Në kuadër të aktiviteteve të muajit të bekuar të Ramazanit, Forumi Rinor Islam – Dega Shkup gjatë këtij muaji organizoi mukabelen për gra dhe vajza, e cila u mbajt çdo ditë nga ora 11:00 në ambientet e FRI-së në Shkup, nën udhëheqjen e hafizes Mervenur Ramadani.
Ky aktivitet shpirtëror u shoqërua me pjesëmarrje të rregullt të grave dhe vajzave, duke krijuar një atmosferë përkushtimi dhe reflektimi përmes leximit të Kur’anit gjatë ditëve të Ramazanit.
Në kuadër të programit të së shtunave, pas mukabeles u realizuan edhe ligjërata fetare për pjesëmarrëset, të mbajtura nga teologia Esma Sherifi Kurti, me tema të ndryshme edukative dhe shpirtërore që lidhen me vlerat e muajit të Ramazanit.
Më 14 mars u mbajt edhe ligjërata e fundit me temë “Fitimtarët e Ramazanit”, ndërsa programi u përmbyll me duanë e hatmes, duke shënuar kështu përfundimin e mukabeles së këtij viti.
Ky aktivitet është pjesë e angazhimit të vazhdueshëm të Forumit Rinor Islam – Dega Shkup për të promovuar vlerat fetare dhe për të krijuar hapësira edukative e shpirtërore për gratë dhe vajzat gjatë muajit të Ramazanit.
Shkup, 14 mars 2026
