Jeta e njeriut në të gjitha etapat e zhvillimit është e rëndësisë së veçantë, prandaj i duhet kushtuar kujdes periudhës së pare të zhvillimit të tij, me theks të posaçëm periudhës fëmijërore, nëse duam të ketë një të ardhme të mirë.

Shoqëritë e ndryshme që nga e kaluara e hershme kanë investuar dhe vazhdojnë të investojnë në kapitalin më të çmuar, në rritjen, zhvillimin dhe edukimin e fëmijëve të tyre, për t’i siguruar një kapital me vlera shoqërisë në të ardhmen. Nëse iu qasemi studimit të mësimeve Islame, vërejmë se Islami kësaj çështjeje i ka dhënë rëndësi të veçantë, që nënkupton se periudha e fëmijërisë në Islam kërkon përkujdesje maksimale, ngase kjo moshë e fëmijërisë, sidomos e femrës, karakterizohet nga tipare të ndryshme, që s’ka të krahasuar me periudha të mëvonshme të jetës, ndër to:
Pafajësia dhe dëlirësia, që do të thotë se femra në këtë fazë të zhvillimit është e pafajshme për veprimet e saj.

Po ashtu dëlirësia e saj e brendshme pa konsumuar kurrfarë urrejtjesh ndaj të tjerëve;

Lehtësia në nxënie. Kjo është mosha dhe faza kur gdhendet me lehtësi personaliteti i fëmijës, qoftë femër a mashkull, mbillen me lehtësi virtytet pozitive. Këtë mund ta verifikojmë edhe në bazë të thënies së Muhamedit a.s.: “Çdo foshnjë lind në natyrshmëri (fenë e pastër islame), e më pastaj dy prindërit e saj e konvertojnë atë në çifut, të krishterë apo zjarrputist’’. (Buhariu/1385)

Këtë e vërteton edhe fjala e urtë: Mësimi në vegjëli është sikurse gdhendja në gurë; Lidhja e ngushtë me prindërit për faktin se ata të dy janë më afër saj që nga foshnjëria e saj, përkujdesen për të dhe, po ashtu, u përgjigjen kërkesave të saj të natyrshme, përfshirë dashurinë, dhembshurinë, mirësinë, vlerësimin etj.; Dëshira për të pasur. Në këto moshë femra në mënyrë instinktive kërkon të ketë çdo gjë dhe nuk lejon dot partneritet në atë që posedon, qofshin ata kujdestarë të saj-prindër, apo ata që e shoqërojnë në argëtim;
Imitimi dhe kopjimi
Siç është e njohur tek të gjithë, në këtë fazë fëmijët në përgjithësi mundohen të imitojnë anëtarët e familjes dhe sidomos të dy prindërit në të gjitha veprimet e tyre, si në të shprehur, në ushqim, në ecje, në bisedë etj.. Mu për këtë arsye nga prindërit kërkohet të jenë të vëmendshëm se ç’u servojnë konkretisht fëmijëve të tyre.(1)

Është e njohur për të gjithë se femra që nga mosha e vogël kishte humbur imazhin në shoqëritë e hershme, përfshirë këtu edhe shoqërinë arabe gjatë periudhës së injorancës. Përshkallëzimi i kësaj dukurie sa shkonte e rritej, aq më tepër djalli i aftësonte se si të vepronin, prandaj fillimisht u mbjelli urrejtjen ndaj tyre. Këtë e vërteton edhe Kurani:’’Kështu shumicës së idhujtarëve, idhujt ua hijeshuan atyre mbytjen e fëmijëve të vet…’’. (El En’am, 137).

