zbaton riciklimin. Grupi i punës përbëhej nga Juerald Hoxha, Enri Dervishi, Xhulia Muçaj, Gjergji Kokushta, Andi Çelhoka, Lorela Picari.
Vendi i pare Green LoversEventi u ndoq nga afër nga ICTS Media dhe PCWorld Albanian, të cilat përveçse raportuan hap pas hapi live në rrjetet sociale ecurinë e tij, ishin njëkohësisht edhe sponsorë të tij. Në këtë aspekt, ICTS Media ofroi për fituesit e vendit të dytë dhe të tretë praktikë profesionale pranë zyrave të saj për disa nga anëtarët e grupit. Ndërkohë fituesit e të tre vendeve të para përfituan paketa financiare nga Raiffeisen Bank,  burime materiale për të mbështetur dhe vazhduar projektet e tyre, si kompjuterë, domeine dhe hosting falas për faqet e tyre të internetit, trajnime, licenca nga Kaspersky, konsulenca profesionale nga kompani si BTC-Albania, DM Consulting etj.
Kjo iniciativë u mbështet fuqishëm nga Ministria e punëve të jashtme të Norvegjisë, e ndjekur nga afër edhe nga zëvëndës ambasadori i Norvegjisë në Kosovë z. Jon Hansen, Startup Norway, Protik dhe AITA.
Startup Weekend Tirana tregoi edhe njëherë se të rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm, kanë mjaft potencial të pazbuluar i cili kërkon mbajtjen e ngjarjeve të tilla për të dalë në pah duke u dhënë atyre mundësi të shpalosin veten dhe aftësitë e tyre. (PCWorld Albanian)
Startup IMG_0140
IMG_0142