Në një atmosferë të ngrohtë dhe plot vlerësim, u përmbyll me sukses Shkolla Verore 2025, organizuar nga Forumi Rinor Islam – dega Shkup. Programi përmbyllës u zhvillua më 1 korrik në ambientet e qendrës rinore të FRI-së, dhe u hap me lexim të Kur’anit nga hafiz Uvejs Murtezi.
Të pranishmit u përshëndetën nga kryetari i FRI – dega Shkup, Afrim Demiri, i cili shprehu mirënjohjen për pjesëmarrësit dhe vlerësoi angazhimin e të rinjve në ndërtimin e një rinie të vetëdijshme dhe aktive. Më pas, me një fjalë të shkurtër, u drejtua edhe kryetari në nivel qendror të FRI, Abdulhamid Mustafa, i cili përgëzoi pjesëmarrësit për përkushtimin e tyre dhe falënderoi organizatorët për mbarëvajtjen e suksesshme të programit. Me fjalë përshëndetëse u drejtua edhe hoxhë Fevzi Musliu, nënkryetar i Fondacionit AXIS, i cili theksoi rëndësinë e bashkëpunimit dhe mbështetjes për projekte që kultivojnë vlera dhe edukim te rinia.
Në vazhdim, u prezantua një video-material përmbledhës me pamje dhe momente nga ligjëratat, aktivitetet dhe reflektimet përgjatë ditëve të Shkollës Verore, i cili riktheu emocionet dhe përjetimet e veçanta që shoqëruan këtë edicion.
Programi u përmbyll me ndarjen e certifikatave për pjesëmarrësit, si një shenjë mirënjohjeje për angazhimin dhe përkushtimin e treguar. Atmosfera u mbush me mirënjohje dhe motivim për të vazhduar përpjekjet drejt dijes, vetëdijes dhe ndërtimit personal.
Forumi Rinor Islam – dega Shkup falënderon të gjithë pjesëmarrësit, ligjëruesit, vullnetarët dhe mbështetësit e këtij projekti, duke u zotuar për të vijuar me iniciativat që fuqizojnë rininë dhe e udhëzojnë atë drejt vlerave të larta.
Shkup, 1 korrik 2025























