Forumi Rinor Islam – dega Kumanovë në kuadër të platformës Mozaiku Rinor realizoi përmbylljen e projektit gjashtëjavor Eureka. Projekt tek i cili ishin pjesmarrës nxënësit e klasave të nënta të shkollave fillore në komunën e Kumanovës, si: sh.f. “Bajram Shabani”, sh.f. “Naim Frashëri”, sh.f. “Toli Zordumis” dhe sh.f. “Kongresi i Manastirit” që gjithashtu ishin të hapura për bashkëpunim gjatë realizimit të projektit.
Programi filloi me një fjalë përshëndetëse të kryetarit të FRI-së, Mr. Xhabir Emini, i cili shprehu kënaqësinë për suksesin e arritur përgjatë këtyre javëve dhe falenderoi realizuesit, bashkëpuntorët dhe prindërit për ndihmën gjatë realizimit të projektit. Ai premtoi se ky nuk është projekti i fundit për rininë tonë dhe thirri për ndjekjen e projekteve të radhës tek Forumi Rinor Islam.
Fjalë rasti pati edhe përgjegjësi për projektin në Kumanovë, Memedali Limani i cili njoftoi të pranishmit mbi tematikat me të cilat ishte realizuar si dhe rrjedhën e projektit Eureka, si dhe shprehu mirënjohje për ekipin realizues dhe ata që nuk ngurruan ta ndihmojnë projektin.
Pjesë e programit ishte edhe video që u ndjek nga të pranishmit ku u shfaqën foto dhe video nga realizimi i temave si dhe pështypjet nga nxënësit përgjatë çdo jave ku ata ishin prezent. Ata shprehën përfitimet që kishin në aspekt edukativ dhe shoqëror nga ky projekt dhe se ishin shumë të kënaqur me kohën që shpenzuan gjatë kësaj periudhe.
Në fund të programit, të gjithë pjesëmarrësit e projektit Eureka u certifikuan me certifikata për pjesëmarrjen e suksesshme në këtë projekt.
Njëashtu u ndan mirënjohje për të gjithë ligjëruesit të cilët ligjëruan përgjatë kësaj periudhe. Mirënjohje i’u nda edhe shkollave dhe Kryqit të Kuq në Kumanovë, për bashkëpunimin korrekt në realizimin e projektit Eureka.