Numri i francezëve që po e mbushin zbrazësinë shpirtërore, të imponuar nga laicizmi shtetëror, duke pranuar Islamin, është në rritje. Me këtë ata po sfidojnë qëndrimin armiqësor të opinionit ndaj Islamit
Bernard Godard, i ngarkuar me çështjet fetare në Ministrinë e punëve të brendshme të Francës, më 4 shkurt për New York Times, ka thënë: “Fenomeni i konvertimit është i rëndësishëm dhe mbresëlënës, veçanërisht nga viti 2000.”
Sipas vlerësimeve, në xhaminë e Sahabëve në Créteil, brenda një viti, organizohen mbi 150 ceremoni të konvertimeve në Islam. Sipas Godardit, nga 6 milion muslimanë që jetojnë në Francë, gati 100 mijë janë të konvertuar, në vitin 1986 ishin vetëm 50 mijë. Organizatat muslimane, megjithatë, pretendojnë se numri i tyre tani është 200 mijë.
Në Marsejë “konvertimet në Islam janë rritur dukshëm në tre vitet e fundit”, thotë Abderrahmane Ghoul, imam i një xhamie marsejeze dhe kryetar i Këshillit vendor të muslimanëve francez. Ghoul personalisht ka nënshkruar afro 130 dëshmi të konvertimeve në Islam gjatë vitit 2012.
Imamët tjerë konsiderojnë se numri i konvertimeve në Islam është rritur nga sekularizmi zyrtar, i cili sjell zbrazëti shpirtërore. “Sekularizmi është bërë antifetar dhe për këtë arsye ndodhi e kundërta: Ai u lejon njerëzve të zbulojnë Islamin”, thotë Hassen Chalgoumi, imami nga Drancy, vend në periferi të Parisit.
Megjithatë ekspertët vërejnë dukshëm ndikimin e personave të famshëm që e përqafojnë Islamin, e sidomos futbollistët si Nicolas Anelka, i cili në vitin 2004 u konvertua në Islam, ose Franck Ribery, i cili u konvertua në vitin 2006.
Charlie-Loup (21), student nga St.-Maur-des-Fosses, i konvertua në Islam në moshën nëntëmbëdhjetë vjeçare, pas një adoleshence të trazuar dhe marrëdhënieve të tensionuara me nënën e tij, thotë: “Konvertimet në Islam janë bërë fenomen social. Disa e përqafojnë Islamin thjesht nga kurioziteti.”
Në disa zona të banuar kryesisht me muslimanë, madje edhe jo-muslimanët agjërojnë gjatë Ramazanit.
Paralelisht është duke u rritur edhe shqetësim i opinionit për shkak të ndikimit të Islamit. Islami shpeshherë bëhet temë e debateve të nxehta, ndërsa politikanët e shfrytëzojnë çdo lëvizje të muslimanëve, të tilla si futjen e terminëve të notit vetëm për femra, ose rritjen e kërkesës për ushqim hallall, me këtë synojnë frikësimin e popullatës dhe mbledhjen e pikëve politike.
Gjatë vitit 2009 fotografia e rep këngëtares së popullarizuar Diam me shami, në revistën Paris Match, ka shkaktuar stuhi komentesh të ashpra nga zyrtarët dhe analistët.