Këtë të shtunë, në kuadër të projektit “Eureka”, u zhvilluan dy takime të rëndësishme me të rinjtë pjesëmarrës në Tetovë dhe Shkup, duke përmbyllur me sukses një tjetër fazë të aktiviteteve që synojnë fuqizimin personal dhe profesional të të rinjve.
Takimi në Tetovë – “Zhvillimi i karrierës”
Në Tetovë u mbajt takimi i dytë me temën “Zhvillimi i karrierës”, i udhëhequr nga Alma Rustemi. Pjesëmarrësit u njohën me mënyrën profesionale të përgatitjes së një CV-je dhe teknikat e prezantimit gjatë intervistave të punës. Me anë të simulimeve praktike, të rinjtë ushtruan rolet e punëdhënësit dhe kandidatit, duke fituar përvojë të drejtpërdrejtë.
Takimin e pasuroi edhe pjesëmarrja e Jane Dodge, vullnetare e Peace Corps, e cila ndau përvojat e saj në Tetovë dhe u ofroi të rinjve perspektiva të reja mbi zhvillimin personal.
Takimi në Shkup – “Modeli i të riut të suksesshëm”
Në Shkup u zhvillua takimi i gjashtë dhe përmbyllës, me temën “Modeli i të riut të suksesshëm”, i ligjëruar nga Hoxhë Jusuf Beqiri. Të rinjtë u angazhuan në diskutime rreth virtyteve dhe vlerave që formësojnë një të ri të suksesshëm, duke reflektuar mbi rëndësinë e moralit, disiplinës dhe qëllimit në jetë. Si shembull inspirues u soll figura e Muhammedit a.s., modeli i përkryer i udhëheqjes dhe suksesit personal e shoqëror.
Takimi u përmbyll me një lojë interaktive, e cila krijoi atmosferë të gëzueshme dhe frymë bashkëpunimi në mbyllje të ciklit të aktiviteteve.
Këto dy takime shënuan një tjetër hap të rëndësishëm në misionin e projektit “Eureka” për t’i pajisur të rinjtë me aftësi praktike, motivim dhe vizion për të ardhmen. .
29 nëntor 2025