Kishte prej tyre që e dëshironin vdekjen e bijës së tyre më shumë se jetën e saj,edhe nëse martohej dhe përfitonin nga mehri-dhurata e martesës së saj. Nëse ndokujt i lindte vajzë, të tjerët i ngushëllonin prindërit e saj duke u thënë: Zoti ju mbrojt nga ky turp, ju ndihmoftë për sigurimin e ushqimit të saj, e shoqëroftë varri”.(2)

Këtë ngjarje e përshkruan Kurani kështu: (Shih:En-Nahl, 58-59)
Kurani famëlartë përshkruan gjendjen konkrete të familjarëve se si arabët bëheshin pesimistë në jetë kur merrnin lajmin për lindjen e vajzës. Këtë e konsideronin, me plot kuptimin e fjalës, një katastrofë të pa evitueshme. Burrat izoloheshin nga tubimet masive, nuk u përgjigjeshin thirrjeve gjatë ftesave, u ngushtohej gjoksi, e tërë kjo nga frika se do të pyeteshin nga të pranishmit për lindjen e vajzës.

Në Kaptinën En-Nahl Allahu xh.sh. tregon qartë urrejtjen e arabëve ndaj foshnjave femra. Ata pohonin se ato janë të Allahut (i Madhëruar qoftë Allahu nga fjalët e tyre), kurse djemtë i konsideronin të tyre. (3)

Mirëpo këtë ua demanton Allahu xh.sh: (Shih:En-Nahl, 62).

Kjo gjendje i shtynte arabët në periudhën e injorancës që të ndiqnin rrugën e vrasjes së foshnjave femra. Njofton Zemahsheriu për formën e ekzekutimit që u bënin bijave të tyre e thotë: Kur dikujt i lindte fëmija vajzë, nëse dëshironte ta mbante, e vishte me rroba të bukura nga leshi i kafshëve dhe kujdesej për të. Kurse ata që donin ta mbytnin, e linin derisa të mbushte gjashtë vjeç, pastaj i thoshin nënës së saj ta pastronte e ta zbukuronte të bijën se do të shkonin me të tek të afërmit e saj. Qysh më parë ai kishte përgatitur gropën për të në shkretëtirë dhe, kur mbërrinte te gropa, i thoshte: Shikoje atë e pastaj e shtynte nga prapa, i hidhte dheun përmbi derisa të rrafshohej me tokën. (4)

S’ka mëdyshje se vetëm të dëgjosh për këso veprimesh është rrëqethëse, e jo më të përjetosh një tragjedi të tillë. Por edhe bija që i shpëtonte vdekjes, vazhdimisht ishte e preokupuar mos vallë një ditë do të likuidohej nga babai ashtu sikurse motra e saj. E mos pyet për vajzën që po priste të ekzekutohej, e shkreta ishte e lidhur fort për t’ëmën e gjorë Sa i mbushte gjashtë vjeç, e ëma dhe e bija prisnin çastin kur do të merrej vendimi i ekzekutimit. Këto janë momente tronditëse për njeriun. Bëhet fjalë për një veprim që prapa lë trauma psikofizike, të cilat ia humbin shpresat njeriut për jetë, sa të mbetet pa ndjenja. Kjo, përveç të tjerash, vë në pah zemër ngurtësinë e arabëve në atë periudhë, që ishte rezultat i largimit nga mësimet hyjnore të trashëguara nga profetët e mëparshëm. Kështu ka vazhduar kjo gjendje për një kohë të gjatë,derisa erdhi drita e njerëzimit-Islami për ta shpëtuar botën mbarë nga tmerret dhe dhuna. Nuk duhet harruar se kishte nga arabët e asaj kohe që nuk i vrisnin foshnjat femra, i nderonin dhe i çmonin, siç ishte Zejd b. Amër b. Nufejl.

Tregon Esma b. Ebi Bekër (Allahu qoftë i kënaqur me ta) e thotë: “E kam parë Zejd b. Amër b. Nufejlin duke qëndruar në këmbë, i mbështetur për Qabe, që thoshte: O Kurejshitë, për Allahun askush nga ju nuk ka ngelur në fenë e Ibrahimit përveç meje. Ai i linte të jetonin foshnjat femra, u thoshte atyre burrave, që donin t’i vrisnin bijat e tyre: Mos e vrit atë, unë do të kujdesem për të. E marrte vajzën dhe, kur rritej, i thoshte babit të saj: “Nëse do, ta kthej vajzën tënde, nëse jo unë vazhdoj përkujdesjen për të”. (5)

