Categories
Fetva

Përse dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes janë të shenjta?

Pyetje:”Transmetohet se Profeti a.s ka thënë:” Nuk ka ditë ku veprat e mira janë më të dashura tek Zoti, sesa këto dhjetë ditë.” Shokët e tij, të çuditur e pyetën:”Edhe se pjesëmarrja në xhihad o i dërguar i Allahut?!” Profeti a.s ua ktheu:”Përveç një burri i cili ka dalë me veten dhe pasurinë e tij dhe nuk kthehet me asnjërën.”
Cila është urtësia e shenjtërimit të këtyre ditëve? Përse Profeti a.s thotë që vepra e mirë gjatë këtyre ditëve, është më e dashur tek Zoti sesa vepra e mirë në ditët e tjera?”
Dr. Jusuf Kardavi
Përgjigje:”Këto dhjetë ditë nga muaji Dhul Hixhe, janë ditët më të mira tek Zoti, gjë e cila transmetohet në hadithin e cituar prej jush më lart. Shkaku përse këto dhjetë ditë janë të shenjta dhe të vlefshme tek Zoti, është si më poshtë:
Së pari, favorizimi dhe përzgjedhja e diçkaje, është një çështje që i takon Zotit të lartësuar. Është në dorën e Tij që një vendi të caktuar ti japë prioritet ndaj vendeve të tjera. Kështu, Ai e ka favorizuar Qaben më shumë se çdo xhami tjetër. Po ai ka favorizuar Qaben, xhaminë e Profetit a.s dhe xhaminë Aksa ndaj të gjitha xhamive dhe faltoreve të tjera. Thotë Profeti a.s:”Udhëtimet rituale nuk lejohet të bëhen veçse drejt tre xhamive; Qabes, xhamisë time dhe xhamisë Aksa.”
Ka dashur Zoti që një namaz në Qabe, të jetë ekuivalent me njëqind mijë namaze në xhamitë e tjera. Një namaz në xhaminë e Profetit a.s të jetë ekuivalent me njëmijë namaze të xhamive të tjera dhe një namaz në xhaminë aksa, sa pesëqind namaze në xhamitë e tjera. Po ashtu, Zoti ka favorizuar Mekën dhe Medinen, ndaj çdo vendi dhe qyteti tjetër. Kjo ishte për sa i përket favorizimit të vendeve.
Sakaq, lidhur me favorizimin e njerëzve, shohim që Zoti i lartësuar i ka favorizuar dhe privilegjuar profetët dhe të dërguarit e tij nga të gjithë njerëzit e tjerë. Por, ai ka privilegjuar disa profetë nga disa të tjerë. “Nga këta të dërguar, disa syresh i ngritëm mbi të tjerët. Disave Allahu u foli drejtpërdrejt, kurse të tjerë i ngriti në shkallë të larta.”(Bekare, 253)
Është në dorën e Zotit që të favorizojë, privilegjojë dhe bëjë zgjedhje të caktuara. Thotë Zoti në Kuran:”Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh lirisht…” (Kasas, 63)
Zoti favorizon vendet, njerëzit ditët dhe gjithçka tjetër, për shkaqe që vetëm Ai i di. Ndonjëherë, Zoti na e tregon urtësinë dhe shkakun e një favorizimi dhe përzgjedhjeje, ashtu siç ndodh me muajin e Ramazanit. “Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja).” (Bekare, 185)
Natën e Kadrit, Zoti e ka zgjedhur dhe favorizuar, për shkak se në këtë natë është shpallur Kurani.“Ne e kemi zbritur (Kuranin) në Natën e Kadrit.” (Kadr, 1)
Së dyti, muajin Dhul Hixhe Zoti e ka favorizuar për dy gjëra: Ky muaj hyn tek katër muajt e shenjtë, të cilët janë favorizuar nga vetë Zoti ndaj muajve të tjerë.
“Vërtet, numri i muajve tek Allahu është dymbëdhjetë, sipas Librit të Allahut, që prej ditës kur krijoi qiejt dhe Tokën. Katër prej tyre janë të shenjtë, sipas besimit të drejtë. Prandaj, mos i bëni vetes dëm, duke i shkelur këta muaj!” (Teube, 36)
Këta katër muaj, janë: Dhul Kide, Dhul Hixhe, Muharrem dhe Rexheb. Të dëmtosh veten dhe të tjerët është e ndaluar në të gjithë muajt, por kryesisht në këto muaj është akoma më e rëndë. Prandaj, dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes, janë të shenjta, pasi ndodhen në këtë muaj të shenjtë.
Së treti, sepse në muajin Dhul Hixhe zhvillohen dy ngjarje të rëndësishme; Ai është muaji i shenjtë dhe në këtë muaj zhvillohet rituali i Haxhit. Muajt kur mund të niset besimtari për haxh janë tre; Sheval, Dhul Kide dhe Dhul Hixhe. Mos harrojmë, se Shevali është nga muajt e Haxhit dhe nuk hyn tek muajt e shenjtë.
Së katërti, sepse në këto dhjetë ditë, kryhen ritualet kryesore të Haxhit, dita e tervijes që është dhe dita e tetë, dita e qëndrimit në Arafat dhe dita e dhjetë, dita e therjes së kurbaneve. Dita e dhjetë, është dita më e mirë e vitit, ashtu siç është nata e Kadrit nata më e mirë e vitit.
Ashtu siç janë dhjetë netët e fundit të Ramazanit, netët më të mira të vitit, dhjetë ditët e para të Dhul Hixhes, janë ditët më të mira të vitit.
Këto ishin disa urtësi lidhur me shenjtërimin dhe favorizimin e këtyre dhjetë ditëve. Vetë Profeti a.s i nxiste shokët e tij dhe të gjithë myslimanët, që këto ditë ti mbushin me vepra të mira, si agjërimi, sadakaja, lutjet dhe dhikri.
Zoti e di më mirë!

Exit mobile version