Categories
Fetva Ramazani

Përllogaritjet astronomike për fillimin e Ramazanit

Pyetje:”Cili është mendimi juaj lidhur me përllogaritjet astronomike për përcaktimin e ditës së parë të muajit Ramazan?”
Prof. Dok. Ali Xhumua
Përgjigje:”Fillimisht duhet bërë e qartë se Islami nuk bie ndesh me shkencën dhe kurrë nuk është parë si pengesë në udhën e shkencës. Përkundrazi, Islami e ka nxitur dhe stimuluar shkencën nëpërmjet rëndësisë që i ka dhënë nxënies së dijes, thirrjeve për meditim dhe studim në univers. Thotë Zoti në Kuranin fisnik:” Thuaj: “Shikoni ç’ka në qiej dhe në Tokë!” Por shenjat dhe qortimet nuk u bëjnë kurrfarë dobie njerëzve që nuk besojnë.” (Junus, 101)
“Thuaj: “Udhëtoni nëpër Tokë dhe shikoni se si Ai e ka zënë fill krijimin.” (Ankebut, 20)
Astronomia hyn tek ato shkenca të cilat Kurani na bën thirrje për ti studiuar dhe njohur, pasi ajo studion trupat qiellorë dhe lëvizjet e tyre. Thotë Zoti në Kuran:”Ne i bëmë natën dhe ditën dy mrekulli. Natën e mbështollëm me errësirë, kurse ditës i dhamë ndriçim, që ju të kërkoni begati nga Zoti juaj e që të dini numrin e viteve dhe njehsimin e kohës. Çdo gjë e kemi shpjeguar hollësisht.” (Isra, 12)
“Dielli sillet në drejtimin e vet të caktuar. Kështu e ka paracaktuar i Plotfuqishmi, i Gjithëdijshmi. Hënës i kemi caktuar faza; ajo përditë hahet e bëhet si rremi i përkulur i hurmës. As Dielli nuk mund ta arrijë Hënën e as nata nuk mund t’ia kalojë ditës; të gjitha lundrojnë në orbitat e veta.” (Jasin, 38-40)
Që në ditët e para, myslimanët i kanë kushtuar rëndësinë e duhur astronomisë dhe zbulimet e reja i vunë në shërbim të fesë e njerëzimit. Që atëherë, ata bënë llogaritjet e duhura për caktimin e kohës së namazit të sabahut, lindjes së diellit, kohën e namazit të drekës, iqindisë, akshamit dhe jacisë. Myezinët e thirrnin ezanin sipas kalendarëve të shpërndarë nga institucioni fetar, të cilat bazoheshin pikërisht në përllogaritjet e shkencëtarëve myslimanë. Pasi u vendosën kalendarët sipas përllogaritjeve astronomike, myslimanët hoqën dorë nga metodat tradicionale; përllogaritja me hijen e një shkopi të ngulur në tokë. Megjithatë, edhe sot, myslimani mund të detyrohet të masë hijen e shkopit nëse nuk ka orë ose nuk e di kohën e namazit.
Sheriati ka ardhur për ti lehtësuar gjërat jo vetëm për myslimanët, por për të gjithë krijesat. Ajo është një fe globale, pasi është feja e Zotit të botrave. Përllogaritja e kohëve të namazit dhe agjërimit me metodat astronomike, nuk ka përse të shihet si diçka që bie ndesh me sheriatin dhe traditën profetike.
Është e çuditshme pasi për llogaritjen e kohëve të namazit nga vëzhgimet astronomike, askush nuk ka kundërshtime dhe pakënaqësi. Kundërshtitë dhe debatet fillojnë e shfaqen në skenë menjëherë me ardhjen e muajit të shenjtë të Ramazanit. Kjo, edhe pse namazi zë një vend më të rëndësishëm në islam sesa agjërimi.
Lidhur me agjërimin e Ramazanit, është shikimi me sy i hënës ai që konfirmon fillimin e këtij muaji të shenjtë, gjë e cila vlen dhe për të gjithë muajt hënorë të tjerë. “Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!” (Bekare, 185)
Kurse profeti Muhamed a.s thotë:”Agjëroni me të parë hënën (e Ramazanit) dhe ndërpriteni agjërimin me të parë hënën (e Shevalit)!” (Buhari dhe Muslim)
Hëna është një trup qiellor i cili mund të shihet me sy, ashtu siç mund të përllogaritet vendndodhja e saj edhe me anë të matjeve astronomike të sakta të njohura nga profesionistët e kësaj fushe. Ndryshimi i pozicioneve të hënës është një realitet shkencor i njohur nga të gjithë dhe nuk është thjesht hamendje.
Shejh Subkij i shkollës shafi, është pyetur lidhur me një individ i cili pretendon se ka parë hënën e Ramazanit i vetëm, ndërkohë që përllogaritjet astronomike e hedhin poshtë mundësinë e shikimit të hënës. Ai është përgjigjur në mënyrë të stërholluar, por shkurtimisht përgjigja e tij përmblidhet:”Nëse astronomët pohojnë se ditën e pretenduar hëna është e pamundur të shihet, për arsye objektive si të jetë shumë pranë diellit, askujt nuk i pranohet dëshmia se ka parë hënën, pasi diçka e tillë është e pamundur. Nëse vjen një ose dy individë, të cilët mund t’ia qëllojnë por dhe të gabojnë, e pretendojnë se e kanë parë hënën, sipas meje informacioni i tyre duhet gjykuar si i gabuar. Edhe pse mund të jenë dy persona, dëshmia e tyre u refuzohet, sepse kjo dëshmi bie ndesh me informacionin e prerë dhe të saktë astronomik. Asnjëherë pandehma dhe hamendja nuk mund të dalë kundër të sigurtës, e aq më tepër të gëzojë prioritet ndaj saj… (Fetvatë e Subkij, Tekiudin Subkij)
Bazuar në sa thamë, mendoj se marrja në konsideratë e përllogaritjeve astronomike për fillimin e Ramazanit është më e drejtë, aq më tepër që këto përllogaritje i nënshtrohen shkencave empirike tepër të sakta, duke mbërritur në nivelin e argumentit të prerë dhe të pakontestueshëm. Sakaq shikimi me sy i hënës mbetet në nivelin e hamendjes dhe pandehje, për shkak të disa rrethanave të cilat e bëjnë shikimin e hënës të dyshimtë krahasuar me përllogaritjet astronomike. Kështu, në rast të mos përkimit mes shikimit me sy dhe përllogaritjeve astronomike, ne bazohemi tek këto të fundit.
Megjithatë, Zoti e di më mirë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Exit mobile version