E tërë kjo urrejtje ndaj femrës në periudhën para Shpalljes së fundit, që i shtynte t’i ekzekutonin vajzat për së gjalli, kishte disa shkaqe:
Frika nga varfëria dhe mjerimi
Siç është e njohur, arabët jetonin në shkretëtira, përballeshin me kriza të mëdha ekonomike, ushqeheshin me gjëra jo të shëndetshme. Nga kjo gjendje kishte të tillë që i urrenin femrat të cilat u bënin konkurrencë në ushqime. Këtë gjendje të tyre e vërteton edhe Kur’ani.

Thotë Allahu xh.sh: “…(Shih:El En’am, 151 dhe El Isra’ë, 31). Mu për këtë arsye Muhamedi a.s. e konsideroi një nga mëkatet më të mëdha mbytjen e fëmijës nga frika e pamundësisë për ta ushqyer. Siç transmeton Ibn Mes’udi r.a. kur thotë: E pyeta të Dërguarin a.s. të Allahut: Cili është mëkati më i madh? Më tha: “Ti bësh shok Zotit përderisa Ai të ka krijuar”. Thashë: Vërtet kjo është gjë e madhe. Po pastaj cili mëkat? Tha: “Ta mbysësh fëmijën tënd nga frika se do të ushqehet së bashku me ty”. Thashë: Po pastaj cili mëkat? Tha: “Të bësh imoralitet me gruan e fqinjit tënd mik”. (Buhariu/ 4207, Muslimi/86.)
Frika nga skllavëria
Arabët para Shpalljes së fundit ishin një popull që vazhdimisht hapnin fronte të reja lufte. Meshkujt, si zakonisht, merrnin pjesë në luftë – zatën për këtë dhe trashëgonin, kurse femrat kryesisht merreshin me punë të shtëpisë, si dhe përkujdeseshin për bagëtinë, punonin si baresha. Nga kjo rezultonte që ndonjëra nga të binte në duar të armikut, e të qëndronte atje si skllave. Kjo ishte gjëja më e rëndë për ta, konsiderohej turp dhe poshtërim i skajshëm. Thuhet se i pari që mori rrugën e varrosjes së femrave për së gjalli, ishte Kajs bin Asimi, mbas një mosmarrëveshje që kishte ndodhur në mes fi sit Temim dhe Numan bin El Mundhirit lidhur me pagesën e një takse që nuk e kryente fi si Temim. Atyre ua mësyu vëllai i tij Rejan bin el-Mundhir, i cili u rrëmbeu bagëtinë dhe i skllavëroi familjen. Fisi Temim dërgoi tek ta njerëz që kërkuan lirimin e grave të tyre. Numani tha: Secila grua ka të drejtë të zgjedhë – të kthehet në familje apo të qëndrojë te pronari i saj-që e ka skllavëruar. Të gjitha femrat u kthyen në familjet e tyre me përjashtim të vajzës së Kajs bin Asimit, e cila zgjodhi të qëndronte te Amër ibn Elmushemrexh. Kajsi u zotua se, nëse do t’i lindte ndonjë vajzë, do ta mbyste dhe kjo ndodhi. (6)

Mirëpo këtë qëndrim të tyre Allahu xh.sh. e mposhti duke thënë: (Shih:El En’am, 140). Edhe pse të tjerët pohojnë se fisi i parë që ka filluar ekzekutimin e vajzave për së gjalli, ishte fisi err Rrebia;
Frika nga humbja e vlerave familjare
Arabët në periudhën e injorancës krijuan bindjen se, nëse kryefamiljari vdes, femra nuk do të mund t’u rezistojë ballafaqimeve dhe krizave ekonomike, kështu që detyrohet t’u nënshtrohet të tjerëve, apo ta skllavërojnë atë, e këtë nuk mund ta duronin dot të afërmit e saj.

