Pas një maratone të gjatë intensive prej 54 orësh është mbyllur me sukses mbrëmjen e së dielës Startup Weekend Tirana. Eventi i cili promovon sipërmarrjen dhe nxit idetë kreative u zhvillua për të dytin vit radhazi në Tiranë.
Dhjetëra të pasionuar dhe të interesuar për formimin e bizneseve fitimprurëse u mblodhën në ambientet e Qendrës Burimore Protik gjatë tre ditëve të aktivitetit. Gjatë 54 orëve të zhvillimit, aktiviteti shërbeu si një urë lidhëse mes programuesve, dizajnerëve, reklamuesve, menaxhereve të produkteve, financierëve, investuesve potencialë dhe entuziastëve të teknologjisë të cilët arritën të krijonin brenda një fundjave një plan pune për ngritjen e një kompanie startup.
Dita e premte, e cila ishte edhe dita e parë e hapjes së eventit, filloi me dhënien e ideve dhe krijimin e grupeve të punës.
Gjatë ditës së shtunë, filloi puna për të vënë në realitet idetë, duke punuar me krijimin e prototipeve të produkteve, duke realizuar sondazhe në terren apo duke u konsultuar me mentorët, të cilët ishin profesionistë të sektorit të ICT-së në Shqipëri si dhe sipërmarrës të suksesshëm.
Të dielën në darkë, pjesëmarrësit prezantuan prototipet e tyre përpara një paneli të përbërë nga investitorë dhe sipërmarrës potenciale dhe mbrëmja përfundoi me kurorëzimin e tre projekteve fituese.
Në vend të tretë u rendit ekipi i projektit “Lost in translation”, qëllimi i së cilëve ishte ndërtimi i një faqeje që do të shërbejë si pikëtakim mes përkthyesve dhe njerëzve që kanë nevojë për përkthime. Një përdorues hyn në faqe me qëllim për të përkthyer një dokument. Ai do të ketë mundësi të zgjedhë mes përkthyesve të licencuar apo atyre që janë të aftë të bëjnë përkthime por nuk disponojnë licencë. Secili përkthyes do të ketë profilin e tij personal së bashku me një vlerësim i cili jepet vetëm nga personat që kanë pasur mundësi ta vlerësojnë punën e tyre përmes përkthimeve. Pagesa do të bëhet 30% në momentin fillestar kur përkthyesi ka marrë materialin dhe 70% në fund, para dorëzimit të materialit të përkthyer. Grupi i punës përbëhej nga Albi Sema, Erid Bejko, Floriana Mazreku, Oltjon Kodheli, Klevis Mino, Bruno Koçi.
Kjo iniciativë u mbështet fuqishëm nga Ministria e punëve të jashtme të Norvegjisë, e ndjekur nga afër edhe nga zëvëndës ambasadori i Norvegjisë në Kosovë z. Jon Hansen, Startup Norway, Protik dhe AITA.
Startup Weekend Tirana tregoi edhe njëherë se të rinjtë shqiptarë dhe jo vetëm, kanë mjaft potencial të pazbuluar i cili kërkon mbajtjen e ngjarjeve të tilla për të dalë në pah duke u dhënë atyre mundësi të shpalosin veten dhe aftësitë e tyre. (PCWorld Albanian)
Categories