Nga tërë kjo sa u tha më lart, mund të përfundojmë që femrës në të kaluarën e hershme, që nga lindja e saj, i kanosej rreziku i ekzekutimit. Ardhja e Islamit jo vetëm që parandaloi këtë dukuri të hidhur, por u angazhua që asaj t’i kthente dinjitetin njerëzor në familje, shoqëri dhe kudo, duke u përkujdesur për ndjenjat e saj që nga fëmijëria. Lindja e vajzës pritet me gëzim e harmoni në familjen islame, njësoj si dhe e djalit. Ardhja e saj ndriçon familjen, sjell gëzim, i bën të qeshura fytyra e prindërve, ngase është krijesë e Zotit sikurse djali. Asaj i kryhen ceremonitë e lindjes njëlloj si vëllait të saj, duke filluar nga thirrja e ezanit në veshin e djathtë e ikametit në të majtin, i vihet emir nga më të bukurit, i kryhet ceremonia e therjes së kafshës në shenjë mirënjohjeje ndaj Zotit për lindjen e saj-akika, etj..Urrejtja ndaj femrës nuk ishte vetëm tek arabët, ishte e njohur tek të gjitha shoqëritë e hershme, diku më shumë e diku më pak. Kjo dukuri njihej edhe në vendet evropiane, siç theksohet, të krishterët e konsideronin femrën si portë të ferrit, si nëna e të gjitha sëmundjeve njerëzore, dhe ajo duhet të jetojë e turpshme për shkak të gjinisë së saj, ajo është shkaktarja e gabimit të Ademit a.s. etj.. Lidhur me këtë, studiuesi nga Danimarka, Wieth Kondsern pohon: “Gjatë mesjetës përkujdesja ndaj femrës evropiane ishte tepër minimale, si rezultat i pasimit të mësimeve katolike, të cilat femrën e konsideronin të kategorisë së dytë”. (7)

Kjo i kishte shtyrë shumë nga priftërinjtë të dyshonin rreth qenies së femrës, përveç të tjerash: a është femra krijesë me shpirt apo jo, siç kishte ndodhur në shekullin e pestë. Po ashtu në vitin 586 në Francë u qe mbajtur një samit kushtuar gruas, ku, veç të tjerash, ishte diskutuar – a konsiderohet femra qenie njerëzore apo jo?. (8)

Ky veprim makabër po ndodh edhe në kohën tonë në shumë vende të botës, sidomos në disa shtete që shquhen për qytetërim e kulturë, siç është India, p.sh., njofton organizata për përkujdesjen e fëmijëve e Kombeve të Bashkuara UNICEF se fenomeni i mbytjes së fëmijëve femra është evident në shumicën e fshatrave indiane, që arrin numrin 600 mijë fshatra, ku jetojnë 70% të banorëve. Ky fenomen realizohet më së shumti përmes abortimit të foshnjave, nga 8000 foshnja të abortuara, 7997 kanë qenë femra. 4000 abortime kanë ndodhur vetëm në Bombei. E përafërt më këtë është edhe gjendja në Kinë, ku qeveria nuk lejon të kenë çiftet më shumë se një fëmijë, prandaj fëmija më i padëshiruar atje është vajza; edhe në qytete ajo vritet përmes abortit ende pa lindur, ndërsa në shumë zona rurale, ku nuk ka arritur aparatura-sunar, ajo vritet pas lindjes. (9)

Kjo dukuri është shtrirë edhe në shumë shtete të tjera kudo në botë. Feja Islame ka ardhur për të gjallëruar jetën njerëzimit,për të lumturuar jetën e tyre, duke i kthyer njeriut imazhin që kishte humbur për një kohë të gjatë, prandaj dhe vendosi që maksima që do ta shoqërojë, të jetë: Paqja shpëtimi, jetë gjallëria. Duke u mbështetur mbi këtë koncept, feja Islame mbytjen e femrave për së gjalli e konsideron krim, prandaj nuk ka qëndruar indiferente ndaj kësaj tragjedie që nga koha e ndalimit të kësaj vepre. Kurani në mënyrë eksplicite qartëson gjendjen e atyre që shkaktuan këtë krim – në Ditën e Gjykimit. Thotë Allahu xh.sh: (Shih:Et-Tekvir, 8-9).

Mesazhi në këtë citat u drejtohet vajzave të mbytura pafajësish nga paganët. Ato pyesin se çfarë mëkati kishin bërë që i kishin futur në dhe për së gjalli. Ky mesazh njëkohësisht është kërcënim për mbytësit, sepse është çasti që ato ta marrin hakun e tyre, e të ndëshkohet krimineli për vepër. Dita e Gjykimit është momenti kur secili do të ballafaqohet me Drejtësinë absolute.(10)

Meqë fëmijët janë të pafajshëm, Ditën e Gjykimit vërtetohet pafajësia e tyre. Lidhur me këtë, ka njoftuar edhe Muhamedi a.s. duke thënë: “Pejgamberi është në Xhenet, shehidi-dëshmori është në Xhenet, foshnja është në Xhenet, fëmija femër e mbytur për së gjalli është në Xhenet” (Ahmedi/ 20583).(11)

Për ta nderuar femrën, feja Islame vendosi normën fetare për shpagim të këtij mëkati nga ata që kishin kryer këtë krim, e më pastaj u penduan. Shpagimi,sipas normës islame, ishte lirimi i një skllavi-robi për çdo vajzë të mbytur, apo dhurimi në formë lëmoshe i një deveje për çdo vajzë të mbytur. Kështu i urdhëroi Muhamedi a.s. të vepronin ata që kishin shkaktuar këtë mëkat. “Rrëfen Halifete bin Husejn: Erdhi Kajs ibn Asimitek i Dërguari a.s. i Allahut dhe i tha: O i Dërguar i Allahut, unë kam varrosur për së gjalli gjatë injorancës, dymbëdhjetë a trembëdhjetë vajza. I tha: Liro aq skllevër sa ke mbytur prej tyre”. (Bejhakiu/16425). Në një transmetim tjetër Umer ibn Hatabi r.a. rrëfen: ErdhiKajs bin Asim et-Temimi tek i Dërguari a.s. i Allahut dhe i tha: injorancës. I tha Pejgamberi a.s: “Liro për secilën nga një skllav”. I thashë: Unë kam deve. I Më tha: “Dhuro për secilën prej tyre nga një deve”. (Taberaniu/863, Bejhakiu/16424 dhe Bezari/238).


1) Meha Jusuf Xharallah elhasen elXharallah, Inajetul Kur’ani ve es-suneti bimeshari elmer’eti.Bot.1, 1429/2008.Dar in Hazm, f.43.
2) Dr.Neval bint Abdulaziz Elid, hukuk elmer’eti fi dev’ë es-suneti en-nebevijeti.bot I 1427/206.Xhaizet Najif bin Abdulaziz alsaud elalemije, f.35.
3) Muhamed bin Xherir et- Taberi, Xhamia elbejan fi te’vil elKur’an, dar elfi kr Bejrut-1405h,v.14, f.126.
4) El-Imam Ebi el-Kasim Xharullah ez-Zemahsher, elkeshaf, da elkutub elilmije-Bejrut, 1400h-1980, v.4, f.780.
5) Sahih el-Buhari, kitab menakib el-Ensar, bab:hadith Zejd b Amër b Nufejl, h/3828.
6) Elimam Ebi elAbas Muhamed bin Jezid elMuberrid, el-Kamil, Muessesetu err-RRisale, v.I, f.288.
7) Dr.Mahmud Abdulaziz Halife, elhukuk es-sijasije lilmer’eti fi elislam, f.24, viti 2004.
8) Mr Sadat Rrustemi, ahkam elmuslimat fi dijar gajr elislam, f.256.Kajro 1429-2008.
9) Inajet elKur’ni ve suneh bimeshir elmer’eti, f60, dhe :Mekanetul mer’ti fi el- Kur’ani elKerimi ve es-Suneti es-sahihati.Dr.Muha, ed Beltaxhi, bot.I, 1420-2000, f.83-84.
Mr. Sadat Rrustemi